1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Pushim vdekjeprurës - Mbi dy milionë zogj shtegtarë vriten çdo vit në brigjet lindore të Adriatikut

Shoqata gjermane për mbrojtjen e mjedisit "Euronatur" në një studim ende të papublikuar kërkon kushte më të mira për ruajtjen e faunës në vendet ballkanike që lagen nga Deti Adriatik.

Zog i mbetur në Ballkan

Zog i mbetur në Ballkan

Krila, lauresha, pupëza, rosa, çafka - me dhjetëra mijëra syresh ndalen vit për vit në brigjet e Adriatikut për të pushuar gjatë udhës së lodhshme të kthimit nga Afrika për në Evropë. Si për shembull në derdhjen e Bunës. E pikërisht aty i presin gjahtarët.


Të paktën dy milionë zogj shtegtarë vriten kështu çdo vit në Shqipëri, Mal të Zi, Bosnjë-Hercegovinë, Kroaci, Slloveni dhe nuk arrijnë të kthehen në vendlindje, ka përllogaritur Martin Shnajder Jakobi (Schneider Jacoby) , nga shoqata gjermane për mbrojtjen e mjedisit, "Euronatur". Shkencëtari gjerman ka mbi 20 vjet që merret me faunën dhe florën e Ballkanit dhe thotë se shifra faktike është shumë më e lartë: "Ne mendojmë që në brigjet lindore të Adriatikut gjuhen të paktën dy milionë zogj shtegtarë. Numri i gjuetarëve të regjistruar është mbi 200 mijë dhe për secilin kemi llogaritur nga 10 zogj në vit. Por në fakt ka shumë gjuetarë, që vrasin dhjetë zogj brenda ditës. Përveç kësaj, në Mal të Zi dhe në Shqipëri ka një numër shumë të madh gjuetarësh që janë të paregjistruar", thotë Shnajder-Jakobi për Deutsche Welle-n.

Zogj shtegtarë Negotino, 100 km në jug të Shkupit, Maqedoni

Zogj shtegtarë Negotino, 100 km në jug të Shkupit, Maqedoni

Mangësi në legjislacion


Gjuetia vazhdon edhe në periudhën e pranverës dhe verës, megjithëse në vendet evropiane ndalohet rreptësisht vrasja çdo lloj zogu të egër mbas datës 15 janar: "Sepse këta janë zogjtë që kanë arritur të mbijetojnë peripecitë e dimrit dhe, që kthehen në Evropë për t'u shumuar. Pikërisht këta zogj vazhdojnë të vriten tani në Shqipëri dhe Mal të Zi", - sqaron Shnajder-Jakobi.


Vrasja e zogjve në këtë periudhë bëhet legalisht, pasi siç thotë për Deutsche Welle-n zëvendësministri shqiptar i mjedisit Taulant Bino, direktiva evropiane e shpendëve ende nuk është adoptuar tërësisht nga legjislacioni shqiptar: "Ekziston një periudhë e përcaktuar nga Këshilli i Ministrave ose nga ministri për sezonin e gjuetisë, i cili në tërësi fillon më 15 gusht dhe mbyllet në fund të shkurtit. Por, kjo periudhë nuk është njësoj e vlefshme për të gjitha llojet."


Kopacevo, Kroaci - Zog n�htegtim

Kopacevo, Kroaci - Zog n�htegtim

Ky lloj ligji i lë fushëveprim ministrit ta përcaktojë vetë sezonin e gjuetisë. Kështu për shembull vitin e kaluar ai lëshoi një dekret për zgjatjen e gjuetisë së rosave marsore, deri më 15 mars. "Shqipëria me këtë ecën tërësisht në kahun e kundërt", thotë Shnajder-Jakobi, i cili ka vite që po pret ndryshimin e ligjit në Shqipëri.

Zgjatja e sezonit josh gjuetarët e huaj, sidomos ata italianë, të cilët janë të gatshëm të paguajnë deri në 100 euro në ditë, vetëm për të vrarë në Shqipëri ata shpendë që nuk lejohen t'i vrasin në vendet e tyre, ankohet Shnajder-Jakobi.

Zëvendësministri shqiptar Bino, thotë se turizmi i gjuetisë zyrtarisht ka shënuar rënie (nga 1000 turistë gjuetie në vitin 2007, në vitin 2008 ishin vetëm 700), por shifrat zyrtare nuk japin informacione të sakta për gjendjen, shton ai: "Tani po ndeshemi edhe me një realitet tjetër, me një numër gjuetarësh të huaj, kryesisht italianë, që vijnë në Shqipëri jashtë sezonit, si turistë të thjeshtë. Zakonisht i sjellin emigrantët për të kryer gjueti në vende të pacaktuara dhe në kundërshtim me ligjin."

Lumi Mat

Lumi Mat

Joshje hileqare

Në kundërshtim me ligjin është për shembull jo vetëm gjuetia jashtë sezonit, por edhe përdorimi i grackave për tërheqjen e shpendëve në tokë, si për shembull, duke vendosur mbi ujë rosa plastike që bëjnë "kuak kuak". Bino thotë se kjo metodë ndalohet edhe në legjislacionin shqiptar, por "ato vazhdojnë të përdoren jo vetëm nga të huajt, siç ka qenë më parë, por tani problem është edhe sjellja e vetë gjuetarëve shqiptarë."

Kryetari i Federatës së Gjuetarëve shqiptarë, Petrit Gjoni, e pranon që ka shumë raste abuzimesh dhe shkeljesh. Por deputeti nga Lexha dhe bashkëpartiaku i ministrit të mjedisit, Lufter Xhuveli, një pjesë të fajit ia kthen shtetit, i cili edhe kur i kap gjuetarët në flagrancë nuk është në gjendje të vjelë gjobat e vëna. "Sipas ligjit kur kapet një gjuetar, punonjësi i pyjeve ose inspektori i policisë pyjore bën proces-verbalin, pastaj organet e pyjeve marrin vendimin për matjen e gjobës e pastaj këto vendime u dërgohen organeve të pushtetit vendor, siç janë komunat dhe bashkitë, të cilat pothuajse nuk e vjelin fare këtë masë të gjobës që kanë vendosur organet shtetërore."

Ligj i ri për gjuetinë


Shqipëria tani po harton një ligj të ri në përputhje me direktivën evropiane të shpendëve. Ministria e mjedisit planifikon ta kalojë ligjin në parlament qysh në gjashtëmujorin e parë të këtij viti. Megjithatë, zëvendësministri Taulant Bino mendon se ligji nuk do të mjaftojë për ta përmirësuar gjendjen menjëherë, sepse në Shqipëri mungon edukimi për mbrojtjen e faunës: "Shqipëria vjen nga një sistem diktatorial, i cili nuk punoi aspak për të edukuar njerëzit për mbrojtjen e faunës, por u vuri rregulli nëpërmjet dhunës", thotë Bino. "Tashmë ne duhet të përdorim format e reja, që janë ato të edukimit pra vetëdijesimin, që mbrojtja e faunës është një domosdoshmëri dhe shpresojmë, që me ndryshimin e ligjit dhe ndryshimet në programet shkollore kjo të fillojë të sjellë frytet e saj të para."

(ACA)



  • Data 23.01.2009
  • Autor Anila Shuka / Berlin
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Gf3d
  • Data 23.01.2009
  • Autor Anila Shuka / Berlin
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Gf3d