1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

"Puna ime në Evropë“ - Lobiist në Bruksel

Në Bruksel ka rreth 15.000 lobiistë. Ata zgjedhin emërtime në anglisht si: Public Affairs, Government Relations, Political Communication ose Advocacy për të përshkruar profesionin. Çfarë bëjnë lobiistët?

default

Në zgjedhjet e fundit për Parlamentin Evropian qershorin e vitit të kaluar, pjesëmarrja në votime ra në një shifër rekord. Qytetarët me sa duket ende nuk e kanë kuptuar rëndësinë e parlamentit, shpreh keqardhjen Graham Watson, ish-kryetar i grupit parlamentar të liberalëve. Ndërsa të tjerë e kanë kuptuar mirë këtë. „Shihni numrin e lobiistëve në Bruksel, ka më shumë se në Uashington. Ata e dinë se çfarë pushteti ushtrohet këtu. E ne duhet të bëjmë diçka, në mënyrë që këtë ta kuptojnë edhe qytetarët tanë. “

Në Bruksel llogaritet të ketë gjithsej mbi 15.000 lobiistë. Andreas Ogrinz është njëri prej tyre. Ai është lobiist për Lidhjen Federale gjermane të Kimisë. Zyra e tij praktikisht është fare pranë institucioneve evropiane si Parlamenti, Komisioni, dhe Këshilli i Ministrave. Pikërisht në këto institucione janë partnerët më të rëndësishëm të tij për bisedime.

Por çfarë bën në fakt një lobiist?

Andreas Ogrinz në zyrën e tij në Bruksel

Andreas Ogrinz në zyrën e tij në Bruksel

„Lobisitët në radhë të parë bëjnë dy gjëra: Nga njëra anë ata vëzhgojnë politikën, kjo do të thotë, që ata përpiqen të nuhasin se çfarë vendoset nga parlamenti ose këtu në Bruksel nga Këshilli i Ministrave. Puna e dytë e lobiistëve është përpjekja për të fituar influencë. E pikërisht ky është sektori që konfrontohet më shumë me kritikën.“ Ogrinz fare hapur e quan veten lobiist, ndonëse e di që profesioni i tij ka një emër jo të mirë, për një pjesë të gjerë të opinionit publik. Megjithatë shumë lobiistë as që perceptohen si të tillë, thotë ai: „Edhe lobiistët e mjedisit, janë lobiistë. Ky fakt ndonjëherë lihet në hije në debatin publik. Nuk janë vetëm përfaqësuesit e industrisë dhe të shoqatave të sipërmarrësve, që duan të përfaqësojnë interesat e tyre, por edhe shoqatat e mjedisit, aktivistët e të drejtave të njeriut e shumë organizata të tjera. “

Ndoshta kritika publike ndaj lobiizmit ndizet atëherë kur krijohet përshtypja, se politikanët "blihen" prej lobiistëve. Andreas Ogrinz i vendos kufijtë moral punës së tij: „Nëse p.sh. fton një deputet në një udhëtim, ose i premton atij ndonjë avantazh me vlerë në para, natyrisht që ky është fitim influence në mënyrë ilegale, dhe për mua këtu s' kemi të bëjmë më me lobiizëm, por me korrupsion. “

Jo vetëm shoqatat, organizatat dhe ndërmarrjet dërgojnë lobiistë në Bruksel, por edhe përfaqësitë e landeve federale të Gjermanisë në thelb janë përfaqësi lobiimi.

A ia vlen ky mundim në të vërtetë?

Brüssel Andreas Ogrinz Bundesarbeitgeberverband Chemie

Andreas Ogrinz beson, se suksesi është afatgjatë dhe indirekt: „Unë besoj, se do të ishte e ekzagjeruar t'i atribuoje një rezultat të caktuar politik aktivitetit tënd të lobiimit. Sepse makineria e vendimmarrjes në Bruksel është mjaft komplekse. Por natyrisht që ndonjëherë nëpër debate dëgjon argumentat që ti ia ke parashtruar dikujt. Kjo ka të bëjë me faktin, se si lobiist ke biseduar me vendimmarrës, ose ke shkruar letra për paraqitjen e pozicioneve të caktuara. Ndonjëherë argumentat e tua e bindin ndonjë vendimmarrrës. E ky është një sukses i vogël në punën e lobingut."

Autor: Christoph Hasselbach

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 11.10.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PalW
  • Data 11.10.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PalW