1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

"Punëtor i importuar" në shërbim të Zotit

Në Gjermani shugurohen gjithnjë e më pak priftërinj katolikë. Për të plotësuar boshllëqet, merren priftërinj nga vende si India dhe Polonia. Këtu ata përballen me probleme gjuhësore dhe kulturore.

Shpesh Atë Titus Karikkassery celebron dy herë në ditë meshën. Prifti përgjigjet për katër kishat e famullisë e tij katolike në qytetin Troisdorf në perëndim të Gjermanisë. Atje ai këshillon anëtarët e bashkësisë dhe u qëndron pranë në situata të vështira. Karikkassery vjen nga India. Kjo nuk është më një gjë e pazakontë ndër famullitë gjermane. Vetëm në dioqezën e tij të Këlnit punojnë 55 klerikë indianë. Ka edhe 136 priftërinj të tjerë nga vende si Polonia, Nigeria, apo Korea e Jugut. Afro një ndër shtatë klerikë aty vijnë nga jashtë. Në shumë prej 27 dioqezave gjermane situata është e ngjashme.

Atë Titus Karikkassery punon në katër dioqeza katolike

Atë Titus Karikkassery punon në katër dioqeza katolike

Pater Titus Karikkassery i takon urdhërit karmelitan. Kur eprorët e tij e pyetën, nëse do të ishte i gatshëm për të shërbyer jashtë vendit, ai pranoi. Me të ardhurat e tij 44-vjeçari dëshiron që të ndihmojë përgatitjen e priftërinjve në vendlindjen e tij në jug të Indisë. Në vitin 2006 ai erdhi në Gjermani, pa ditur asnjë fjalë e gjermanisht.

Me short jashtë shteti

Kështu ishte edhe për Atë Celso Mateo Sánchez-Rosario. 35-vjeçari është rritur në Republikën Domenikane. Ai në fakt donte të bëhej programues kompjuteri. Por megjithatë zgjodhi seminarin e priftërinjve. "Aty më pyetën, nëse do të isha i gatshëm për të shkuar në një vend tjetër, ku ka mungesë priftërinjsh. Dhe unë thashë po", tregon Sanchez-Rosario. Për vendin, ku do të shkonte, u vendos me short. Që nga viti 2010 ai punon në Wachtberg, në jug të Bonit.

Në dioqezat gjermane vështirë se dikush vendos të bëhet prift. Në vitin 2011 vetëm 108 burra u veshën priftërinj në dioqezat dhe urdhërat fetarë në mbarë vendin. Në vitet 1990-të kishte akoma më shumë se 300. Për më tepër shumë nga priftërinjtë aktivë janë pranë daljes në pension. Për të vazhduar të kryejnë shërbimet e shpirtërore dhe baritore, kishat katolike kanë nevojë urgjente për personel shtesë. Priftërinjtë e rinj vijnë kryesisht nga Azia, Afrika dhe Amerika Latine. Në vitin 2007, sipas një studimi me porosi të konferencës episkopale, në Republikën Federale të Gjermanisë punonin 1312 klerikë të huaj. Grupi më i madh është nga India, edhe pse atje jetojnë vetëm rreth 17 milionë katolikë. Polonia sjell kontigjentin e dytë për nga numri.

Probleme komunikimi mes priftërinjve dhe bashkësisë

Priftërinjtë e huaj nuk e kanë shpesh të lehtë në bashkësitë e tyre. Të mbash një meshë në gjermanisht, është me pak praktikë e mundur. Por gjatë punës me njerëzit, dalin më fort në pah deficitet gjuhësore. Për të folur rreth problemeve shumë personale, nevojitet njohje e shkëlqyer e gjuhës. Përveç kësaj është e nevojshme të njohësh mirë kushtet e jetësës së këtushme, kulturën dhe mentalitetin. Priftërinjtë e huaj përgatiten në fakt për këtë, por në praktikë pastaj shumë gjëra dalin ndryshe. Pater Sanchez-Rosario kujton: "Gjëja e parë, me të cilën bashkësia ime duhej të mësohej, ishte gjuha ime, sepse unë isha fillestar në gjermanisht.”

Atë Celso Mateo Sánchez-Rosario punon që prej 6 vjetësh në Gjermani

Atë Celso Mateo Sánchez-Rosario punon që prej 6 vjetësh në Gjermani.

Dërgimi i priftërinjve të huaj nuk kritikohet vetëm për shkak të problemeve gjuhësore dhe kulturore. Besimtarë të angazhuar në bashkësi thonë për shembull, se duke importuar klerikë të huaj, zbehet presioni i nevojshëm për reformat. Për aq kohë sa ka priftërinj të mjaftueshëm, nuk do të mendohet për çështje të tilla si gra klerike, apo priftërinj të martuar.

I çuditshëm për Atë Karikkassery ishte fakti, se ai nuk mund të shkojë thjesht, kur të dojë, te pjesëtarët e bashkësisë. "Në vendlindjen time nuk kam nevojë të lë orar, për të vizituar një familje. Unë mund të shkoj, t'i bie ziles dhe të hyj brenda. Për një vizitë në bashkësinë e tij në Renani ai duhet të njoftojë një javë më parë. "Kjo është për mua personalisht pak e vështirë", thotë ai, duke tundur kokën. Në Indi njerëzit shkonin vetiu tek ai.

Gjermania vend misionimi

Priftërinjtë si Sanchez-Rosario dhe Karikkassery nuk e kanë të lehtë të mësohen as me rënien e lidhjes me kishën dhe individualizimin e shoqërisë gjermane. Kohërat, kur besimi katolik përhapej nga Evropa në botë, janë për Atë Sánchez-Rosario kohë të kaluara. "Ungjillizimi i Amerikës erdhi nga Evropa. Tani po bëhet e kundërta. Evropa është bërë si të thuash një vend misionimi", thotë teologu 35-vjeçar. "Mirë nuk më duket, është një situatë emergjence", shton ai me keqardhje.

Frati i urdhërit karmelitan Karikkassery ka një mendim të ngjashëm. "Eshtë bërë një vend misionimi", thotë indiani mendueshëm. Megjithatë kushtet për një misionim në Gjermani janë më të vështira se sa në vendlindjen e tij. Në Indi një misionar mund të predikojë një besim të ri. "Por këtu është krejt ndryshe", thotë prifti dhe vështron nga dritarja. "Populli e njeh Zotin. Çfarë i mungon nuk është besimi, por se si e jeton besimin." Në Gjermani nuk bëhet më jetë intensive në një bashkësi besimtarësh.

Atë Karikkassery do të jetojë vitin e ardhshëm përsëri intensivisht në bashkësi. Ai është pjesë e një gjysmë duzine priftërinjsh indianë, të cilët transferohen në abacinë në Michaelsberg në qytetin e vogël të Siegburgut. Ata do të organizojnë atje mesha dhe do të kujdesen për besimtarët. Në vitin 2011 urdhëri benediktin e pati dorëzuar abacinë, të cilën e kishte përdorur për shekuj më rradhë.