1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Punësimi i rinisë sfidë për Kosovën

Pavarësisht reformave dhe mbështetjes edhe nga Gjermania në fushën e arsimit profesional në Kosovë, tregu vendas i punës ofron pak perspektivë për brezin e ri.

Kosova ka popullsinë më të re në Evropë me një moshë mesatare 27 vjeç. Por pikërisht rinia në shtetin më ri të të Evropës është e prekur në masë prej papunësisë. Gati gjysma e popullsisë është e papunë. Për t'i bërë ballë papunësisë qysh pas mbarimit të luftës Kosova iu nënshtrua një sërë transformimesh krahas atyre politike e ekonomike edhe në fushën e arsimit e shkencës. Programet studimore në Kosovë janë përshtatur me programet e sistemit të Bolonjës. Kjo reformë është shtrirë edhe në planprogramet e arsimit profesional. Në këtë drejtim nuk kanë munguar as ndihmat nga jashtë Kosovës. Gjermania është një ndër vendet perëndimore që kontribuon shumë në këtë drejtim. Që në vitet e para pas luftës, shteti gjerman filloi ta mbështesë Kosovën edhe në fushën e arsimit të lartë profesional. Nga vitit 1999 në Kosovë është aktive organizata gjermane e ndihmës për zhvillimin dhe bashkëpunimin, GIZ. Në shkurt të këtij viti u nënshkrua edhe marrëveshja për Mbështetjen e Arsimit dhe Aftësimit Profesional në Kosovë nga ministri për Arsim, Shkencë dhe Teknologji, Ramë Buja dhe senatori gjerman i shtetit për Shkolla, Arsim dhe Aftësim profesional, Ties Rabe në Hamburg. Kjo marrëveshje e shumëfishon rolin e Gjermanisë në këtë fushë, ku deri më sot volumi i financiar i mbështetjes arrin shumën prej rreth tetë milionë eurosh.

Në një intervistë ekskluzive për Deutsche Welle-n, zëvendës ministri i Shkencës, Arsimit e Teknologjisë në Kosovë, Nehat Mustafa thotë se projektet e para të GIZ (që në atë kohë quhej GTZ) kanë nisur prej vitit 2006. Projekti i parë kishte të bënte me reformat e arsimit dhe aftësimit profesional. Por, sipas z. Mustafa, GIZ nuk është e vetmja organizatë, që ndihmon Kosovën në këtë drejtim. Tashmë është aktive edhe organizata joqeveritare "DIAKONIA –Kosova" e po ashtu është nënshkruar edhe memorandumi me akademinë gjermane "Heimerer", që merret kryesisht me përgatitjen e infermierëve.

Vështirësi në tregun e punës

Por pavarësisht reformave të ndërmarra në sektorin e arsimit profesional në Kosovë mbetet ende shumë për t'u bërë. Arkitekti Arsim Gërxhaliu, i cili jep vet mësim në shkolla profesionale, ngre problemin e mungesës së lidhjes së teorisë me praktikën, çka është e domodoshme veçanërisht në arsimin profesional: "Duhet të rishikohen mirë planprogramet e shkollave profesionale në mënyrë që ato të shoqërohen me më shumë punë praktike, gjithashtu në shkollat profesionale duhet të ofrohen më shumë mjete konkretizimi në procesin e mësimdhënies." Të njëjtin shqetësim ngrenë edhe vetë studentët lidhur me punën praktike. Alban Gashi, student në degën e ekonomikut shprehet: "Zgjidhja më e mirë do të ishte, që nxënësve dhe studentëve t'u ofrohen praktika, në mënyrë që ata të mund të fitojnë përvojë pune."

Sidoqoftë vëstirësia kryesore mbetet qasja në tregun e punës për të gjithë ata që mbarojnë shkollat e mesme e të larta profesionale, sepse mundësitë e punësimit në Kosovë janë të kufizuara. Lekë Marleku, i cili ka përfunduar shkollën e mesme profesionale për ekonomi thotë: "Nëse dëshiron të kesh një punë më të mirë, atëherë patjetër duhet të kesh në xhep edhe një diplomë universitare." Por edhe ata që kanë mbaruar universitetin në Kosovë nuk e kanë të lehtë, sepse aktualisht papunësia ka arritur nivelin më të lartë me rreth 40%, prej nga është kryesisht e prekur rinia. Duke e gjetur veten të papunë të diplomuarit vazhdojnë studimet pas-universitare, duke mbrojtur doktoraturën gjithnjë me shpresën, se përmes kualifikimeve të tilla, një ditë do të mund të qasen në tregun e punës. Krahas vështirësive financiare dhe mungesës së ofertave konkrete në tregun e punës, studentët ngrenë edhe një tjetër shqetësim: Rexhep Limani, gjithashtu student i ekonomikut thotë se në Kosovë është problem gjetja e një vendi pune, sepse politika që ndiqet aktualisht po çon në disekujlibër mes mundësive që ka tregu vendas i punës dhe numrit jashtëzakonisht të lartë të studentëve , të cilëve u jepet e drejta e studimit. "Eshtë problematik numri i lartë studentëve në fakultetin tonë që në afat rekord përfundojnë fakultetin, por nuk gjejnë punë dhe të dëshpëruar mësyjnë vendet e Europës duke u detyruar të kthehen atje në punëtorë krahu. Janë të paktë ata, të cilëve u prin fati në Evropë, ose sepse gjejnë një punë të mirë, ose përmes ndonjë lidhjeje martese atje." Këtë e konfirmon edhe zëvëndësministri z. Mustafa, por sipas tij: "Në Kosovë janë rreth 30.000 të rinj, të cilët i qasen tregut të punës dhe prej këtyre janë afro18.000 deri në 20.000, që përfundojnë arsimin profesional. Potenciali i zhvillimit ekonomik të Kosovës nuk ka mundësi t'i absorbojë gjithë këta të rinj." Kushtet e vështira në tregun kosovar të punës nxisin dukurinë e ashtuquajtur "brain drain" në Kosovë.