1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Punë nën tensionin politik - Përgatitja e infrastrukturës së zgjedhjeve në Shqipëri nga KQZ

Gati dy javë kanë mbetur nga zhvillimi i zgjedhjeve lokale në Shqipëri, po bëhen përgatitjet e fundit për ngritjen e të gjithë infrastrukturës së duhur. Cilat janë detyrat e fundit për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve?

default

KQZ në Tiranë

Shtatë anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, institucioni kryesor që sipas ligjit elektoral shqiptar menaxhon gjithë ndërtimin infrastrukturor të votimeve, zhvillojnë mbledhje disa herë në ditë. Kur kanë mbetur edhe rreth dy javë nga dita e votimeve të 8 majit 2011, çështjet në shqyrtim janë të ngjeshura. Është faza përmbyllëse e ngritjes së infrastrukturës, partitë politike konkurente, komisionet në nivel zonal, dhe ato të qëndrave të votimit, monitoruesit, të gjitha ata që janë të interesuar për votimet sytë i kanë nga godina e KQZ, që ndodhet në një nga godinat simbol të Tiranës, pallatin e Kongreseve.

Albanien Tirana Central Election Commission

Takime të shpeshta në zyrën e KQZ-s

Të gjitha zyrat, korridoret, por dhe hapësira të godinës që në kohë normale janë të boshatisura, në këto ditë janë të mbushura me njerëz, dosje voluminoze, kompjuter dhe lap topë të instaluar rishtaz. Në organikën e KQZ-së janë jo më shumë se 55 punonjës me kohë të plotë, të ndarë në departamente dhe seksione. Por tani në prag të zgjedhjeve lokale stafi është rreth 6 fish më shumë, shtuar me punonjës sezonalë që përballojnë gjithë angazhimin e institucionit që përgjigjet me ligj për përgatitjen e gjithë infrastrukturës zgjedhore, për përpunimin e të dhënave, trajnimeve, asistencë për komisionet zonale dhe ato në qëndrat e votimit etj.

Klimë politike shumë e tensionuar në KQZ

Klement Zguri, është anëtari më me shumë vite pune në KQZ. Përveç 15 viteve në këtë post ai ka dhe një përvojë si vëzhgues e ekspert i zgjedhjeve dhe procesve referendare. Duke përshkruar atmosferën e përgatitjeve të këtyre votimeve lokale, Zguri që përfaqëson mazhorancën në Komision shprehet se nuk mban mend një klimë politike më të tensionuar se aktualisht. Kjo ka ndikuar dhe në ecurinë e punës pasi përfaqësuesit e opozitës e kanë bojkotuar pjesëmarrjen në Komision, thotë ai për DW. “Mosprania për tre muaj e komisionerëve të opozitës krijoi një problem jo të vogël në KQZ. Por edhe sjellja e emrave të komisionerëve të nivelit të dytë krijoi po shqetësim më vete. Në atë që unë shoh mjedisi është i acaruar, por të shpresojmë që për ditën që kanë mbetur do të qetësohen gjërat për ta vëmë procesin në shinat ligjore”.

Mrs Deshira Subashi, deputy chairman of the Central Election Commission speaking for DW. Author: Arben Muka /DW Correspondent in Albania Time: 20.04.2011 Place: The main builiding of Central Election Commission in Tirana / ALBANIA

Dëshira Subashi, nënkryetare e KQZ-së

Por Dëshira Subashi, përfaqësuese e opozitës dhe në postin e nënkryetares së KQZ mendon se largimi i tyre kishte të bënte me klimën jo të përshtatshme që krijonin përfaqësuesit e mazhorancës. Sipas Subashit mjaft vendime janë marrë me shumicë të thjeshtë votash, duke shkelur ligjin që parashikon shumicë të cilësuar. “Fakti që KQZ të ketë një vendimarrje me shumicë të cilësuar në gjykimin tim është shumë e rëdësishme, sepse reflekton dhe në pjesën e uljes së tensionit politik. Kjo pasqyron edhe pranueshmërinë e zgjedhjeve, të standarteve dhe çështjeve teknike”.

Sipas Subashit ka një sërë sfidash deri në ditën e votimit, si publikimi i listave të votuesve ku është kaluar afati sipas ligjit, përzgjedhja rigoroze e ambienteve private që do të përdoren si vendvotime më 8 maj, përgatitja e të gjitha fletëve të votimit në shkallë republike etj. Ajo shpreson tek monitorimi që po i bëjnë nga afër vëzhguesit e huaj KQZ-së. “Ata duhet të gjykojnë sipas standarteve që kanë në vendet e tyre dhe nuk duhet të tolerojnë”, thotë Subashi.

Mr. Klement Zguri, member of the Central Election Commission speaking for DW. Author: Arben Muka /DW Correspondent in Albania Time: 20.04.2011 Place: The main builiding of Central Election Commission in Tirana / ALBANIA

Klement Zguri, anëtar i KQZ-s

KQZ: Infrastruktura e zgjedhjeve në qendër të vëmendjes

Drejtoria e teknologjisë dhe informacionit dhe drejtoria e komisioneve zgjedhore janë dy sektorët kyç në këtë fazë të procesit. Arti Lushi, zëdhënës i KQZ tregon për DW, se përqëndrimi më i madh aktualisht është përgatitja e fletëve të votimit për 12 qarqet e vendit. “Pasi kanë sjellë autoritetet vendore të dhënat, janë përpunuar dhe ka kaluar përmbajtja e fletës së votimit për 10 qarqe. Do të kalojnë dhe qarqet e Kukësit dhe Lezhës që janë të fundit”. Për këto zgjedhje pritet që të prodhohen rreth 7.5 milion fletë votimi për të gjithë territorin e Shqipërisë. Gjithashtu Lushi shprehet se tashmë ka përfunduar deri më tani trajnimi i komisionerëve të nivelit të dytë, që janë anëtarët e komisioneve zonale. Faza tjetër është trajnimi i anëtarëve të komisioneve të nivelit të tretë ose qëndrave të votimit. “Është miratuar dhe pjesa e dytë e manualit të trajnimit, me kodin e etikës, sjelljet në përgjithësi të komisionerëve”, thotë Arti Lushi, zëdhënës i KQZ-së për DW-në.

Mr. Arti Lushi, the spokesman of Central Election Commission speaking for DW. Author: Arben Muka /DW Correspondent in Albania Time: 20.04.2011 Place: The main builiding of Central Election Commission in Tirana / ALBANIA

Zëdhënësi i KQZ-s, Arti Lushi

Deri më tani janë të akredituar rreth 1700 vëzhgues të huaj dhe vendorë, afatshkurtër, që nënkupton vetëm në ditën e zgjedhjeve dhe numërimin e votave, dhe ata që janë afatgjatë, të cilët kanë në fokus edhe ecurinë e fushatës elektorale dhe përgatitjen e infrastrukturës. Por deri në dy ditë para zhvillimit të procesit pritet që të ketë dhe akreditime të tjera. Rreth 400 prej vëzhguesve do të jenë të huaj nën logon e OSBE/ODIHR, që është dhe ekipi më i madh monitorues ndërkombëtar për votimet lokale të 8 majit. 48 orë pasi të mbyllen kutitë e votimit ekipi i OSBE/ODIHR pritet të japë një raport paraprak zyrtar në vlerësimin e zgjedhjeve, si dhe përmbledhjen e parregullsive e mangësive dhe si dhe rekomandimeve për përmirësim. “Ajo që po bëjmë ne tani është plotësimi maksimalist i detyrimeve ligjore, në mënyrë që KQZ të jetë në rradhën e institucioneve me vlerësim shumë pozitiv nga raporti final i faktorit ndërkombëtar, siç dhe ndodhi në zgjedhjet e kaluara”, thotë për DW, Klement Zguri.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Lindita Arapi