1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Publikohet akti zyrtar i vdekjes së Kosta Trebickës

Publikohet akti i ekspertizës për vdekjen e dëshmitarit kryesor në hetimet për Gërdecin. Opozita ndërpret marrdhëniet institucionale dhe parlamentare me kryeministrin Berisha.

Tirana

Tirana

Akti i ekspertizës zyrtare për vdekjen e Kosta Trebickës është publikuar sot në shtypin e pavarur të Tiranës. Ky akt arrin në konkluzionin se dëshmitari kryesor në hetimet për Gërdecin, njeriu që denoncoi i pari tregtinë ilegale të armëve që Shqipëria bëri me Afganistanin në periudhën 2005- 2007, është pasojë e një aksidenti automobilistik.

Konkluzioni paraprihet me hollësi të tilla si një plagë vdekjeprurëse e marrë gjatë përmbysjes së automjetit në veshin e majtë dhe një tjetër në kraharor. Mungesën e gjurmëve të gjakut eksperiza e shpjegon me tubat e nikeluara të automjetit ku nuk mbetet asnjë lloj gjurme.

Opozita dyshon se Kosta Trebicka u vra

Por këto hollësi nuk kanë hequr aspak dyshimin e opozitës se Kosta Trebicka u vra për të mos dëshmuar në Gjykatë për gjithë sa dëshmoi 6 muaj më parë në Prokurori, menjëherë pas 15 marsit tragjik të Gërdecit. Dhe për sa kohë një dëshmitar nuk paraqitet në Gjykatë dëshmia e tij jashtë dyerve të saj mund të mos meret parasysh.

Një eksponent i veçuar i maxhorancës, deputeti demokrat Spartak Ngjela hodhi në sallën e Parlamentit edhe dyshimin se eliminimi i Trebickës mund të ketë edhe arsye të tjera. Ai tha se "vrasja mund të jetë kryer për të bërë të heshtin dëshmitarët dhe të pandehurit e tjerë të Gërdecit, në rradhe të parë ish Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu." Javën e kaluar Prokuroria e Përgjithshme filloi seancat e marrjes në pyetje të ish Ministrit të Mbrojtjes Mediu.

Dyshimet e opozitës mbështeten edhe nga ekspertë që janë jashtë strukturave aktuale të policisë së shtetit. Albert Dervishi, një oficer policie i karrierës, ish Drejtor i Përgjithshem Rendit dhe i Policisë në qarkun e Tiranës e quajti "eliminim" vdekjen e Trebickës.

Akti zyrtar i ekspertizës nuk është firmosur nga të gjithë ekspertët

Dyshimet për vrasje forcohen edhe nga një tregues tjetër: jo të gjithë ekspertët e kanë firmosur aktin zyrtar të ekspertizës. Burime konfidenciale thanë sot për DW se atë nuk e kanë firmosur disa ekspertë lokalë të rrethit të Korçës, në rrethinat e të cilit u gjet i vdekur i ndjeri Trebicka. Pika më e fortë e kundërshtimit të tyre ështe përjashtimi nga ekspertiza i automjetit të Trebickës. A është vërtetuar që në automjetin e tij nuk kishtë patur ndërhyrje të qëllimshme në sistemin e drejtimit? Kjo është pyetja që ngrenë ekspertët lokalë.

Për t´i dhënë asaj përgjigje priten ekspertë e FBI

Publikimi i konkluzioneve te tyre mbi shkakun e vdekjes së Kosta Trebickës ndofta do t´i heqë misterin ngjarjes së rëndë të para pesë ditëve dhe do të qetësojë situatën në Shqipëri.

Por deri atëhere aksioni politik i opozitës do të vazhdojë të prodhojë nisma të reja. Më e freskëta e tyre është ajo e daljes së opozitës me një qëndrim të unifikuar për ngjarjen në fjalë. Nëse opozita në Shqipëri nuk ka arritur të bashkohet deri më tani për të dalë në një koalicion të vetëm në zgjedhjet parlamentare 2009, vdekja e Kosta Trebickës dhe dyshimi i opozitës se ai u vra dhe nuk vdiq nga aksidenti po i lidh dhe bashkon pjesët e saj.

Ilir Meta, kundërshtari më i egër i Edi Ramës dhe i idesë se bashkëpunimit me të, pranon të dalë me një qëndrim të unifikuar me PS dhe partitë e tjera opozitare për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Berisha. Opozita e quan atë përgjegjësin kryesor të dy ngjarjeve: Gërdecit dhe vdekjes së Trebickës dhe të asaj që opozita e quan" mungesë te sigurisë dhe të drejtësisë."

Qëndrimi i unifikuar është konkretizuar me vendimin për të ndërprerë , duke filluar nga dita e sotme, çdo marrdhënie institucionale dhe parlamentare me kryeministrin Berisha, për ta detyruar të japë dorëheqje.

  • Data 17.09.2008
  • Autor Ani Ruci / Tiranë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/FJkZ
  • Data 17.09.2008
  • Autor Ani Ruci / Tiranë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/FJkZ