1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Pse u anuluan zgjedhjet serbe në Kosovë?

Ministri për Kosovën Goran Bogdanoviq tha se Serbia nuk do të organizojë zgjedhjet lokale në Kosovë. Si e shohin këtë vendim të Beogradit zyrtar serbët dhe shqiptarët në Kosovë?

Pamje nga veriu i Mitrovicës

Pamje nga veriu i Mitrovicës

Krstimir Pantiç, kryetar i komunës së Mitrovicës, e cila financohet nga Beogradi, thotë në lidhje me deklaratën e Goran Bogdanoviqit, ministrit për Kosovën në qeverinë e Serbisë për mosmbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë, se ajo ka qenë e pritur. Sipas tij kjo është paraprirë edhe nga deklarata e shefit të UNMIK-ut Zarif Farid. "Kjo tregon definitivisht, se për fat të mirë qeveria në largim (e Serbisë), nuk ka dashur të mbajë zgjedhje në Kosovë dhe se Kosovën ngadalë po ua lë shqiptarëve. Është fat për serbët në Kosovë se kjo qeveri nuk do të zgjasë gjatë dhe se me qeverinë e re, politika, apo qëndrimi ndaj Kosovës dhe për të gjithë serbët, pavarësisht nëse ata jetojnë në veri ose në jug të lumit Ibër, do të jetë krejtësisht ndryshe", thotë Pantiç.

Do të organizojnë serbët në veri të vetëm zgjedhjet?

Ai mendon se mosmbajtja e zgjedhjeve lokale në Kosovë ishte edhe një sinjal për njohje të mëtejshme të pavarësisë, por edhe do të shkaktonte, siç thotë ai, "një emigrim të heshtur të serbëve fillimisht nga Kosova qendrore dhe pastaj nga veriu i Kosovës". "Por ajo, që është më e rëndësishme të them, është se serbët në veri janë më kompakt dhe më të bashkuar se serbët në jug të Ibrit dhe në dy komuna në veri, të cilave u ka kaluar mandati, zgjedhjet lokale do të mbahen me siguri dhe ne presim që qeveria e ardhshme të njohë rezultatet e këtyre zgjedhjeve. Ne do të donim që edhe në ato komuna serbe, ku ekzistojnë kushtet, të mbahen zgjedhjet, sepse është obligim i organizatave ndërkombëtare të pranishme në Kosovë, para së gjithash mendoj e KFOR-it, që të garantojë paqen dhe sigurinë për të gjithë qytetarët edhe në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale", tha Pantiç.

Në foto, Hajredin Kuçi

Në foto, Hajredin Kuçi

Dhe për Hajredin Kuçin, zëvendëskryeministrin e Kosovës, vendimi i Serbisë, që të heqë dorë nga organizimi i zgjedhjeve lokale në Kosovë, ka qenë i pritur. "Ne kemi pritur që Serbia do të tërhiqet nga organizimi i zgjedhjeve, duke ditur se si është realiteti në Kosovë. Nga ana tjetër kemi pasur kontakte të vazhdueshme me komunitetin ndërkombëtar, i cili na ka premtuar se nuk mund të ketë zgjedhje", i tha Kuçi mediave në Prishtinë.

Tërheqja rezultat i presionit të bashkësisë ndërkombëtare

Driton Lajçi, profesor në fakultetin e Shkencave Politike në Prishtinë dhe në kolegjin "Maryland" në kampin ushtarak amerikan Bondsteel afër Ferizajt, në një deklaratë për DW tregon se partitë politike serbe dhe institucionet deri në fund janë përgatitur që të organizonin zgjedhje në Kosovë. Heqja dorë nga zgjedhjet lokale në Kosovë sipas tij, është rezultat i presionit të madh nga komuniteti ndërkombëtar, SHBA, BE, dhe për këtë arsye edhe nga UNMIK-u.

Në foto, Driton Lajqi

Në foto, Driton Lajqi

"Ky para së gjithash ka qenë konsens ndërkombëtar, që të mos mbahen zgjedhje në Kosovë. Në një farë mase kjo justifikohet me atë se nuk është në interes të Kosovës, në një farë mase thuhet se është në kundërshtim me sovranitetin e Kosovës, me rezolutën 1244. Secili e interpreton atë nga këndvështrimi i vet," thotë Lajçi.

Tërheqjen nga zgjedhjet në Kosovë nga ana e Beogradit Lajçi nuk e konsideron si ndonjë fitore të madhe të institucioneve të Prishtinës, të cilat kanë këmbëngulur për këtë: "Unë nuk mendoj se kjo është një fitore e madhe. Është fitore formale, por jo edhe fitore taktike. Serbia në veri të Kosovës ka ndikim të madh. Institucionet ilegale në veri janë ende të pranishme, ku operojnë partinë e tyre politike. Kjo është më shumë një fitore më shumë formale, sepse Kosova do të vazhdojë të ketë probleme, që i ka patur deri tani. Institucionet serbe do të vazhdojnë të operojnë këtu në mënyrë të paligjshme, si më parë."

Autor: Refki Alija / Angjelina Verbica

Redaktoi: Esat Ahmeti