1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Pse SHBA sulmon në Irak, por jo në Siri

Gjatë më shumë se pesë vjetëve në Shtëpinë e Bardhë Obama ka treguar përgjithësisht një skepticizëm të thellë në lidhje me vlerën e operacioneve ushtarake.

Që nga fillimi i detyrës komponent thelbësor i politikës së jashtme të Obamës ishte t'u jepte fund luftërave që kishte nisur paraardhësi i tij Bush në Afganistan dhe Irak. Kështu i kishte premtuar ai popullit amerikan gjatë fushatës. Dhe kur ushtarët e fundit të SHBA-së të jenë larguar nga Afganistani në fund të vitit 2016, Obama do ta ketë përmbushur në fund të mandatit të tij të dytë premtimin e tij.

Por Obama nuk donte vetëm që t'u jepte fund luftrave të Bushit. Gjatë më shumë se pesë vjetëve në Shtëpinë e Bardhë ai ka treguar përgjithësisht një skepticizëm të thellë në lidhje me vlerën e operacioneve ushtarake amerikane në konfliktet globale. Qëndrimi i tij i kujdesshëm - që kritikuesit e tij e quajnë hezitim - përmblidhet mirë në moton: "Mos bëjmë budallallëqe". Pavarësisht nëse gjykimi në lidhje me politikën e jashtme të Obamës është i drejtë apo i padrejtë, kjo politikë është mbi të gjitha reflektim i qëndrimit të Obamës për të atë që ai e sheh si një ndërhyrje të nxituar ushtarake të Shteteve të Bashkuara.

Pra, përse Obama veproi tani në Irak, por jo më parë në Siri? Në Siri lufta civile mes opozitës dhe presidentit Bashar al-Asad ka më shumë kohë që po zhvillohet dhe po shkakton më tepër viktima dhe edhe organizata ekstremiste IS po sillet në mënyrë po aq brutale sa dhe në Irak dhe ka ngritur edhe në veri të Sirisë një bazë pushteti.

Baza ligjore

Një arsye është se sigurisht që nuk është në interesin e Amerikës që duke luftuar IS-in të forcojë regjimin armiqësor të Asadit. Një kusht i rëndësishëm ligjor për ndërhyrjen amerikane, sidomos për administratën Obama me orientimin e saj multilateral, është fakti se qeveria irakiane ka kërkuar zyrtarisht nga Uashingtoni që të ndërhyjë.

Michael Stephens nga think-tanku britanik RUSI me seli në Katar thotë në bisedë me Deutsche Wellen se pa kërkesën e qeverisë irakiane Uashingtonit do t'i nevojitej një rezolutë e OKB-se për të mos rënë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Sa u përket arsyeve politike të intervenimit të SHBA-së, James Jeffrey, që ishte deri në vitin 2012 ambasadori amerikan në Irak dhe ish-këshilltar për sigurinë i presidentit George W. Bush, i referohet fjalimit Irak të Obamës të qershorit të këtij viti, në të cilën ai shpjegoi strategjinë e tij prej tri pikash: luftë kundër terrorizmit, mbrojtja e qytetarëve amerikanë dhe operacionet e shpëtimit në lidhje me mbështetjen kundër kryengritësve.

Faktori kurd dhe mbrojtja e jezidëve

Kur luftëtarët e IS-it sulmuan Erbilin, kryeqytetin rajonal të kurdëve, ata rrezikuan interesat e drejtpërdrejta amerikane, thotë James Jeffrey. "Në Erbil ka shumë civilë amerikanë që punojnë në industrinë e naftës dhe në sektorë të tjerë ," thotë Michael Stephens.

Në përgjithësi në Erbil ka shumë perëndimorë dhe IS-i e kërcënonte në thelb këtë grup, shton Stephens. "Këtë situatë nuk e kemi të tillë kaq shumë në Siri. Prandaj unë mendoj se ka një ndryshim cilësor." - thotë Michael Stephens.

Kur luftëtarët e IS-it sulmuan edhe pakicën fetare të jezidëve atëhere fleta u kthye përfundimisht në drejtim të ndërhyrjes së SHBA-së. SHBA paralajmëroi për gjenocid dhe fillimisht u ofroi atyre ndihmë humanitare nga ajri dhe më pas nisi bombardimi i luftëtarëve të IS-it nga ajri,

Mbështetje dhe skepticizëm

Në parim si Jeffrey dhe Stephens e mbështesin politikën e Obamës për Irakun, por të dy kanë dyshime serioze për pasojat që mund të ketë kjo politikë. Stephens ka frikë se për shkak të dobësisë së forcave të armatosura të Irakut angazhimi i amerikanëve mund jo vetëm që të shtyhet por edhe të zgjerohet në një mision shumë më të gjerë ushtarak.

Jeffrey bën nga ana tjetër është më i shqetësuar në lidhje me atë nëse vetë Obama do të ketë tani vullnetin politik për ta përdorur në mënyrë masive të mjaftueshme aviacionin për ta dobësuar IS-in vërtetë në mënyrë vendimtare.