1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Pse preferojnë Belgjikën si strehim atentatorët

Cilat janë parashikimet për fundin e rrezikut terrorist? Dhe çfarë duhet të dimë për të mos u frikësuar kudo në botë nga terroristët, sipas autoriteteve gjermane? Informacion nga Auron Dodi për partneren e DW, News24

Shiko videon 06:26

Pse preferojnë Belgjikën atentatorët


Në Gjermani, që të martën e kaluar janë shtuar masat e sigurisë. Por nuk ka ndryshuar kategorizimi i rrezikimit të Gjermanisë, pasi nuk ka paralajmërime konkrete për sulme terroriste. Por: Evropa, Bashkimi Evropian ka kufij të hapur dhe kjo bën që nga sulmi i Brukselit të ndihen të prekur të gjithë. Gjermania ka vënë kontrolle të ashpra në kufi, për të gjithë udhëtarët. Policia patrullon me automatikë të ekspozuar dukshëm, për të ndikuar në qetësimin e njerëzve. Ka prani të dukshme të policisë, në sheshe publike dhe në institucione, që mund të goditen nga terroristët. Aeroportet dhe stacionet e trenave janë nën mbikqyrje të veçanta. Të imta janë kontrollet sidomos tani, në ditët e Pashkëve. Nga skena radikale, 450 vetë, të cilësuar që më parë të gatshëm për akte terroriste, po vëzhgohen nga afër nga policia.

Atentatet e Brukselit - hakmarrje e Shtetit Islamik

Që atentatet e Brukselit ndodhën kaq shpejt, pas arrestimit të Abdeslamit, flet për faktin se ai ishte pjesë e një strukture. E cila mund të ketë kaluar në panik, pas arrestimit të 26 vjeçarit dhe bashkëpunimit të tij me policinë. Njëkohësisht, shumica e ekspertëve mendojnë se atentate si të aeroportit të Brukselit dhe të metrosë kanë nevojë për përgatitje të gjatë, javore dhe ndoshta mujore. Pra atentatet kanë qenë të përgatitura, momenti mund të jetë përshpejtuar. Vetë i arrestuari Abdeslam, në kohën kur ai ende bashkëpunonte me policinë, i tha policisë belge, se donte të imitonte në Belgjikë atentatet e Parisit.

Që prej atentateve të Brukselit janë bërë shumë arrestime. Por ekspertët gjermanë thonë se megjithë arrestimet nuk ka vend për qetësim. Rreziku i terrorit është i lartë, në të gjithë Evropën. Veçanërisht i lartë është ai në Belgjikë dhe në Francë. Ditët e fundit policia franceze tha se shkatërroi në Francë „një komplot që ishte në fazë të avancuar“. Dhe bëri një arrestim.

Belgjika - strehim i preferuar për atentatorët

Një gazetë e njohur amerikane e quajti këto ditë Belgjikën "shtet i dështuar". Karakterizimi mbështetet jo vetëm në difektet e vazhdueshme të autoriteteteve belge në fushën e sigurisë, në luftë kundër terrorit, sidomos kohët e fundit. Ky shqetësim mbështetet edhe në një vështrim afatgjatë, në disa fakte.

Për frymë, Belgjika ka një skenat islamiste më aktive të Evropës. 11 milionë banorë ka Belgjika, 500 xhihadistë ka çuar në Siri. Për krahasim: Gjermania ka 81 milionë banorë. Po ka çuar 800 xhihadistë në Siri. Së dyti, islamistët e radikalizuar, që kthehen nga lufta, në Belgjikë bëjnë një jetë më të patrazuar se kudo. Pas atentateve, gjurmët e dorasve kanë çuar shpesh në Belgjikë. Katër muaj jetoi i qetë në Belgjikë - duke shkuar edhe te berberi si dhe për të blerë rroba - atentatori Abdeslam, që u arrestua së fundi. Së treti, Belgjika vuan nga copëzimi politik. Dhe nga kundërshtitë mes flamandëve dhe valonëve. Vetëm në qarkun e Brukselit, ka 19 kryetarë autonomë bashkie. Dhe gjashtë qarqe policie. Njësitë e policisë nuk bashkëpunojnë mirë, sidomos kur janë nga grupe të ndryshme popullore. Përpjekjet për t'i organizuar në mënyrë më kompakte organet e policisë në Belgjikë, pas atentateve të Parisit, u kundërshtuan p.sh. nga valonët si "fantazi flamande".

A e sulmon Shteti Islamik Evropën e krishterë për arsye fetare?

Hakmarrja për shtypjen, që kolonizatorët evropianë u kanë bërë kryesisht vendeve myslimane në të kaluarën historike, ushqen edhe sot urrejtjen. Dhe botëkuptimet radikale. Motivet e sulmeve, më tej, nuk janë vetëm fetare. Në radhë të parë janë për pushtet, dhe territore. Për zgjerimin e papenguar të Kalifatit në botë.

Sulmet e Shtetit Islamik, në Evropë, janë shtuar pikërisht tani, prej humbjeve që ka pësuar Shteti Islamik, sidomos nga bombardimet, kryesisht të aleancës perëndimore. Shteti Islamik ka humbur 40 përqind të territorit që kishte në Irak. Dhe 20 përqind të territorit në Siri - krahasuar me vitin 2014, kohën e tij më të mirë.

Evropën kryesisht të krishterë, Shteti Islamik e godet me djallëzi. Që të provokojë armiqësi, të shumicës, së krishterë, ndaj të gjithë myslimanëve që jetojnë në Evropë, edhe ndaj myslimanëve tashmë të integruar. Sa më shumë myslimanë të radikalizohen si pasojë, nga një diskriminim i ri ndaj tyre, aq më shumë luftëtarë xhihadistë do të ketë.

Fundi i rrezikimit terrorist për qytetarët

Me këtë rrezik do të na duhet të merremi shumë vite. Disa ekspertë të sigurisë thonë, ndoshta, se do të merremi edhe për një brez të tërë. Janë rreth 30.000 luftëtarë islamikë në Siri dhe Irak, të radikalizuar vitet e fundit. Ndoshta, siç janë mësuar izraelitët me rrezikun e terrorit të vazhdueshëm, kështu duhet të mësohemi edhe ne. Frika është natyrisht njerëzore. Por psikologët këshillojnë që frikën nga terrorizmi, ta vëmë në proporcion me rreziqet e tjera të jetës së përditshme.

Më shumë gjasa ka të të shtypë makina, të pësosh aksident, apo të sëmuresh, se sa të goditesh nga terroristët. Por nga këto gjasa, ne nuk rrimë pa hipur në makinë. Në Gjermani nga zemra vdesin çdo vit 340 mijë vetë. 11 mijë vetë humbasin jetën nga rrëzimet. 3500 vetë nga aksidentet. Nga terroristët, në të gjithë Evropën Perëndimore vriten maksimalisht 200 vetë në vit, që prej viteve 80, përfshirë edhe vitin e kaluar. Sulmet terroriste janë diçka shumë e tmerrshme, pa dyshim. Dhe rreziku mbetet i pranishëm për këdo. Por shëndetin mendor e ruajmë më mirë po t'i vëmë në raport, gjërat.

Audio dhe video për temën