1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Pse Papandreou kërkon referendum?

Kryeministri grek Giorgos Papandreou kërkon referendum për aprovimin e vendimeve të fundit të BE-së për ndihmën e Greqisë. Është kjo vetëm manovër taktike apo lojë e rrezikshme?

Papandreou me Berlusconin.

Papandreou në Bruksel

Madje edhe disa prej ministrave në kabinetin e tij ishin shumë të befasuar me kërkesën e Papandreout që grekët me referendum të vendosin nëse duhet pranuar apo jo vendimet e fundit të Bashkimit Evropian, që Greqisë t'i shlyhet një pjesë e borxheve, me kusht që të vazhdojë kursin e kursimeve strikte. Kryeministri grek vendosi që edhe një herë para parlamentit të hapë çështjen e votëbesimit. Parlamenti për këtë çështje do të votojë më së largu me  05 nëntor.

Pyetja ende e paqartë

Angela Merkel dhe Papandreou.

Merkel e befasuar me vendimin e Papandreout

Ende nuk dihet se si do të formulohet pyetja në të cilën grekët duhet të përgjigjen në referendumin që sipas të gjitha gjasave do të mbahet në janar të vitit të ardhshëm. Por Papanderou tha se përgjigja e popullit në referendum duhet të jetë e obligueshme për secilën qeveri.

Vendimi i kryeministrit megjithatë nuk ishte krej i papritur, sepse Papandreou edhe më parë ka qenë i njohur si person i cili kërkon respektimin e procedurave demokratike. Si udhëheqës opozitar, para zgjedhjeve për Parlamentin Evropian në vitin 2009, ai kërkonte që grekët të deklarohen në referendum edhe për Marrëveshjen e Lisbonës, që nuk u prit mirë në Bruksel. Ndërkohë që edhe zgjedhjet rajonale dhe komunale të vitit 2010 ai i pati shpallur si një lloj referendumi për politikën e tij të kursimeve.

„Ajo që një herë ka pasur sukses, mund të ketë sukses edhe një herë tjetër", mendon kryeministri i cili sërish do t'i ikë përgjegjësisë dhe presionit të opozitës për shkak të gjendjes më të re në të cilën është gjetur vendi. Por ai do të evitojë edhe presionet brenda vet partisë së tij socialiste. Papandreout në parlament i duhet çdo votë, sepse ai atje ka një shumicë me vetëm tre vota në krahasim me opozitën. Ndëkrohë që katër deputetë të partisë së tij kanë kërkur "një qeveri të unitetit kombëtar", pa Papandreoun si kryeministër.

Loja e rrezikshme

Protesta në Greqi.

Djegia e flamurit evropian në Greqi.

Referendumi do të fuqizojë pozicionet e Papandreout ose do të shënojë tërheqjen e tij nga politika. Sidoqoftë, është kjo një manovër politike me rreziqe shumë të larta, në veçanti kur dihet që referendumet në Greqi nuk kanë ndonjë traditë. Së fundi në Greqi një referendum është mbajtur në vitin 1974,  kur populli u deklarua për heqjen e monarkisë pas diktaturës ushtarake.

Paralajmërimi i referendumit në Greqi lidhet edhe me sondazhet e javës së fundit, kur 60 % e grekëve u deklaruan kundër vendimeve të Bashkimit Evropian. Mirëpo, në të njëjtat sondazhe, rreth 75% e grekëve ishin të mendimit se Greqia duhet të mbetet pjesë e eurozonës.

Në Greqi tani po flitet edhe për mundësinë që pikërisht ky të jetë edhe qëllimi i Papandreout: që zgjedhësve grekë t'ua bëjë të ditur se këtu nuk bëhet fjalë vetëm për privatizimin e sektorit të energjisë. Qëllimi është që Greqia edhe më tej të jetë pjesë e bërthamës së Evropës.

Jannis Papadimitriou / Bahri Cani

Redaktoi: Esat Ahmeti

DW.COM