1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

"Pse nuk u pengua masakra?" - Pyetje e mbetur 15 vjet pa përgjigje

Masakra kundër burrave myslimanë në Srebrenicë në vitin 1995 është genocidi më i rëndë i ndodhur në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Zbardhja historike dhe juridike nuk ka përfunduar ende.

Më 11 korrik 2010 do të varrosen në Potoçar edhe 731 kufoma të identifikuara.

Më 11 korrik 2010 do të varrosen në Potoçar edhe 731 kufoma të identifikuara.

Në 11 korrik përkujtohet për të 15-in vit masakra e Srebrenicës. Në vitin 1995 në qytetin, zonë e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara marshuan trupat serbe, selektuan burra dhe të rinj myslimanë në moshën 18 deri në 80 vjeç dhe më pas i vranë. Ushtarët e OKB-së, në mbrojtjen e të cilëve civilët e paarmatosur shpresonin, e panë këtë skenë pa intervenuar. Si trajtohet sot zbardhja e rolit të Evropës dhe Kombeve të Bashkuara?

Çfarë faji mbajnë Kombet e Bashkuara?

Vitet e fundit nga 275 varret masive në luginën e Drinit, lumi që ndan kufirin serbo-boshnjak u rivarrosën kufomat e 8.372 viktimave të masakrës së Srebrenicës, vetëm 6.557 syresh u identifikuan. Kjo nuk është shifra e fundit e civilëve të vrarë boshnjakë, shumë konsiderohen ende të humbur.

Lista e të vrarëve në Srebrenica

Lista e të vrarëve në Srebrenica

Manfred Eisele, Gjeneralmajor i këmbësorisë së Bundesverit, që përgatiti misionet e paqes të OKB-së nga viti 1994-1998, thotë se është e vështirë ta zbardhësh tërësisht këtë tragjedi. Rolin e shteteve evropiane në konfliktin jugosllav dhe në Luftën e Bosnjës ai e sheh të bazuar në determinizmin historik: "Konfliket në Ballkan së paku që nga fillimi i shekullit të 20-të kanë luajtur një rol të rëndësishëm në kryeqytetet evropiane. Ngjarja në këto kryeqytete në vitin 1995 në pjesën më të madhe u analizua mbi bazën e pozicioneve që këto vende i kishin marrë që në vitin 1914."

Gjenerali Eisele shpreh dyshime për aktorët përgjegjës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që të kenë pasur forcën dhe qëllimin t'i mbronin të 40.000 civilët myslimanë në zonën e Srebrenicës. Këtë e mbështesin edhe hulumtimet e fundit të gazetarit holandez, Huub Jaspers. Nga to del që superfuqitë në KS kishin informata për planet serbe që para masakrës.

Gazetari Huub Jaspers: "KS në thelb është përgjegjësi kryesor për atë që ka ndodhur në Srebrenicë. Qeveritë e shteteve anëtare kanë marrë informata nga shërbimet e tyre sekrete për atë që po përgatitej. Por ato nuk i shfrytëzuan këto informacione. Nuk e penguan zhvillimin e kësaj tragjedie. Kjo është një nga pyetjet e mëdha që ende qëndron e shtruar mbi tavolinë: Përse?"

Shtylla e turpit, një ide e artistit Philipp Ruch, për të ngritur një qendër në kujtim të viktimave të Srebrenicës.

"Shtylla e turpit", një ide e artistit Philipp Ruch, për të ngritur një qendër në kujtim të viktimave të Srebrenicës.

Holanda kundërshtoi, OKB nuk sulmoi, masakra ndodhi

Për gjenocidin në Srebrenicë bëhet sot përgjegjëse edhe qeveria holandeze. Kur përgjegjësit atëherë propozuan goditjen e forcave serbe nga ajri, Holanda kundërshtoi dhe ia doli mbanë. OKB nuk sulmoi, masakra ndodhi. Holanda kishte frikë për fatin e 450 ushtarëve të saj të stacionuar atje për mbrojtjen e enklavës.

Axel Hagedorn, avokat i rreth 8.000 i të afërmve të viktimave, përpiqet të arrijë në Gjykatën Evropiane dhe Gjykatën e Lartë në Holandë heqjen e imunitetit të OKB-së. "OKB ka përgjegjësi të qartë, pasi ajo duhej të vendoste kundër vullnetit të holandezëve: "Ne duhet të ndalojmë këtu gjenocidin masiv". Po qe se OKB del para drejtësisë, atëherë Holanda nuk mund t'ia pasojë fajin OKB-së dhe OKB-ja Holandës. Premtimi i pambajtur është trauma më e madhe sa kohë që as OKB as Holanda nuk kërkojnë ndjesë."

Ndërkohë Srebrenica është gati "e pastruar etnikisht", aty jetojnë 3-5 përqind myslimanë, shumica gra në kërkim të të afërmve. Kërkimi për viktimat vazhdon me hapa të ngadaltë. Në 11 korrik 2010 do të varrosen në Potoçar një grup tjetër viktimash, edhe 731 kufoma të identifikuara.

Autor: Selma Filipoviç/ Lindita Arapi

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 09.07.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/OEly
  • Data 09.07.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/OEly