1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Pse ndodh kështu? Ndërhyrja e ndërkombëtarëve për zgjidhjen e krizave politike në Shqipëri

Në Tiranë mbërrin të mërkurën (26.05) ekipi i i ekspertëve për të mbështetur forcat politike për të zgjidhur krizën politike. Ndërhyrja e ndërkombëtarëve ndjek një klishe të krijuar në Shqipëri në 20 vjet pluralizëm.

default

Dakordimi i munguar i politikës shqiptare. Pamje simbolike

Ndërhyrja e radhës nga ana e BE-së duket se ndjek një lloj trashëgimie të krijuar në këto 20 vite të sistemit demokratik në Shqipëri.

Historia e ndërhyrjes së ndërkombëtarëve

Nëse hedhim një vështrim në harkun kohor të dy dekadave të shkuara në rastet më domethënëse të zgjidhjes së situatave të rënda do të përmendej padyshim ai i verës 1990, kur Sekretari i i Përgjithshëm, i atëhershëm i Kombeve të Bashkuara, Perez de Kuelar, ndërhyri pranë ish-presidentit të fundit komunist Ramiz Alia, zgjidhi krizën e 2 korrikut të ambasadave dhe detyroi regjimin të shpallte pluralizmin politik.

Në vitin 1997, ish-kancelari austriak, Franc Vranicki, i autorizuar nga BE dhe SHBA, ndërhyri tek politikanët e Tiranës dhe zgjidhi krizën e jashtëzakonshme politike, që pasoi shembjen e firmave piramidale dhe për pak sa nuk çoi vendin në prag të luftës civile. Në vitin 2001 kemi rastin e bojkotit të parlamentit të dalë nga zgjedhjet parlamentare, nga ana e PD-së, atëhere në opozitë.

Aktualisht BE ndërhyri për të ndërprerë grevën 20 ditore të opozitës, uli palët në tavolinën e bisedimeve në Strassburg, dhe pas dështimit të saj formuloi ultimatumin dyjavor të arritjes së kompromist qeveri- opozitë, me ndihmën e ekipit të ekspertëve të Brukselit, që mbërritën të mërkurën (26.05) në Tiranë.

Dështim i elitave politike kombëtare

Michael Weichert, drejtor në Tiranë i Fondacionit gjerman “ Friedrich Ebert” e gjen arsyen e kësaj trashëgimie të ndërhyrjes së faktorit ndërkombëtar për zgjidhjen e krizave politike në momente të rëndësishme për ecurinë demokratike të vendit, në qëndrimin e elitave politike të Shqipërisë. Weichert: “Elitat politike nuk kanë vullnet apo janë të paafta për të gjetur vetë zgjidhje. Por kjo nuk ka të bëjë me pjekurinë e tyre, si dëgjohet shpesh në Tiranë. Kjo situatë lidhet me nivelin e lartë të informalitetit ose të mungesës së institucionalizimit për gjithçka që ndodh në vend. Në Shqipëri gjërat varen më shumë nga individët, mbështetësit e tyre sesa nga vendime të strukturave të shtetit dhe të shoqërisë gjë që funksionon në vende të tjera.”

Interesat afatshkurtëra politike - para interesave afatgjata kombëtare

Paaftësia dhe dështimi i elitës politike për të zgjidhur vetë çështjet e brendshme për Albert Rakipin, drejtor i Institutit shqiptar për Studime ndërkombëtare, buron nga e shkuara totalitare. Ai thotë se elitat aktuale politike nëShqipëri mbartin ende mentalitetin politik dhe kulturor të zhvilluar në një shoqëri totalitare, të izoluar, lehtësisht të manipulueshme dhe të hedhur në populizëm për shkak të varfërisë dhe problemeve të mprehta politike.

Por ka edhe një arësye tjetër thelbësore, sipas Rakipit. Interesat aftshkurtëra politike të mbajtjes së pushtetit apo të ardhjes në pushtet. "Ka një luftë të ashpër në të dyja rastet, të tilla interesa dominojnë para interesave kombëtare të vendit.

Michael Weichert

Michael Weichert, drejtor i Fondacionit gjerman “ Friedrich Ebert”

Ndryshe ndodh në vende me demokraci të konsoliduar ku udhëheqësit heqin dorë nga pushteti për hir të interesave kombëtare”, thotë drejtor i Institutit shqiptar për Studime ndërkombëtare, Albert Rakipi.

Mentalitetin e ri politik e sjell zhvillimi i strukturave demokratike

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe kërkesa e saj për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE duket se nuk e kanë lëkundur fort këtë mentalitet politik. Për Michael Weichert, kjo është e kuptueshme pasi të dyja organizatat dëshërojnë të realizojnë axhendat e tyre politike sa më qetë dhe pa probleme. Ato shpesh anashkalojnë situatën reale të brendshme në vend, që jo gjithmonë është e lidhur me standartet dhje kushtet e kërkuara prej tyre. Në situatën e Shqipërisë rruga më e qëndrueshme dhe afatgjatë për të sjellë një mentalitet të ri politik është zhvillimi i strukturave demokratike në Shqipëri, funksionimi i institucioneve demokratike. “Në Shqipëri për të zgjidhur konfliktet dhe krizat politike pa ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar, gjë që është pozitive dhe e domosdoshme, ka nevojë për të forcuar strukturat institucionale më shumë sesa marrëveshjet mes individëve. Strukturat institucionale i zgjidhin konfliktet në një mënyrë demokratike dhe racionale ”, thekson Michael Weichert.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Lindita Arapi

  • Data 26.05.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NXTC
  • Data 26.05.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NXTC