1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Pse emigrojnë dhe kthehen përsëri gjermanët?

Në Gjermani jo vetëm vijnë emigrantë, por ka dhe mjaft gjermanë që largohen sikurse edhe të tillë që kthehen përsëri. Po pse emigrojnë gjermanët?

default

Gjermanët që emigrojnë dhe ata që kthehen përsëri nga jashtë janë kryesisht të rinj dhe shumë të kualifikuar. Këto janë gjetjet e një studimi mbi emigrimin e shtetasve gjermanë që u prezantua nga Instituti Federal për Hulumtimin e Popullsisë dhe Këshilli gjerman i Fondacioneve për Integrimin dhe Migracionin (SVR) në Berlin. Si në radhët e atyre që largohen nga Gjermania, edhe atyre që kthehen, 70 dhe 64 përqind kanë diplomë universiteti apo shkolle të lartë - pra shumë më tepër se mesatarja e popullsisë gjermane. Për studimin u intervistuan 1.700 vetë.

Në radhët e atyre që emigrojnë dhe kthehen ka sipas studimit një numër të lartë gjermanësh me sfond migracioni. Kryesisht ata largohen nga Gjermania për arsye familjare, por jo në atdheun e prindërve, por në vende të tjera. Në përgjithësi numri i shtetasve gjermanë që largohen nga Gjermania është më i madh se i shtetasve gjermanë që rikthehen. Në periudhën 2009 - 2013 janë regjistruar rreth 710.000 largime nga Gjermania dhe rreth 580.000 rikthime.

US Green Card

Green Card, SHBA

Jo patjetër për arsye financiare

Arsyet e përgjithshme për emigracionin janë të shumta. Në krye sidoqoftë nuk janë motivet financiare. Njerëzit që emigrojnë duan kryesisht të bëjnë përvoja të reja dhe të zgjerojnë horizontin e tyre (72 përqind). Arsyet profesionale renditen në vendin e dytë (66,9 përqind), pasuar nga arsyet familjare (50,9 për qind). Vetëm 46,9 për qind emigrojnë për shkak të pagesave më të mira.

41 për qind e emigrantëve duan të kthehen përsëri në Gjermani, kurse një e treta e të anketuarve do të qëndrojë në vendin ku ka emigruar. 26 për qind janë të pavendosur. Motivet e atyre që kthehen përsëri në Gjermani janë të ngjashme me ato për emigrimin. Për 56,5 për qind të tyre luajnë një rol qendror arsyet profesionale, 63,9 për qind thonë se po kthehen për motive familjare.

Jo vetëm humbje por edhe mundësi

Frika se Gjermania e cila demografikisht po plaket mund t'i humbasë përgjithmonë dhe në shkallë të madhe të rinjtë e kualifikuar që shkojnë në vende të tjera, nuk është konfirmuar prej këtij studimi. "Nuk ka shenja për një largim të përhershëm të profesionistëve të kualifikuar nga Gjermania," tha sociologu Marcel Erlinghagen nga Universiteti Duisburg-Essen. "Emigrimi ka më shumë një natyrë të përkohshme."

Emigrimi nuk duhet të kuptohet në mënyrë të njëanshme si humbje, por duhet të shihet si një mundësi, tha drejtoresha e qendrë skërkimore SVR, Cornelia Schu. Ata që emigrojnë kthehen me "përvoja e aftësi të reja si dhe me rrjete".

Prandaj, SVR kërkon nga politika, biznesi dhe shoqëria civile që të përfitojnë nga proceset migratore dhe t'i reggullojnë ato - veçanërisht në lidhje me mungesën e specialistëve dhe të ndryshimit demografik. Në këtë sfond për degë specifike të industrisë mund të nevojiten programe që nxisin mobilitetin për të rekrutuar të rinj të kualifikuar mirë pse për t'i rifituar ata përsëri.

DW.COM