1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Pse e merr Papa Françesk Çmimin e Karlit këtë vit?

Pse e merr Papa Françesk Çmimin e njohur të Karlit dhe pse ka shkuar gjysma e Ahenit në Romë, këtë mund ta mësoni këtu. Dhe kush ka qenë Karli i Madh edhe njëherë?

Çmimi i Karlit, çmim ndërkombëtar i qytetit të Ahenit jepet që në vitin 1950, për të nderuar punë në shërbim të bashkimit evropian dhe të paqes. Persona që e kanë marrë deri tani Çmimin e Karlit janë politikanë kryesorë evropianë, kancelarë, një President i SHBA, populli i Luksemburgut, monedha e Euros dhe një Papë. Në vitin 2004, Papa Gjon Pali i Dytë, i sëmurë tashmë rëndë, mori të vetmin "Çmimin e Karlit të Jashtëzakonshëm", për rolin e tij në kolapsin e regjimeve komuniste të Evropës Lindore. Ky është çmimi më i vjetër që ka Gjermania për politikat evropiane dhe gëzon prestigj të lartë. Ceremonia e dhënies së Çmimit mbledh çdo vit personalitete shumë të shquara udhëheqësish politikë dhe dinjitarësh.

Krijuesi

Ideja për të krijuar një çmim për unitetin evropian ka lidhje me Kurt Pfeifferin, një tregtar tekstilesh nga Aheni dhe njëri prej kryetarët e parë të bashkisë së qytetit pas Luftës së Dytë Botërore. Pfeifferi themeloi një shoqatë dhe arriti të bindë disa politikanë të Ahenit që ta mbështesin. Autoritetet britanike të pushtimit nuk qenë kaq entuziaste, sepse Pfeifferi dhe disa nga shokët e tij kishin qenë më parë anëtarë të partisë naziste, NSDAP. Por në fund Pfeifferi i bindi dhe grupi i shquar i laureatëve të Çmimit tërhoqi shpejt vëmendjen.

Emri

Çmimi ka marrë emrin e Karlit të Madh, Perandorit mesjetar të nderuar si "baba të Evropës". Karli i Madh krijoi një perandori me administratë efikase në territorin e Evropës Perëndimore të sotme - edhe nëse e arriti këtë me dhunën e armëve dhe me luftra të përgjakshme si ajo kundër saksonëve paganë. Ai ndërtoi bazamentin për identitetin evropian. Aacheni ishte qyteti ku ai kishte rezidencën kryesore; deri në shekullin e 16-të ky qytet mbeti vendi ku kurorëzoheshin mbretërit e Gjermanisë. Kështu që për tregtarin e tekstileve të Ahenit ishte afërmendsh dhënia e emrit të Karlit Çmimit: ai donte të krijonte një urë nga e kaluara, në të ardhmen.

Laureatët

Papa Françesk është zgjedhur për ta marrë Çmimin e Karlit për vitin 2016. Në kohën kur BE po përballon sfidën më të madhe të shekullit të 21-të, "është Papa 'nga fundi i botës', që orienton miliona evropianë në atë që e bashkon BE në thelbin e tij: një sistem i vlefshëm vlerash, respekti për dinjitetin e njeriut dhe për liritë civile, unikaliteti i qenieve njerëzore, pavarësisht nga origjina e tyre etnike, fetare ose kulturore dhe respekti për krijesën", thuhet në deklaratën e komitetit të Çmimit.

Deutschland Karlsschrein im Dom in Aachen

Papa i bëri thirrje Evropës që të qendrojë e bashkuar, ai mbajti një fjalim për t'u mos u harruar në Parlamentin Evropian, e u tha evropianëve t'u përmbaheshin vlerave të tyre dhe të shmangnin kthimin pas në nacionalizëm i tha DW, Armin Laschet, që bën pjesë në Komisionin e Çmimit.

Pelegrinazhi në Romë, 2016

Papa është i lumtur për Çmimin, por ai nuk kishte mundësi të shkonte në Ahen për ceremoninë, kështu që komiteti dhe një numër politikanësh kanë vajtur për ceremoninë në Romë. Një element tjetër i ri: Çmimi jepet si traditë në Ditën e Ngjitjes së Krishtit në Qiell, por meqenëse Papa është shumë i zënë në këtë festë katolike, ceremonia e dhënies së Çmimit do të zhvillohet në Sala Regia në Pallatin Apostolik një ditë më vonë, të premten. Tri mbajtës të Çmimit, që përfaqësojnë institucionet evropiane do të mbajnë fjalët e rastit: Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz, Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker dhe Presidenti i Komisionit Evropian, Donald Tusk.

Pelegrinazhi në Romë, viti 800 pas Krishtit

Karli i Madh kishte lidhje të ngushta, të përfitimit reciprok me Selinë e Shenjtë. Në Romë, ditën e Krishtlindjeve në vitin 800, Papa Leo III e kurorëzoi Karlin e Madh si Perandorin e parë Evropian perëndimor. Një vit më parë, Karli e kishte shpëtuar Papën që të mos e rrëzonin nga froni kundërshtarët politikë. Ndërvarësia e Perandorisë dhe Papatit do të ushtronte ndikimin e saj në politikën evropiane në shekujt e ardhshëm. Sot Papa është shkëputur nga pushteti jokishtar; i vetmi vend ku qeveris ai është metri katror i Vatikanit, i cili nuk është anëtar i BE, por që ka kufi të hapur me Italinë dhe përdor si mjet pagese Euron.