1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Pse do të kishte të njëjtin rezultat një referendum mbi minaretë në Gjermani

Pasi shumica e zvicerianëve u shpreh për ndalimin e minareve në një referendum, në Evropë është ndezur sërish diskutimi rreth islamizmit dhe integrimit të myslimanëve.

default

Që prej refuzimit të qartë me referendum në Zvicër të ndërtimit të minareve të reja, në të gjithë Evropën diskutohet nëse në vende të tjera një referendum pro apo kundër vendeve të faljes të besimit islam do të sillte një rezultat të ngjashëm. Përgjigja është e qartë: PO! Madje rezultati mund të ishte edhe shumë më i qartë, nëse për shembull në Gjermani qytetarët do të pyeteshin nëse refuzojnë apo përkrahin ndërtimin e xhamive.

Distanca mes Lindjes dhe Perëndimit po bëhet gjithnjë e më e madhe që prej atentateve të 11 shtatorit 2001dhe luftës kundër terrorizmit me gjasë, të motivuar nga feja. Dialogu mes kulturave dhe feve bëhet edhe më i vështirë sa më e fortë është bërë këmbëngulja e populistëve në të dy kampet, për t'i bërë njerëzit të pasigurtë.

Në një shtet modern demokratik si Gjermania, ligji themelor është mbrojtja më e mirë ndaj demagogjisë dhe ekstremizmit. Referendumet mbi tema politike janë të rrezikshme për paqen e brendshme dhe parimin e ndarjes së qartë të pushteteve. Pas Luftës së Dytë Botërore popujt e Evropës Perëndimore nën përshtypjen e mizorive të përjetuara kanë bërë të vetën demokracinë. Edhe vendet evropianolindore që prej dy dhjetëvjeçarësh kërkojnë shpëtimin e ofruar nga demokracia, pasi populli përmes zgjedhjeve mund të delegojë për një kohë të caktuar pushtetin tek partitë dhe politikanët, parlamentet dhe qeveritë.

Baha Güngör

Baha Güngör

Kush kërkon të dobësojë parlamentin dhe partitë me mjetin "referendum popullor", guxon një lojë të rrezikshme. Pas krimeve brutale për shembull, një referendum popullor i mbajtur menjëherë më pas, me shumë gjasa do të kishte si rezultat kërkesën për rivendosjen e dënimit me vdekje, nëse pyetja do të ishte: a duhet të qëndrojë vrasësi në burg me shpenzimet e shtetit apo duhet dënuar me vdekje. Ligji themelor dhe ligjet e hartuara nga politikanët dhe qeveritë e zgjedhura rregullojnë dënimet më të rënda të përgjegjshme në aspektin njerëzor - dhe është mirë kështu.

Rreth 30 për qind e popullsisë në Gjermani nuk janë të krishterë dhe vetëm 5 për qind e njerëzve në këtë vend janë myslimanë. Xhamitë dhe kishat janë qendra të dialogut dhe duhet të ishin pjesë e normalitetit në një vend imigrimi. Fakti që njerëzit me besim të ndryshëm nga ai islam kanë një status shumë më të vështirë në vendet islamike në krahasim me myslimanët në Gjermani është një argument i dobët pasi shembujt negativë nuk duhen imituar. Pëpara duhet ecur me shembuj pozitivë.

Pozitivja në rezultatin tronditës të referendumit në Zvicër është jehona mbarë evropiane në medie, të cilat kërkojnë logjikë politike kundër trajtimit populist të kësaj teme të ndjeshme. Një pozicion të tillë themelor kanë edhe personat përgjegjës në rang federate dhe landesh në Gjermani. Referendumet popullore, në gjithë vendin nuk janë të përshtatshëm si mjet për përmirësimin e integrimit të myslimanëve në Evropë.

Autor : Baha Güngör

Redaktoi : Aida Cama

  • Data 09.12.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Ky63
  • Data 09.12.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Ky63