1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Pse do Shteti Islamik një Evropë antiislame?

Ata kryejnë terror në emër të fesë islame dhe duan të përçajnë në këtë mënyrë shoqëritë evropiane.

Ndodhi ashtu si kishin besuar shumë vetë. Vetëm pak orë pas atentateve të përgjakshme të Brukselit, përgjegjësinë për atentatet e mori Shteti Islamik (IS). Në një deklaratë ai falenderonte "Ekipin e Sigurisë të Kalifatit", që u nis "për të sulmuar kryqtarët në Belgjikë, të cilët nuk pushojnë së zhvilluari luftë kundër fesë islame dhe mbështetësve të saj."

Grupi terrorist e paralajmëroi Belgjikën dhe "kombe të tjera kryqëtarësh", të cilët u bashkuan në luftë kundër IS "për ditë të tjera të zeza".

Futja e një pyke në popull

Janë deklarata si këto, me të cilat IS do t'i bëjë të ditur botës, se mbështetësit e tij janë kudo, se ata janë kreu i një lëvizjeje të përgjithshme. Se bëhet fjalë për një luftë të "besimtarëve" kundër "të pafeve", kuffar. Një botë me ngjyra bardh e zi. Një botë që përbëhet nga "ne" kundër "jush". Myslimanë kundër jo-myslimanëve.

Dhe pikërisht ky është pikësynimi, thotë Günter Meyer nga Qendra për Kërkimet Arabe në Mainz. "IS është fokusuar në një radikalizim dhe polarizim të marrëdhënieve midis popullsisë myslimane dhe jo myslimane, për të rekrutuar në këtë mënyrë më shumë mbështetës, për të destabilizuar shoqëritë evropiane dhe për t'iu afruar në këtë mënyrë objektivit të zgjerimit të Kalifatit.

Shqetësim për shkak të përjashtimit social dhe përhapjes së racizmit

Veçanërisht migrantë dhe refugjatë janë të shqetësuar pas atentateve të Brukselit dhe të Parisit, që janë gjithmonë e më pak të mirëpritur nga pjesë të shoqërive evropiane. Sepse IS shfrytëzon edhe debatin për refugjatët në Evropë - siç ndodhi në atentatet e 13 nëntorit 2013: atëherë duhej të dukej sikur një refugjat bënte pjesë te terroristët. Pra synimi ishte që të gjithë refugjatët sirianë, që kanë ardhur muajt e fundit në Evropë, të vihen nën një dyshim të përgjithshëm. Francezët dhe pjesa tjetër e botës duhet të frikësoheshin prej myslimanëve, të kishin frikë nga gjithçka që lidhet me fenë islame. Kjo në një kohë kur as pas atentateve të Parisit, as pas atentateve të Brukselit nuk ka ndonjë dëshmi se ka lidhje direkte midis refugjatëve dhe atentatorëve, tha zëdhënësja për politikën ndaj migrantëve të Grupit Parlamentar të të Gjelbërve,Ska Keller në intervistë me DW.

Keller tha se qëndrimi antimysliman i një pjese në rritje të popullsisë evropiane, i nxitur nga populistët, shpie ujë tamam në mullirin e IS. Dhe duket se ata kanë sukses, sepse partitë kritike ndaj fesë islame po marrin mbështetje më të madhe në Gjermani. AfD (Alternativa për Gjermaninë) arriti për shembull në zgjedhjet rajonale rezultate dyshifrore. Front National në Francë mori në raundin e parë të zgjedhjeve komunale në Francë madje 28 përqind të votave.

Ambjente xhihadiste në rritje

Kjo mund të ketë pasoja fatale për Perëndimin, thotë Günter Meyer. Sepse kur myslimanë të gatshëm për t'u integruar diskrimonohen ose sulmohen, kjo shton rrezikun që ata të përgjigjen po me urrejtje. Franca dhe Belgjika e përjetuan këtë. "Por edhe në vende të tjera ka ambjente xhihadiste në rritje. Në vitet e ardhshme kjo do të shkaktojë shumë probleme, jo vetëm në Belgjikë", thotë eksperti i fesë islame në Fondacionin Shkenca dhe Politika në Berlin, Guido Steinberg. Për këtë duhet të ndërmarrë diçka.

Nevojë për punë politike

Ai që shikon biografitë e atentatorëve të Charlie Hebdosë, të Bataclanit dhe të Brukselit sheh se procesi i radikalizimit ka nisur në burg. "Prandaj është i nevojshëm edhe një intensifikim i punës fetare islame, të lënë pas dore deri tani në burgje. Vetëm kështu mund të pengohet që burgjet të kthehen në vatra të xhihadizmit", thotë Günter Meyer. Ai kërkon më tej që puna të vazhdojë edhe në shkolla, me mësimin e fesë. "Të rinjve u duhet mësuar, që t'i ndeshin me skepticizmin e nevojshëm premtimet e salafistëve - veçanërisht përsa i përket përdorimit të dhunës dhe propagandimit të Perëndimit si armik". Por edhe popullata jomyslimane ka detyra para vetes. "Ka nevojë të bëhet një punë politike më intensive, si në luftë kundër islamofobisë, ashtu edhe kundër racizmit, si dhe për të penguar parti populiste antiislame", shprehet eksperti.