1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Provë për pavarësinë e drejtësisë shqiptare

Ani Ruci26 Maj 2008

Ndryshon masa e sigurisë për Arben Sefgjinin, ish Drejtor i SHIK-ut dhe Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve. Jo arrestit shtëpiak, po gjykimit në gjendje të lirë.

https://p.dw.com/p/E6O6
KryeministriaFotografi: DW / Aida Cama

Që sot e tutje Drejtori i Përgjithshem i Tatimeve të Shqipërisë, Arben Sefgjini, nuk do të jete më në arrest shtëpie. Një vendim i Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, i marrë sot, më 26 Maj, ndryshoi masën e sigurisë nga "arrest shtëpie" në "gjykim në gjendje të lirë".

Akuza që ngre ndaj tij Gjykata e Krimeve të Rënda është shumë e rëndë. Arben Sefgjini është i akuzuari kryesor për zhdukjen 13 vjet më parë, në vitin 1995, të biznesmenit shqiptaro- maqedonas Remzi Hoxha, kur ai ishte nëndrejtor i Shërbimit Informativ Kombëtar,ose siç njihet me inicialet e SHIK- ut.

Argumenti që nxori nga arresti Sefgjinin

Seanca gjyqësore me dyer të mbyllura nisi në mesditën e 26 majit.
Burime nga Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda, thanë për DW se avokati mbrojtës i Sefgjinit pat kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë „arrest shtëpie", me „gjykim në liri" pasi citoj mbrotjen „ i akuzuari nuk paraqet asnjë rrezik që të largohet nga Shqipëria për t'iu shmangur proçesit gjyqësor" Ky argument me sa duket ka qenë shumë më bindës për trupin gjykues sesa ato të Gjykatës së Shkallës së Parë, të Krimve të Rënda.

Procesi gjyqësor për rrëmbimin dhe torturimin me pasojë vdekjen e biznesmenit shqiptaro- maqedonas, Remzi Hoxha ka ngjallur vëmendje të posaçme tek opinioni publik dhe politika opozitare e Tiranës. Ai konsiderohet si një ngjarje kyçe për të dëshmuar pavarësinë apo varësinë e drejtësisë nga politika. Bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve po gjykohen edhe dy inspektorë të SHIK-ut, Avni Koldashi dhe Budion Meçe. Ndërsa Ilir Kumbaro, ish drejtues në SHIK, është shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Rrëmbimi, torturimi dhe zhdukja e Remzi Hoxhës ndodhi në vitin 1995. Në harkun kohor të 12 viteve dosja e tij qëndroi e mbyllur për mungesë provash dhe faktesh. Në rihapjen e saj këtë vit ka luajtur rol të rëndësishëm një kërkese e Amnisty International, drejtuar qeverisë së Tiranës .

Largimi dhe kthimi i Arben Sefgjinit

Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve të Shqipërisë, Arben Sefgjini emigroi jashtë vendit pas trazirave të pranverës 1997, që sollën në pushtet socialistët dhe larguan prej tij demokratët e Berishës, mbështetës i të cilëve ai konsiderohet të jetë. Ish drejtori i SHIK-ut u kthye vitin e kaluar në Shqipëri, kur mori edhe detyrën e rëndësishme të Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve. Opozita e majtë ka kërkuar me këmbëngulje shkarkimin e tij nga kjo detyrë për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm. Por pas vendimit të sotëm të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda gjasat që kjo të ndodhë shkojnë drejt zeros.