1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Protokolli EULEX - Serbi mbështetet nga vendet e kuintit

Ambasadorët e SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe Italisë, mbështesin nënshkrimin e protokollit ndërmjet misionit EULEX dhe Serbisë.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Hans-Dieter Steinbach.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Hans-Dieter Steinbach.

Ambasadorët në Kosovë të vendeve më të industrializuara, e kanë vënë qeverinë e Kosovës para një fakti të kryer. Me një qëndrim të përbashkët ata thonë, se instrumentet e bashkëpunimit teknik të misionit EULEX-it me vendet e rajonit, të bëra në emër të tij, përputhen me mandatin e misionit për të forcuar menaxhimin e kufijve. Diplomatët e akredituar në Prishtinë thonë, se Republika e Kosovës nuk është palë në këtë marrëveshje teknike ndërmjet EULEX dhe Serbisë, por mirëpresin angazhimin dhe interesin e institucioneve të vendit, për luftimin e aktiviteteve të paligjshme përtej kufijve.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Hans-Dieter Steinbach, thotë, se qeveria gjermane nuk do të mbështeste asnjë lloj cënimi të sovranitetit të Republikës së Kosovës. Por, sipas tij, në protokollin ndërmjet EULEX-it dhe Serbisë, bëhet fjalë për një marrëveshje teknike dhe jo politike. “Mendimi i qeverisë gjermane është, se kjo marrëveshje teknike, nuk prek sovranitetin e Republikës së Kosovës. Jam shumë i sigurt, se për të gjitha temat, të cilat janë të hapura, mund të gjendet zgjidhja përmes dialogut”, tha Steinbach.

Qeveria e Kosovës, një ditë më parë, tha se Prishtina zyrtare mbetet e palëkundur në qëndrimin e saj, kundër protokollit të bashkëpunimit policor ndërmjet EULEX-it dhe Serbisë. Sot, Kryeministri Hashim Thaçi, nuk shprehet nëse është kundër protokollit, por, vetëm mirëpret qëndrimin e diplomatëve perendimorë të cilët thonë se protokolli i bashkëpunimit të EULEX me Serbinë, nuk e cenon sovranitetin e Kosovës. “Institucionet e Kosovës në asnjë rrethanë nuk janë palë e këtij pretendimi të marrëveshjeve teknike, por institucionet e Republikës së Kosovës do të vazhdojnë luftën pa kompromis, ndaj fenomeneve negative, korrupsionit, krimit të organizuar dhe e gjithë kjo luftë duhet të zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet evropiane”, tha Kryeministri Thaçi.

Protokolli i bashkëpunimit policor ndërmjet EULEX-it dhe Serbisë, pritet të nënshkruhet së shpejti. Kjo marrëveshje pason nënshkrimin e dy marrëveshjeve tjera të EULEX-it me Serbinë, ato në fushën e doganave dhe gjyqësisë.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 11.09.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Jd3v
  • Data 11.09.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Jd3v