1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Protestues kundër luftës marshojnë në Moskë

Mijëra demonstrues marshuan në kryeqytetin rus Moskë, në shenjë proteste kundër pjesëmarrjes së raportuar të Rusisë në konfliktin e Ukrainës.

Turma njerëzish që thërrisnin "jo luftë" dhe "boll me gënjeshtra" marshuan duke tundur flamuj rusë dhe ukrainas nga Sheshi Pushkin në Bulevardin Saharov në Moskën qendrore. Në pankarta të tjera shkruhej "junta është në Kremlin, jo në Kiev", gjë që i referohej akuzës ruse se ish-presidenti i Ukrainës, Viktor Janukoviç, me qëndrim miqësor ndaj Moskës, u rrëzua nga pushteti me anë të një grushti shteti.

Manifestime të ngjashme me thirrjet "Ukrainë, ne jemi me ty!" u zhvilluan edhe në Shën Petersburg dhe në qytete të tjera ruse.

'Të manipuluar'

Organizatorët kishin pritur 50.000 vetë të shkonin në mitingun e Moskës me synimin që t'i dërgonin një mesazh të fortë Presidentit Vladimir Putin - ndale luftën.

Sipas policisë së Moskës, marshimin e protestës e ndoqën 5.000 vetë, por një reporter i Associated Press tha se numri i njerëzve duhet të ishte katërfishi i shifrës së raportuar, pra rreth 20.000 vetë.

Megjithë marshimet e së dielës, sondazhet aktuale tregojnë që një pjesë e madhe e rusëve ende e mbështesin politikën e Kremlinit përballë Kievit. Zëra që shtrojnë pyetjen nëse aksionet e Moskës janë të dëmshme jo vetëm për Ukrainën, por edhe për Rusinë, thuajse nuk dëgjohen kurrë në publik.

Marshi i paqes në Moskë

Marshi i paqes në Moskë

Në një intervistë me Deutsche Wellen, drejtuesi i opozitës ruse, Boris Nemtsov thotë se opinioni publik po manipulohet dhe po bëhet më fashist.

"Njerëzit trullosen me mjetet e agjitacionit dhe propagandës. Një histeri militariste e konfliktit të Ukrainës po i imponohet vendit, thotë Nemtsov.

Shkelje të vazhdueshme

Luftimet në Donjeck janë qetësuar, pas shkëmbimeve të zjarrit natën. Për një armëpushim u ra dakord në 5 shtator, por shkeljet e tij kanë vazhduar javët e fundit. Të shtunën, gjenerali i SHBA, Philipp Breedlove tha se trupat ruse ende po veprojnë brenda Ukrainës dhe e quajti armëpushimin vetëm "pushim zjarri në emër". Të shtunën herët, të dyja palët ranë gjithashtu dakord që t'i largojnë armët e rënda 15 km nga vija e frontit në secilën anë, duke krijuar një "zonë tampon" prej 30 km.