1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Protestat më të mëdha që prej zgjedhjeve presidenciale në Iran

Opozita iraniane e ka shfrytëzuar festën shiite të Ashures për të protestuar kundër qeverisë. Në përleshjet mes kundërshtarëve të presidentit Mahmud Ahmadinexhad dhe forcave të sigurisë ka pasur disa të vdekur.

Gra protestuese

Deri vonë në mesnatë sipas orës iraniane, mbështetës të opozitës në Teheran dhe forcat e sigurisë zhvilluan beteja në rrugë. Siç bëjnë të ditur faqet e internetit, përleshjet më të ashpra u zhvilluan në Sheshin e Lirisë si dhe në Sheshin e Revolucionit. Vazhdon të jetë e paqartë se sa njerëz e humbën jetën në protestat e së dielës. Pala opozitare thotë se janë të paktën tetë të vrarë, midis tyre edhe nipi i udhëheqësit të opozitës, Mir Hossein Musawi, Ali Mussawi.

Protesta gjatë festës së Ashurës në Teheran (27.12.09)

Protesta gjatë festës së Ashurës në Teheran (27.12.09)

Edhe televizioni shtetëror iranian flet për tetë të vrarë. Veç kësaj, forcat e sigurisë bënë të ditur se kanë arrestuar mbi 300 vetë. Deri të dielën pasdite autoritetet nuk e pranonin se ka pasur të vrarë. Demonstruesit shpërndanë fotografi, në të cilat shiheshin trupa pa jetë dhe të plagosur, veç kësaj ata i publikuan fotografitë në internet.

Protestat më të mëdha që prej zgjedhjeve presidenciale

Protestat e deritashme janë më të mëdhatë që prej zgjedhjeve të diskutueshme presidenciale në qershor të këtij viti. Incidente ka pasur jo vetëm në qytetet e mëdha Teheran, Isfahan, Shiraz dhe Tebric. Përleshje të dhunshme u bënë të ditura edhe nga qytetet Arak, Babol, si dhe Najafabad, nga qyteti i lindjes së ajatollahut të madh opozitar, që vdiq të dielën e kaluar, Hossein Ali Montazeri.

Protesta gjatë festës së Ashurës në Teheran (27.12.09)

Protesta gjatë festës së Ashurës në Teheran (27.12.09)

Me sa duket, dhuna dhe zemërimi janë shtuar, edhe te demonstruesit. Disa policë u mposhtën nga demonstruesit. Atyre demonstruesit iu morën jo vetëm shkopinjtë e gomës dhe jelekët antiplumb, por edhe këpucët. Veç kësaj, flaka iu vu automjeteve, motoçikletave të policisë si dhe koshave të plehrave. Shumë prej të rinjve thërrisnin parrulla të ngjashme me ato të revolucionarëve 30 vjet më parë. Sipas tyre, ata janë të gatshëm të vdesin në luftë kundër sistemit islamik. Njëkohësisht ata thirrën "Poshtë shteti mashtrues. Fitorja jonë është shumë pranë."

Që në kohën e shahut në ditën e Ashures ka pasur përleshje

Protestat kundër qeverisë së Ahmadinexhadit po vazhdojnë që prej së dielës së kaluar, kur ndërroi jetë Ajatollahu i Madh Montazeri. Ai konsiderohej si njëri nga teologët më me prestigj dhe nga kritikët më të fortë të regjimit. Dje shiitët iranianë kremtuan festën e Ashures. Kjo festë përkujton betejën e Qerbelasë në vitin 680, e cila manifestoi ndarjen midis grupeve myslimane të sunitëve dhe të shiitëve. Ashura është për shiitët pika kulmore muajit të rëndësishëm dhe tepër emocional të përzishëm të Moharramit.

Autor: Ulrich Pick/Auron Dodi
Redaktor: Pandeli Pani

  • Data 28.12.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LFRr
  • Data 28.12.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LFRr