1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Protesta të dhunshme në Shkup

Për dy ditë me rradhë në rrugët e Shkupit po protestojnë një numër i konsiderueshëm i qytetarëve shqiptarë të indinjuar me vendimin gjyqësor për dënimin me burg të përjetshëm të gjashtë shqiptarëve në rastin “Mostra”.

Mijëra protestues demonstruan në Shkup të premten (04.06) kundër dënimit me burgim të përjetshëm të gjashtë shqiptarëve, që akuzoheshin për vrasjen para dy vjetëve të pesë maqedonasve. Protesta u shndërrua në dhunë, dhjetra protestues sulmuan me gurë policinë, ata hodhën gurë drejt gjykatës, duke i shkaktuar dëme. Për të shpërndarë protestuesit e dhunshëm, policia speciale përdori gaz lotsjellës, bomba paralizuese dhe topa uji. Policia arriti t'i largojë protestuesit nga platoja para gjykatës dhe lagja Bit Pazar, drejt lagjeve shqiptare Gazi Babë, Cerovë dhe Çair.

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar për 20 policë të lënduar, ndërkohë që nuk e ka kumtuar numrin e saktë të protestuesve të lënduar. Nga informacionet, me të cilat deri më tani disponojmë, mësohet se 20 policë janë lënduar, një pjesë e të cilëve kanë dhe lëndime të rënda trupore, ndërkohë që deri më tani janë arrestuar gjashtë protestues”, ka deklaruar zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ivo Kotevski. Ai ka shtuar se pas shqyrtimit të regjistrimeve nga kamerat, do të vazhdojnë me identifikimin dhe kapjen e pjesëmarrësve në protesta.

Në ditën e dytë të protestave në Shkup të shtunën (5.7.2014), ka pasur pjesëmarrje më të ulët. Kësaj radhe protestuesit janë përqendruar në zonat e banuara kryesisht me shqiptarë. Ata për disa minuta kanë gjuajtur me gurë ndaj selisë së e BDI-së në Çair. Të rinjtë kanë bllokuar rrugët në zonën e Çairçanjës dhe më pas janë nisur drejt Komunës së Çairit, ku janë përplasur me policinë. Më pas situata është qetësuar, ndërkohë që policia ende është prezente në terren.

Partia shqiptare në pushtet, BDI shpreh shqetësim për ngjarjet e një dite më parë, nga kjo parti u bëjnë thirrje qytetarëve të përmbahen nga dhuna pasi siç theksojnë ngjarjet e djeshme nuk i ndihmojë procesit. “BDI përkrah të drejtën e protestave paqësore të qytetarëve, por apelon tek të gjitha palët e involvuara që të përmbahen maksimalisht nga dhuna sepse ngjarjet e djeshme nuk i ndihmojnë as procesit, as të dënuarve, as familjarëve, por as atyre që po bëjnë përpjekje që të kontribuojnë me qasje institucionale në zgjidhjen e këtij rasti shumë të ndërlikuar. Dhuna e djeshme në rrugët e Shkupit na e vështirëson angazhimin e mëtejmë në drejtim të zbardhjes së të vërtetës deri në përfundimin e të gjitha procedurave ligjore që përfshijnë Gjykatën e Apelit, atë Supreme, por edhe Gjykatën e Strasburgut”, theksohet në reagimin e BDI-së.
Rreth protestave që rezultuan me dhunë mes qytetarëve dhe policisë kanë reaguar edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë. Ambasada e SHBA-ve, delegacioni i Bashkimit Evropian, OSBE dhe misioni i NATO-s në Shkup, bënë thirrje për qetësim të situatës dhe përmbajtje nga dhuna. “I bëjmë thirrje qytetarëve dhe liderëve të shtetit, që të bashkohen dhe në frymën e dialogut konstruktiv t'i adresojnë çështjet që minojnë mirëkuptimin reciprok dhe marrëdhëniet ndëretnike. Të gjithë qytetarët kanë të drejtë të protestojnë dhe të shprehin pikëpamjet e tyre në mënyrë paqësore, por jo edhe të përfshihen në akte destruktive dhe të dhunshme. Derisa çdo incident ndëretnik apo tentim për të nxitur jotolerancë, paraqet mundësi për politizimin apo shfrytëzimin e situatës për qëllime personale apo politike, ka po ashtu edhe mundësi për hapjen e dialogut dhe për forcimin e lidhjeve ndërmjet bashkësive të ndryshme ndëretnike. Kjo është një mundësi që liderët të rreshtohen në emër të një shteti të integruar, që plotësisht respekton diversitetin”, thuhet në komunikatën e përfaqësuesve ndërkombëtare.