1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

300911 Syrien Lage

1 Tetor 2011

Në Siri vazhdojnë protestat kundër sundimit të presidentit Bashar al-Assad. Edhe të premten (29.09.) mijëra vetë dolën nëpër rrugë me kërkesën për demokraci. Në Rastan luftimet kanë vazhduar për të dytën ditë me radhë.

https://p.dw.com/p/12kJe
Sirianë me banim në Greqi duke protestuar të premten 30.09.2011 kundër regjimit të Assadit.
Sirianë me banim në Greqi duke protestuar të premten 30.09.2011 kundër regjimit të Assadit.Fotografi: dapd

Rastani, një qytet prej 40.000 banorësh, gjendet nën goditje të forta. I rrethuar nga të gjitha anët prej trupave siriane, i bombarduar prej artilerisë dhe tankeve, të mbështetura nga ajri. Me sa duket 500 deri 1.000 dezertorë ushtrie e patën vënë qytetin në kontrollin e tyre. Tani duket se njësitë qeveritare po e rimarrin.Po goditen ndërtesa, thotë një dëshmitar okular, askush nuk del dot nga shtëpia, ai vetë di për 10 të vrarë dhe 40 të plagosur. Të tjerë bëjnë fjalë për dy duzina të vrarë. Agjencia e lajmeve njofton se shtatë ushtarë dhe policë janë vrarë prej bandave të armatosura.

Assadi akuzon SHBA-në për nxitje të rezistencës së armatosur

Rezistenca në Rastan është e armatosur, së paku pjesërisht. Rebelët ndjekin taktikë guerile. Banorë lokalë të armatosur i janë bashkuar rezistencës, tregojnë banorët. Armë vinë në Siri pa probleme nga Libani ose nga Iraku. Regjimi i Assadit akuzon SHBA-në se e nxit kryengritjen e armatosur. Me të vërtetë një zëdhënës amerikan tregoi mirëkuptim në rast se rezistenca paqësore do të kthehej në dhunë si pasojë e brutalitetit të regjimit.

Siria në Hartë
Siria në HartëFotografi: DW

Eksperti i Lindjes së Afërme Joshua Landis kundërshton duke thënë se ambasadori i SHBA-së në Damask i është lutur me ngulm opozitës, të qëndrojë e padhunshme. "Dhuna e rrugës i dha regjimit pretekstin për të goditur edhe më fort. Siria nuk është Libia. SHBA-ja dhe bashkësia ndërkombëtare nuk do ta mbështesin ushtarakisht rezistencën siriane. Opozita nuk duhet të shpresojë në ndërhyrje të jashtme. Kjo është ana tragjike, për shembull në Rastan: kur dezertorët maten me ushtrinë siriane, bëjnë luftë të humbur."

A do të shtrihet përkrahja për luftën e armatosur?

Përkrahësit e Assadit duket se u besojnë pak fjalëve të tilla: Kur ambasadori amerikan Ford vizitoi të enjten (29.9.) një opozitar në Damask, shtëpia u rrethua për dy orë, largimi i diplomatit u shoqërua me hedhje domatesh. Ende lufta e armatosur kërkohet nga një pakicë, por themelimi i së ashtuquajturës Ushtria e Lirë Siriane tregon se ajo ka përkrahje. Dezertorët mburren me vrasjen e milicëve besnikë të shtetit. Shefi i trupës guerile kërkon një zonë ndalim-fluturimi dhe armë, për të luftuar kundër regjimit nga një zonë e mbrojtur në veri të Sirisë. Shumica paqësore paralajmëron se kjo pa dyshim do ta copëtonte vendin.

Por të paktën thirrjet e shteteve arabe po rriten, thotë Ali Dalayin, ish-deputet jordanez, i cili organizon në Aman demonstrata për dëbimin e ambasadorit sirian. "Bota arabe nuk është me flamuj valëvitës për ndërhyrje ushtarake, por do të vijë koha, si në Libi ku Gaddafi s'pushonte së vrari, që botës t'i duhet të veprojë. Mendoj, edhe asaj arabe: në kohën e duhur ajo duhet të shprehet pro ndihmës së jashtme në Siri."

Autor: Ulrich Leithod / Elert Ajazaj

Redaktoi: Esat Ahmeti