1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Protesta në Milano kundër fuzionimit të komunave të vogla

Italia duhet të kursejë, prandaj Silvio Berlusconi synon të fuzionojë të gjitha komunat, që numërojnë më pak se 1000 banorë. Kursimet pritet të jenë qindra milionë euro.

Campodimele, Itali

Campodimele, Itali

Për të kursyer qeveria e Berlusconit është gati të rrezikojë një pjesë të identitetit, kulturës dhe historisë italiane. Për shembull traditën e cimbërve, një komunitet i vogël malësor me rrënjë gjermane, që jeton që nga shekulli i 12-të në Veri të Italisë. 13 komuna të këtij komuniteti ekzistojnë aktualisht në provincën e Veronës. Pas shkurtimeve do të ketë vetëm nëntë. 

Kryetarët e komunave bëjnë fjalë për humbje të madhe kulturore

Santa Maria di Piazza në Busto Arsizio

Santa Maria di Piazza në Busto Arsizio

"Ne jemi këtu për të mbrojtur këto komuna me origjinë gjermane. Ne luftojmë kundër shkatërrimit të historisë sonë. Kështu zhduket një civilizim, për të cilin ne jemi krenarë dhe që duam ta ruajmë."

Kështu shprehet Aldo Gugole, kryetar komune në Selva di Pronjo, në gjuhën cimbreze "Brunge". Komuna e tij numëron më pak se 1000 banorë dhe do të zhdukej, thënë ndryshe do të shkrihej me një komunë tjetër. Prandaj qytetarët demonstrojnë para parlamentit të Romës. "Edhe kështu siç është gjendja dhe është shumë e vështirë të jetosh në mal. Që të sigurojmë jetesën, ne duhet të bëjmë disa kilometra rrugë. Dhe ata duan të ndryshojnë tani gjithçka", ankohet një qytetar i komunës.

Italia ka shumë qyteza dhe komuna plot tradita

MInistri Roberto Calderoli

MInistri Roberto Calderoli

Rreth 2000 vlerësohet numri i tyre. Ata kanë edhe kryetarin e komunës, një këshill dhe një administratë të vogël, që organizon shërbimet sociale dhe komunale. Roberto Calderoli, ministër i posaçëm në kabinetin Berlusconi, shpreson për një potencial të madh kursimi nga shkrirja e këtyre komunave. "Kjo do të thotë që në këtë nivel komunal nuk do të ketë këshill komunash, referentë, dhe as të punësuar, ato do kenë një buxhet të përbashkët dhe një bashki."

Por punën duhet ta bëjë dikush, llogarisin kryetarët e këtyre komunave. Reforma administrative e qeverisë është llogari e gabuar, sepse në fund do të ketë më shumë dëm se sa përfitim, thotë Angelo de Simone, kryetar i komunës Tora e Pikili, në Kampania në Jug të Italisë. Komuna është pranë qytetit të Napolit, me problemin e plehrave, korrupsionit dhe Camorrës.

Disa komuna kanë deklaruar se do të shpallin pavarësinë

Shesh në Campodimele

Shesh në Campodimele

"Kjo njësi e vogël vlerësohet më shumë se sa qendrat e mëdha dhe të pista. Ne nuk e kuptojmë pse duhet të shkrihen komunat tona, që nuk kanë deficite, përkundër qyteteve të mëdha, që nuk ia dalin dot dhe janë problemi i vërtetë për vendin tonë."

Komunat nuk po qëndrojnë duarkryq. Kryetari i komunës Tora e Pikili po inkurajon përmes Facebookut qytetarët të bëhen qytetarë të kësaj komune, me qëllim që të tejkalohet kufiri kritik prej 1000 banorësh. Ndërsa komuna të tjera kërcënojnë me pavarësinë.

Autor: Tilmann Kleinjung/Lindita Arapi

Redaktoi: Angjelina Verbica