1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Protesta në Egjipt - Të paktën tre të vdekur

Në Egjipt policia shpërndau gjatë natës (25.01) protestat kundër qeverisë. Forcat e rendit përdorën gazin lotësjellës dhe shkopinjtë e gomës kundër demonstruesve, që ishin mbledhur në qendër të Kairos.

Protestuesit ndalojnë trafikun në mes të një ure mbi lumin Nil.

Protestuesit ndalojnë trafikun në mes të një ure mbi lumin Nil.

Gjatë protestave që u zhvilluan në mbarë vendin të martën (25.01) disa vetë gjetën vdekjen. Mijëra egjiptianë kërkuan dorëheqjen e presidentit Husni Mubarak. Në parrullat e tyre demonstruesit i referoheshin rrëzimit të qeverisë në Tunizi.

Kundërpërgjigje brutale e policisë

Rreth orës 01:00, sipas orës lokale, policia ndërhyri ndaj demonstruesve - fillimisht me pompat e ujit dhe me gaz lotësjellës, e më pas edhe me shkopinj gome. Dëshmitarët okularë thonë se pati një re gjigande gazi lotësjellës, si rrjedhojë e së cilës shumë demonstrues patën asfiksi dhe të fikët. Të tjerë demonstrues vraponin të përgjakur nëpër rrugë. Megjithatë herë pas here ata ia dilnin të mblidheshin duke bllokuar madje për një kohë të shkurtër edhe urën më të rëndësishme mbi Nil.

"Ne do të qëndrojmë këtu derisa Husni Mubaraku të fluturojë drejt Xhidahut, ose edhe drejt Tel Avivit!", thërrisnin demonstruesit gjatë mbrëmjes në sheshin qendror të "Çlirimit" në Kairo. Gjithnjë e më shumë vetë vazhdonin të mblidheshin, ndërkohë që policia qëndronte në distancë nëpër rrugët sekondare. Por më pas ajo ndërhyri me të gjithë forcën. Të paktën dy demonstrues gjetën vdekjen dhe një polic, ky është bilanci i ditës së protestës në Egjipt. Qindra vetë u plagosën nga gazi lotësjellës.

Të rinjtë protestojnë kundër korrupsionit dhe shtrenjtimit të jetës.

Të rinjtë protestojnë kundër korrupsionit dhe shtrenjtimit të jetës.

Tunizia model frymëzimi

Në shumë zona demonstruesit iu kundërvunë dhunës së policisë duke qëlluar me gurë. Herët në mëngjes u njoftua për arrestime. Ndër të arrestuarit janë edhe politikanë të njohur të opozitës. Rinia në Egjipt demonstron me një inkurajim të ri:

"Tunizia është shembulli ynë. Por këtu është shumë më keq se atje. Ne qeverisemi prej 35 vjetësh nga regjimi i Mubarakut. E gjatë gjithë kohës ka pasur paqe. Vendi duhej të lulëzonte ekonomisht dhe duhej të rritej standardi i jetesës. Në vend të kësaj ne jetojmë si në luftë: gjithçka shtrenjtohet, papunësia është e lartë, kudo ka korrupsion. Tunizia na ka dhënë impulsin, pjesën tjetër duhet ta arrijmë vetë."

Edhe në qytetet bregdetare në Mesdhe deri në Asuan, në Egjiptin e Epërm e deri në Sinai njerëzit kanë protestuar nëpër rrugë. Shumë prej tyre protestojnë për herë të parë në jetën e tyre. Ata shprehin indinjatën kundër çmimeve në rritje, papunësisë së lartë, siç mendohet manipulimit të zgjedhjeve parlamentare vjeshtën e kaluar dhe arbitraritetit të policisë, që nuk përmbush më detyrat e saj.

Çarje evidente e aparatit të sigurisë

"Ka pasur periudha, kur policia i ka mbrojtur egjiptianët. Por sot policia lufton egjiptianët, ajo e mban sistemin në fuqi, kjo është e gjitha, policia mbron sistemin."

Dhjetëra mijëra qytetarë e kthyen festën kombëtare në nderim të policisë në një ditë të indinjatës. Aparati egjiptian në dukje i pathyeshëm i sigurisë ka pësuar prej kësaj një të çarë evidente. E me sa duket ai po kundërgodet tani me të gjithë forcën.

Autor: Esther Saoub / Vilma Filaj Ballvora

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 26.01.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/105Nv
  • Data 26.01.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/105Nv