1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Protesta masive në sektorin publik në Greqi

Protestat në Greqi arrijnë kulmin. Punonjësit e sektorit publik bëjnë dy ditë grevë. Tensionet politike ashpërsohen nga vrasja e një muzikanti të majtë.

Nëpunësit grekë kanë hyrë në një grevë 48-orëshe. Nën moton "luftë të pandërprerë kundër politikës së kursimeve" mësuesit, mjekët e spitaleve shtetërore dhe nëpunësit civilë protestojnë kundër shkurtimeve masive të planifikuara në sektorin publik.

Programi qeveritar i kursimeve

Deri në fund të vitit 2014 qeveria greke do të shkarkojë 15.000 nëpunës civilë. 4000 të parët duhet të largohen që këtë vit. 12.500 nëpunës të tjerë do ta kalojnë deri në fund të shtatorit në të ashtuquajturin rezervë mobiliteti. Nëse për ta nuk gjendet një vend tjetër pune, ata përballen vitin e ardhshëm me rrezikun e humbjes të vendeve të punës.

Qeveria greke ka vendosur shkurtimin e vendeve të punës, për të marrë para të tjera ndihme prej vendeve të eurozonës dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Përndryshe vendi do të rrezikohej nga falimentimi.

Vrasja e aktivistit të majtë

Vrasja e këngëtarit 34-vjeçar të muzikës hip-hop, Pavlos Fryssas, ka acaruar edhe më shumë tensionet në vend. Simpatizanti i grupimit të majtë Antarsia, që konsiderohej militant, u vra me thikë në orët e hershme të mëngjesit të së mërkurës në periferi të Athinës. Ai vdiq pak më vonë nga plagët e marra. Sulmuesi i dyshuar, i cili në kohën kur u arrestua mbante me vete një thikë, e pranoi krimin dhe deklaroi sipas policisë, se është anëtar i partisë neonaziste ksenofobe "Agimi i Artë".

Griechenland Protest & Streik 18.09.2013

Protesta në Greqi

Qeveria në Athinë njoftoi marrjen e masave për të siguruar që sulme të tilla të mos përsëritën. Socialistët në Parlamentin Europian i bënë thirrje udhëheqjes greke të mendojë për një ndalim të partisë së djathtë ekstreme.

Nga zemërimi për vrasjen e Fryssas dhe në shënjë proteste kundër masave të kursimeve mijëra njerëz dolën në rrugë në Athinë dhe në qytete të tjera greke. "Ne jemi njerëz, jo numra", thërrisnin demonstruesit. Në pankarta shkruhej "Mos pushoni nga puna - pushoni trojkën (inspektorët e donatorëve ndërkombëtarë)".

Zyrat dhe shkollat qëndrojnë të mbyllura

Greva 48-orëshe është kulmi i një serie disaditore grevash. Fillimisht protestuan të hënën mësuesit të shkollave të mesme. Të martën protestave iu bashkuan mjekët e spitaleve dhe avokatët. Të mërkurën në mëngjes edhe gazetarët iu bashkuan për tre orë grevës. Gjatë kësaj kohe nuk pati lajme në radio dhe televizion.

Nga lufta për punë janë prekur zyrat dhe shkollat, si dhe hekurudhat shtetërore. Të martën shkollat dhe universitetet mbetën të mbyllura. Edhe shumë ministri, si dhe fondi i pensioneve mbetën të mbyllura.