1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Protesta masive në Poloni

Nëse pakënaqësia vazhdon të rritet, ajo mund të çojë në zgjedhje të reja - dhe në një rikthim të Jaroslaw Kaczynskit.

E gjitha filloi me protestën e parë të mërkurën (11.09.) ku morën pjesë disa dhjetra-mijëra pjesëmarrës që demonstruan kundër kryeministrit Tusk në Varshavë. Protestat vazhduan për disa ditë duke kulmuar në protestën e së shtunës (14.09) ku më shumë se 100.000 sindikalistë demonstruan në kryeqytetin polak Varshavë kundër qeverisë liberale të kryeministrit Donald Tusk.

Kjo ishte demonstrata më e madhe masive në Poloni prej disa vitesh, organizuar nga sindikata Solidarnosc dhe Konfederata e Përgjithshme e Sindikatave OPZZ . "Më në fund po zgjohemi," tha me zë të lartë shefi i Solidarnosc Piotr Duda në demonstratë dhe kërkoi "T'i jepet fund vjedhjes së popullit!"

"Ne kërkojmë dorëheqjen e Tuskut," tha Marek Lewandowski, zëdhënës i sindikatës Solidarnosc, e cila kishte bërë thirrje së bashku me dy sindikata të tjera për të protestuar në Poloni. Kjo është "e vetmja mënyrë për të ndryshuar politikën sociale në Poloni." - theksoi Lewandowski.

"

Ne u ngopëm me përbuzjen e pushtetarëve për botën e punëtorëve!" tha shefi i sindikatës Solidarnosc Piotr Duda. Kreu i sindikatës OPZZ, Jan Guz, tha se tubimi është "kambanëza e fundit e alarmit për qeverinë.

Autoritetet thanë se numri i pjesëmarrësve në tubimin në Varshavë ishte rreth 100.000 vetë kurse sindikata Solidarnosc tha se ishin rreth 150.000. Shumica e demonstruesve kishte ardhur me autobusë nga Silesia dhe Danzigu.

Shtim i problemeve sociale

Protestat në Poloni nuk janë të papritura dhe në politikën e brendshme ka kohë që po zien. Vitin e kaluar protestuan infermieret dhe mjekët, bujqit, e pastaj edhe 7.000 mësues, të cilëve pas pushimeve të verës nuk u dhanë më shumë kontrata, sepse shumë shkolla janë mbyllur ose janë bashkuar për shkak të ndryshimeve demografike.

Po ashtu edhe mosha ligjore e daljes në pension u rrit nga 65 vjeç në 67 vjeç dhe sindikatat kërkojnë që ajo të jetë sërish 65 vjeç. Përveç kësaj, ata kërkojnë një pagë minimale më të lartë dhe më shumë të drejtat për punëtorët, sepse edhe këto janë përkeqësuar pas liberalizimit të ligjit të punës.

Problemet janë shtuar edhe sepse pas një periudhe të gjatë bumi ekonomik, në Poloni muajt e fundit ka nisur stanjacioni. Koalicioni Platforma Qytetare i Tuskut po vuan nga një erozion gradual i pushtetit, se ky ka vetëm një shumicë fare të vogël vendesh në parlament.

Shanse për konservatorët

Der polnische Premierminister Donald Tusk

Donald Tusk

Nëse pakënaqësia vazhdon të rritet, ajo mund të çojë në zgjedhje të reja - dhe në një rikthim të Jaroslaw Kaczynskit. Si në Poloni dhe jashtë vendit ekziston një frikë nga kthimi në pushtet i ish-kryeministrit dhe kryetarit të Partisë Kombëtare konservatore PiS. Së pari, sepse ai haptas simpatizom me kryeministrin hungarez Viktor Orban dhe dëshiron "një Budapest në Varshavë". Së dyti, sepse ai e ndan shoqërinë si në politikën e brendshme dhe të jashtme. Kjo është arsyeja pse Jarosław Kaczyński nuk u votua në vitin 2007 dhe u zëvendësua nga liberali miqësor ndaj Evropës dhe Gjermanisë Donald Tusk. Ajo që nuk u pëlqen më shumë sot njerëzve në Poloni, është se ata thuajse nuk kanë alternativë tjetër.