1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Protesta masive në Gjeorgji

Cila është opozita dhe për çfarë e akuzon ajo presidentin Saakaschvili?

default

Partitë opozitare protestojnë në Tbilis, 8 prill 2009

Në Gjeorgji mbizotëronte „armëpushimi" në politikën e brendshme pas luftës në gusht 2008 kundër Rusisë. Në sfondin e kërcënimit prej fqinjit opozita gjeorgjiane nuk donte ta dobësonte edhe më tej vendin. Por tani duket se afati i heshtjes ka përfunduar. Për ditën e enjte (09.04) opozita radikale ka bërë thirrje për protesta masive. Eshtë si të thuash një lloj countdown-i. Kërkesa e tyre është: Tërheqja e presidentit Saakaschwili. Demonstruesit duan të bllokojnë rrugët hyrëse dhe të rezistojnë derisa presidenti të japë dorëheqjen dhe t´i hapë rrugën zgjedhjeve të parakohshme.

Një spektër i gjerë i partive opozitare ka bërë thirrje për demonstrata masive në kryeqytetin e Gjeorgjisë, Tbilisi. E para është aleanca radikale e nëntë partive, e cila organizoi edhe protestat masive në vjeshtën e vitit 2007. Qeveria i shpërndau me dhunë protestat e atëhershme dhe mbylli të vetmin televizion opozitar me frekuencë mbarëkombëtare Imedi-TV. Pasuan zgjedhjet presidenciale, prej nga Saakashvili me diferencë të ngushtë doli fitues. Më pas në zgjedhjet parlamentare partia në pushtet "Lëvizja kombëtare për një Gjeorgji të sigurtë" fitoi rreth 80% të mandateve, pra shumicën e duhur për ndryshimet kushtetuese. Opozita u shpreh për manipulime në zgjedhje. Ajo fitoi vetëm 17 mandate, por nuk i pranoi ato.

Wahlausgang Georgien

Protesta. Opozita flet për manipulim të zgjedhjeve, 06 janar 2008

Me këtë kuotë përfaqësimi gjithësesi opozita nuk do të kishte aspak influencë në parlament, thotë Kacha Kukava, një udhëheqës i aleancës opozitare. Vendi i opozitës është si rrjedhojë në rrugë:

"Tek ne në Gjeorgji nuk ka garë mes partive politike. Në s´na mbetet gjë tjetër, veçse rezistenca kundër regjimit autoritar."

Opozita gjeorgjiane gjatë muajve të fundit ka fituar personalitete si anëtarë të rinj. P.sh. Irakli Alasania, ish-ambasador i Gjeorgjisë në OKB. Ai konsiderohet si mjaft i matur dhe ka themeluar bashkë me të tjerë partinë „Aleanca e moderuar për Gjeorgjinë“.

Georgiens Botschafter bei den UN Irakli Alasania

Irakli Alasania, ish-ambasador i Gjeorgjisë në OKB

Në opozitë bën pjesë edhe ish-zëdhënësja e parlamentit dhe ish-shoqe ideali e Saakaschwili-t, Nino Burdshanadze, e cila përpara pesë vjetëve e gjysmë bashkëudhëhoqi të ashtuquajturin revolucioni i trëndafilave. Vitin e kaluar ajo u shkëput prej Saakashvili-t dhe themeloi partinë e saj. Nino Burdshanadze konsiderohet si pasuesja e mundshme e Saakashvili-t. Në fund të marsit u arrestuan 12 të supozuar si anëtarë të partisë së saj. Akuza ndaj tyre është, se kanë mbledhur armë për përmbysjen në vend. Televizioni pro-qeveritar transmetoi video, të cilat tregonin tregtim armësh. Por ekspertët ndërkombëtarë regjistrimet filmike i konsiderojnë si jo të sakta për t´u përdorur si provë. Nino Burdshanadze e konsideron veten si viktimë të qeverisë, që përdor çdo lloj mjeti:

"Kjo ishte një përpjekje e qeverisë për të diskretituar partinë time politike dhe mua personalisht. Kjo sepse ata kanë frikë, që Nino Burdshanadze është një autoritet si brenda edhe jashtë vendit. Për fat askush nuk i beson këto akuza. E gjithë opozita mbështet partinë time."

Opozita ndër të tjera e akuzon Saakashvili-n, se ka shkaktuar luftën me Rusinë në gusht 2008 duke dhënë urdhërin, që të bombardohet krahina separatiste e Osetisë Jugore. Rusia reagoi me sulme nga ajri. Mbi 20.000 gjeorgjianë humbën atdheun. Edhe rajoni separatist i Abkazisë u njoh më pas si shtet i pavarur prej Rusisë. Për të gjitha këto duhet të mbajë përgjegjësi Saakashvili, mendon opozitarja e tij, Nino Burdshanadze.

Georgien Parlamentssprecher Nino Burdschanadse

Opozitarja Nino Burdzhanadze, ish zëdhënësja e parlamentit

Saakashvili ndërkaq ka deklaruar se s´ka ndërmend të japë dorëheqjen para periudhës legjislative, që përfundon në janar të 2013-ës. Frontet janë të ashpërsuara. BE-ja dhe Këshilli i Evropës vazhdimisht u kanë bërë thirrje palëve për dialog. Qeveria para pak ditësh i ofroi opozitës bisedime për reforma. Gjithashtu premtohet krijimi i një grupi pune gjithëpartiak për rishqyrtimin e ligjit elektoral. Por drejtuesit e opozitës i refuzojnë këto oferta duke i cilësuar si "të pavërteta".

Organizatorët e demonstratave janë të vendosur, që të vazhdojnë protestën, derisa Saakashvili të deklarojë dorëheqjen. Eshtë me pikëpyetje, nëse do të marrin pjesë shumë njerëz në protesta. Shumë gjeorgjianëve u kanë ardhur në majë të hundës revolucionet. Aq më tepër, që ata nuk e dinë, se çfarë i pret, nëse Sakashvili vërtet jep dorëheqjen. Deri tani partitë e opozitës nuk kanë paraqitur asnjë program.

Autor: Gesine Dornblüth/Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Angjelina Verbica

  • Data 09.04.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HTX4
  • Data 09.04.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HTX4