1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Protesta kundër klasës politike në Bullgari

Në shkurt pati dhënë dorëheqjen pas protestash masive qeveria e Borisovit. Tani një vendim skandaloz i qeverisë së re bullgare, u bë shkak për protesta masive.

Mijëra bullgarë thërrasin tashmë prej dy javësh çdo ditë "Dorëheqje!" dhe "Mafie!" para ndërtesave të qeverisë në Sofje. Qeveria e re e socialistëve dhe partisë së Pakicës Turke (DPS), është prej më pak se një muaji në detyrë, e megjithatë njerëzit kërkojnë tani dorëheqjen e saj. Kur njerëzit dolën në rrugë në muajin shkurt, çka solli edhe dorëheqjen e qeverisë së Bojko Borisovit, shkak u bënë çmimet e larta të energjisë. Këtë herë nuk bëhet fjalë për probleme sociale në vendin më të varfër të BE-së, por për kritikë ndaj klasës politike, e cila shihet si e korruptuar. Demonstruesit janë kryesisht akademikë dhe pjesëtarë të shtresës së mesme.

Deljan Peevski

Deljan Peevski

Shkak për protestat u bë një vendim i qeverisë bullgare për kreun e shërbimit sekret. Arsyet përse pikërisht Deljan Peevski duhej të bëhej shef i ri i shërbimit sekret bullgar, vetëm mund të merren me mend. Shumë qytetarë e shohin biznesmenin 32-vjeçar si një figurë të dyshimtë, për të cilin thuhet se ka kontakte me botën e krimit. Së bashku me nënën e tij Irena Krasteva, ish shefe e shoqërisë bullgare të llotarisë, ai ka në pronësi një televizion, shumë gazeta dhe shtypshkronjën më të madhe të gazetave në vend. Se nga kanë ardhur paratë për këto investime, askush nuk e di me saktësi.

Karriera politike e biznesmenit të shkathët Peevski u duk sikur mori fund në 2007, kur ishte zv/ministër për Mbrojtjen nga Katastrofat: atëherë kundër Peevskit u hapën hetime nën akuzën për korrupsion dhe përvetësim mjetesh financiare, por pa rezultat.

Mënyra se si u kalua kandidatura e Peevskit për postin e shefit të shërbimit sekret, pak kohë më parë në Parlamentin në Sofje, shkaktoi protesta qytetarësh të zemëruar. Ata kritikuan faktin që u ndryshuan madje edhe përcaktime ligjore për ta bërë përshkrimin e postit të tillë që t'i përshtatej kandidatit.

Pakënaqësia e qytetarëve detyroi ish-kryeministrin të jepte dorëheqjen

Daniel Smilov, drejtor programi i Qendrës për Strategji Liberale në Sofje, pret një shkallëzim të mëtejshëm të krizës politike në Bullgari, dhe sheh si rrugëdalje të vetme zgjedhje të reja: "Ato duhet të zhvillohen më e vonëta pas gjashtë muajsh", thekson vëzhguesi politik.

Emërimi i Peevskit nuk ishte i vetmi vendim i dyshimtë i qeverisë së re. Ivan Ivanov ishte vetëm për tri orë zv/ministër i Jashtëm, para se të shkarkohej përsëri. Kishte dalë informacioni se më parë ai kishte pasur të bënte me një grup kriminal. Edhe vendime të tjera të qeverisë së re krijonin përshtypjen se pas tyre qendronin interesat e oligarkëve. Shumë zgjedhës u ndien të tradhëtuar dhe të keqpërdorur nga një elitë e korruptuar politike. Politikani konservator Radan Kanev foli për një vijë të re ndarëse në shoqëri, e cila nuk kalon më mes të djathtës dhe të majtës, por mes qytetarëve dhe mafies.

Inisiativa e re qytetare "Charta 2013"

Dr. Klaus Schrameyer

Dr. Klaus Schrameyer

"Politikanët besonin se mund të qeverisnin me anë të një disipline të fortë partiake dhe mekanizmash pushteti jotransparentë. Më e vonëta tani po e kuptojnë se ky është një gabim dhe se çdo gabim sjell dëme të imazhit", thotë Parvan Simeonov nga instituti Gallup në bisedë me Deutsche Welle-n.

Në mjedisin e protestave aktuale ka lindur një inisiativë e re qytetare me emrin "Charta 2013". Në të bëjnë pjesë rreth 60 juristë, studiues, politikanë dhe gazetarë, të gjithë intelektualë me emër në Bullgari dhe që me ekspertizën e tyre luftojnë kundër plutokratisë dhe duan të ushtrojnë trysni ndaj qeverisë.

"Përmbajtja e Charta-s nuk lë thuajse fare për të dëshiruar", thotë ish zv/ambasadori gjerman në Sofje, Klaus Shramajer. Por inisativa është disi e përgjithshme, jo precize dhe e gjatë për një thirrje revolucionare", mendon ai. "Në vend të rreshtimit të të gjitha dobësive të njohura të shoqërisë bullgare, duheshin vënë në dukje në mënyrë pllakative disa prioritete: një ligj i ri elektoral, thirrja e një asambleje të madhe kombëtare për rinovimin e kushtetutës, forcimi i të drejtave të Presidentit, futja e instrumentit të ankimimit kushtetues, depolitizimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, etj". Vetëm kështu mund të rivendoset shteti ligjor, thotë ish diplomati në intervistë me DW.

Nëse qeveria bullgare do të qendrojë në pushtet megjithë protestat, është vështirë të parashikohet. Në një intervistë për gazetën austriake "Die Presse", kryetari i socialistëve Sergej Stanishev e cilëson situatën në Bullgari "shpërthyese si në një tenxhere me presion" dhe bën thirrje për kthjelltësi. Qeveria e re është e gatshme të diskutojë për problemet e vërtetat të vendit, ndër të cilat çmimet e larta të energjisë, luftimin e varfërisë dhe aktivizimin e ekonomisë.