1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Protesta anti-japoneze në Kinë

Shkak është mosmarrëveshja mbi një arkipelag ishujsh të vegjël dhe të pabanuar në Detin e Kinës Lindore. Por vetëm kjo nuk e shpjegon shpërthimin e dhunës dhe emocionet e forta në Kinë.

Me këtë konflikt për grupishullin lidhet më tepër një urrejtje e thellë dhe e ngulitur prej rrethanave historike e shumë kinezëve ndaj Japonisë.

"Poshtë djajve japoneze, na ktheni ishujt Diaoyu," thërrasin demonstruesit përpara konsullatës së përgjithshme japoneze në Shanghai. Ata mbajnë flamuj të vegjël dhe të mëdhej të Kinës,  portrete të Mao Ce Dunit dhe pankarta me parulla.

Ndihet si agresioni edhe injoranca. "Ne jemi këtu për të protestuar kundër pushtimit të ishujve Diaoyu. Ne duam të shprehim se sa gabim është ky pushtim. Qeveria kineze duhet t'i ndalë japonezët. Ka kaq shumë kinezë patriotë. Qeveria duhet të na mbështesë."

Natyrisht që në këtë rast nuk mund të flitet për një pushtim japonez të kohëve të fundit, edhe pse prej zhurmës që bëhet dikush mund të mendojë se kemi të bëjmë me një pushtim të tillë.

Japonia e kontrollon këtë arkipelag prej dekadash të tëra. Rasti i ishujve Diaoyu ose Senkaku, siç quhen në Japoni, është i komplikuar, dhe - si shumë konflikte territoriale në rajon - i paqartë.

Tokioja e shpalli këtë arkipelag të pabanuar si territor nën sovranitetin e Japonisë në vitin 1895 gjatë një luftë me Kinën. Pas Luftës së Dytë Botërore, ky grup ishujsh kontrollohej fillimisht nga amerikanët, por ata ja kthyen sërish në vitin 1972 Japonisë. Kina dhe Tajvani  ngrenë nga e tyre pretendime historike për këtë arkipelag pretedimte që datojnë në kohën e dinastisë Ming. Mosmarrëveshja ka vite që zien, por kurrë më parë ajo nuk ka çuar në protesta të tilla.

Një rol luajnë faktorët ekonomikë. Diaoyu ose Senkaku gjenden në ujëra shumë të pasura me peshq. Po ashtu mendohet se në afërsi të tyre ka naftë dhe gaz. Por edhe më tepër, duket se demonstruesit e kanë hallin tek krenaria kombëtare kineze. Atyre u duket e  patolerueshme që armiku për kokë i Kinës Japonia mban të pushtuar këtë territor gjoja kinez. Urrejtja ndaj Japonisë është e gjallë madje edhe tek të rinjtë në Kinë. Në Shanghai, jeton  komuniteti më i madh japonez jashtë Japonisë, 56.000 vetë. Shumë prej tyre ndjehen aktualisht të pasigurt.

Ndjenjat anti-japoneze i kanë rrënjët në Luftën e Dytë Botërore, kur viktimë e sulmit brutal të japonezëve ranë të paktën 20 milionë kinezë. Dy vendet nuk janë pajtuar kurrë. Shumë kinezë mendojnë se Japonia ende nuk është e gatshme ta pranojë fajin e saj. Dhe qeveria e Kinës nga ana tjetër me sa duket i përdor politikisht ndjenjat anti-japoneze  në radhët e popullsisë, sepse e gjitha mund të interpretohet si  gjest kërcënues ndaj Tokios.