1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Protestë kundër kryeministrit Mustafa në Prishtinë

Dhjetëra gazetarë të medieve të ndryshme nën organizimin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, (AGK) protestuan të martën (22.03) para qeverisë së Kosovës kundër kërcënimit të një gazetari nga kryeministri Mustafa.

Shkas për protestën është bërë me gjasë një kërcënim i bërë nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, gazetarit të portalit Isnsajder.com, Vehbi Kajtazi. Ky i fundit kishte publikuar lajmin që vëllai i kryeministrit Mustafa, ishte në mesin e azilkërkuesve kosovarë që kërkuan strehim në Gjermani. Sipas një dokumenti të publikuar në Insjaderi.com, Ragip Mustafa, vëllai i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, kishte bërë kërkesë për strehim më 25 qershor të vitit 2015, pak ditë para se kryeministri Mustafa të pritej nga kancelarja gjermane Angela Merkel në Berlin. Sipas gazetarit Kajtazi pas publikimit të këtij lajmi, kryeministri i kishte telefonuar atij, duke e ofenduar dhe duke i thënë se “këtë do ta paguash shtrenjtë”.

Kryeministri Isa Mustafa, nuk e pranoi ta ketë kërcënuar gazetarin por, pranoi se në valën e azilkërkuesve nga Kosova ishte edhe vëllai i tij. "Kjo është e vërtetë", shkroi në rrjetin social facebook, kryeministri Mustafa. "Më vonë jam informuar nga familja e vëllait, se ai kishte kërkuar qëndrim jashtë vendit, për t'u shëruar nga një sëmundje e rëndë, për të cilën nuk gjente shërim në Kosovë. Në vjeshtën e vitit që shkoi ka pasur një ndërhyrje në Tiranë, tani është në Prishtinë, dhe gjendja e tij vazhdon të jetë mjaft e rëndë", shkruan kryeministri Mustafa. Në valën e migrimeve, dua të jem i hapur me ju se, kanë shkuar edhe mbesa e nipa të mi dhe janë kthyer. Kjo flet se edhe familjarët e mi ndajnë fatin me qytetarët e tjerë, hallexhinj, të Kosovës. Prandaj si Kryeministër po angazhohem që të gjejmë zgjidhje, të liberalizojmë vizat, të tërheqim investime për të krijuar vende të punës, të përmirësojmë sistemin shëndetësor dhe që sa më pak qytetarët tanë të kenë nevojë të kërkojnë shërim në forma të tilla jashtë vendit", shkruan kryeministri Isa Mustafa.

Mustafa të kërkojë falje

Pas kësaj dhjetëra gazetarë të medieve të ndryshme, me moton “Fol mos u tut”, protestuan para qeverisë kundër siç thuhet “kërcënimit që i bëri kryeministri gazetarit, Vehbi Kajtazi”. Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, (AGK) Zekirija Shabani tha se “kryeministri Mustafa, duhet të kërkojë falje publike për kërcënimin ndaj kolegut Kajtazi”. “Rritja e sulmeve dhe mosndëshkimi është cenim i fjalës së lirë. AGK kërkon nga kreu i Qeverisë të kërkoj falje publike për kërcënimin ndaj kolegut Vehbi Kajrazi. AGK kërkon nga organet e drejtësisë të ndërmerr hapa ndaj atyre që cenojnë të drejtën e fjalës së lirë”, tha Shabani.

Gazetari i “kërcënuar”, Vehbi Kajtazi, thotë se e ka denoncuar në polici rastin me kryeministrin Isa Mustafa dhe pret nga organet e drejtësisë që të thonë fjalën e tyre. Në një analizë të fundit të OSBE e bazuar në dhjetëra raporte të organizatave ndërkombëtare dhe vendore mbi lirinë e shprehjes, “thuhet se në Kosovë gjendja e lirisë së shprehjes dhe medieve mbetet e ndjeshme.

Ndërkombëtarët: Gjendja e shtypit e ndjeshme

“Gjetjet e paraqitura në këtë hulumtim mbështesin mendimin e pranuar botërisht se gjendja mbetet e ndjeshme përkundër disa përmirësimeve. Ekziston nivel i caktuar i konsistencës në lidhje me sfidat e paraqitura në këto raporte. Sfidat kryesore për lirinë e medies që u përsëritën gjatë pesë viteve të fundit në Kosovë kanë të bëjnë kryesisht me sundimin e ligjit. Legjislacioni kyç është miratuar apo ndryshuar në vitet e fundit, por problem mbetet zbatimi i tij. Ekzistojnë raportime se gazetarët janë kërcënuar, frikësuar, se është ushtruar trysni ndaj tyre dhe se në disa raste janë sulmuar fizikisht. Gjyqësori deri më tani ka qenë i ngathët në trajtimin e rasteve të tilla”, thuhet në analizën e OSBE-së.

Edhe në raportin e fundit të "Freedom House", Kosova renditet si një vend jo i lirë. Në shkallën prej një deri në shtatë, ku njëshi është nota më e mirë, Kosova për të drejtat politike merr noten gjashtë dhe notën pesë për të drejtat civile. Kosova po ashtu kritikohet për mosrespektim të të drejtave të njeriut, të pjesëtarëve të pakicave, situatës së keqe të sigurisë dhe korrupsionit.