1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Protestë dhe dhunë në Podgoricë

Millo Gjykanoviç e qeveris Malin e Zi si një shtet privat, thotë opozita. Protestat kritike ndaj qeverisë mposhten me forcë. Por rezistenca po rritet në shetin e vogël ballkanik.

Në ditën e dytë radhazi protestat të dielën (18.10) në Mal të Zi u përshkallëzuan në konfrontime të dhunshme mes demonstruesve dhe policisë. Mijëra vetë në mbrëmje dolën në rrugët e Podgoricës duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Millo Gjykanoviç dhe qeverisë së tij të majtë, siç njofton një gazetar i agjencisë së lajmeve AFP. Nga radhët e demonstruesve u hodhën gurë dhe flakhedhës në drejtim të policisë. Forcat e rendit përdorën gazin lotsjellës.

Të shtunën policët kishin penguar marshimin e qindra njerëzve drejt parlamentit. Njësi të përforcuara policie rrethuan parlamentin dhe godinën qeveritare. Kur demonstruesit u përpoqën të çajnë bllokadat, policia përdori gazin lotsjellës.

Pak më parë policia kishte shpërndarë një kamping protestuesish të vendosur qysh përpara disa javësh para parlamentit. Shumë protestues u dëbuan nga ky shesh.

Opozita në Mal të Zi kërkon një qeveri tranzicioni dhe zgjedhje të reja. Qysh në fund të shtatorit mijëra vetë në Podgoricë kanë protestuar kundër Gjykanoviçit. 53-vjeçari është që nga fillimi i viteve 90-të në pushtet në ish-republikën jugosllave me rreth 630.000 banorë. Në këtë mënyrë ai është ndër politikanët me vjetërsinë më të lartë në Europën Juglindore.

Në qershor Gjykanoviç u rizgjodh në krye të partisë socialiste në pushtet në Mal të Zi me rezultat eksepsional prej njëqind për qind të votave. Kjo ndodh rrallë madje edhe tek udhëheqësit e fortë partiak në gadishullin e Ballkanit.

Zgjedhjet e rregullta parlamentare në Mal të Zi zhvillohen në pranverë 2016. Për të shtunën (24.10) e ardhëshme opozita planifikon protesta masive.