1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Protagonistë në prapaskenë

Presidenti i Këshillit të BE-së, Van Rompuy dhe Përfaqësuesja e Politikës së Jashtme, Ashton duhej të ishin figurat indetifikuese të BE-së. Por pas më shumë se dy vjetësh në post, thuajse aksush nuk i njeh.

Teksa në fund të vitit 2009 u emëruan prej qeverive të vendeve të BE-së, belgu Herman Van Rompuy dhe britanikja Catherine Ashton ishin prakitisht të panjohur nga opinioni i gjerë. E në këtë drejtim deri më sot s'ka ndryshuar asgjë. Ndonëse presidenti i përhershëm i Këshillit të BE-së dhe Përfaqësuesja e Politikës së Jashtme mbajnë postet më të larta të BE-së.

Mendimi personal është i parëndësishëm

Presidenti i Këshillit në bazë të Marrëveshjes së Lisbonës, duhet të garantojë më shumë vazhdimësi në BE. Deri para kësaj marrëveshjeje presidenca e këshillit drejtohej me rotacion çdo gjashtë muaj nga vendi anëtar, që mbante presidencën e radhës.

Gjatë bisedave për zgjedhjen e drejtuesit të postit të përheshëm të Presidentit të Këshillit, lakoheshin emrat e figurave të njohura politike, njëri prej tyre ishte p.sh. ish-kryeministri britanik Tony Blair. Por në fund u zgjodh dikush, që ishte si të thuash një lloj antipodi i Blair-it: ish-kryeministri i tërhequr belg, Herman Van Rompuy. Ai donte të ndërmjetësonte, të bashkonte, të krijonte konsensus, mendimi i tij personal nuk kishte vlerë, kështu u shpreh Van Rompuy në fillim të detyrës së tij. Askohe atij iu desh të përballej me shumë shpoti. Ai nuk është aspak karizmatik dhe duket si një nëpunës i vogël banke, tallej eurodeputeti britanik Nigel Farage, i partisë euroskeptike Independence Party. Van Rompuy i pranishëm e duroi këtë fyerje pa thënë asnjë fjalë.

Van Rompuy ka fituar peshë në krizën e borxheve

Ndërmjetësim, kërkim konsensusi: Van Rompuy me Merkel dhe Cameron

Ndërmjetësim, kërkim konsensusi: Van Rompuy me Merkel dhe Cameron



Por atë e kanë nënvleftësuar. Pikërisht mënyra e tij pa rënë në sy duket se e ka ndihmuar Van Rompuy-n, i cili i ndjek me këmbëngulje qëllimet e tij. Mjaft të vlefshme kanë qenë cilësitë e tij si ndërmjetësues në negociatat kryesisht lidhur me krizën e borxheve. Duke u përpjekur vazhdimisht për ta qetësuar situatën, Van Rompuy ia ka dalë që t'i harmonizojë përfytyrimet e vendeve të fuqishme si Gjermania dhe Franca, me interesat e vendeve më të vogla duke arritur të parandalojë, që Evropa të shkëputet nga eurozona. Fakti që vetëm brenda pak muajsh u konceptua Pakti Fiskal dhe që atë e kanë nënshkruar pothuajse të gjitha shtetet e BE-së, është meritë e punës së Van Rompuy-t. Tani ai jo vetëm është konfirmuar në postin e tij, por do të drejtojë edhe samitin e vendeve të eurozonës, një tjetër dëshmi kjo për besimin ndaj tij. Legjendar është pasioni i Van Rompuy-t për vjershat japoneze Haikus, këto janë poezi të shkurtra me një strukturë rigoroze. Madje disa prej tyre ai i citon ndonjëherë gjatë mbledhjeve të këshillit për të çliruar atmosferën.

Çështje proporcioni

Edhe emërimi i Catherine Ashton ishte i papritur. Në përzgjedhjen e drejtuesve të këtyre dy posteve duhej të merreshin parasysh gjinia, partia dhe propocioni sipas vendit: Një politikani konservator nga një vend i vogël i BE-së si Belgjika iu vu përballë një grua me background laburist nga një vend i rëndësishëm ekonomik si Britania e Madhe. Kritikat ndaj Ashton kishin të bënin kryesisht me mungesën e përvojës në politikën e jashtme dhe me mangësitë në njohuritë e gjuhëve të huaja. Ndryshe nga Van Rompuy, i cili flet frëngjisht, holandisht, anglisht dhe gjermanisht, Ashton zotëron rrjedhshëm vetëm gjuhën e nënës.

Besnikëri kufizuese

Prioritet Lindja e Mesme: Catherine Ashton dhe Mahmud Abbas

Prioritet Lindja e Mesme: Catherine Ashton dhe Mahmud Abbas



Titulli zyrtar i Ashton-it është “Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë". Ajo mbulon njëherazi në këtë post detyrat e ish-përfaqësuesit të BE-së për Politikën e Përbashkët për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Sigurinë dhe atë të komisionerit për Marrëdhëniet me Jashtë. Në thelb ajo është ministre e Jashtme e BE-së, por nuk lejohet të quhet kështu për shkak të ndjeshmërive nacionale. Pozicioni i Ashton-it brenda BE-së është i komplikuar. Ajo mban një të ashtuquajtur "kapele të dyfishtë", siç quhet në zhargonin e Brukselit. Kjo do të thotë, që ajo përfaqëson jo vetëm Këshillin e vendeve anëtare, por është edhe zëvendëspresidente e Komisionit. Përveç kësaj nën kompetencat e saj është edhe Shërbimi Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, një strukturë kjo në zhvillim. Besnikëria e dyfishtë ia ngushton asaj jashtëzakonisht hapësirën e veprimit. Ajo madje e ka edhe më të vështirë se Van Rompuy që të shprehë qartë mendimin e vet personal. Kjo është arsyeja përse ato çfarë thotë Ashton lidhur me konfliktet e mëdha në botë, tingëllojnë detyrimisht shumë të përgjithshme.

Ashton vendos prioritetet e veta

E megjithatë ajo ka vendosur prioritetet e veta tematiko-gjeografike. Ajo është angazhuar veçanërisht për një zgjidhje paqësore në Lindjen e Mesme në kuadër të bisedimeve të katërshes (OKB, BE, SHBA dhe Rusia), përpiqet vazhdimisht ta bindë Iranin përmes zgjidhjes me bisedime, që të heqë dorë nga programi i diskutushëm bërthamor. Ajo kërkon gjithashtu kontakte të ngushta me vendet e përfshira nga revolucioni i pranverës arabe. Kohët e fundit tema e Sirisë ka qenë një ndër prioritetet e veçanta të saj. Gjithashtu Ashton qysh në fillim të mandatit të saj është angazhuar për mirëkuptimin mes Serbisë dhe Kosovës dhe përpiqet për zgjerimin e "partneritetit strategjik" mes BE-së dhe vendeve si SHBA, Rusia, Kina dhe India.

Ku është Ashton? Ne nuk e dimë!

Volumi i marrëdhëneve të BE-së me jashtë bën, që Ashton nuk mund të jetë kudo. Por pavarësisht nga ky fakt vazhdimisht shprehen kritika, që Përfaqësuesja e Politikës së Jashtme nuk është e pranishme në takime të rëndësishme, reagon shumë vonë lidhur me temat akute dhe harxhon shumë kohë në atdheun e saj britanik. Ndonjëherë duket sikur punonjësit e saj as që janë në dijeni për rrjedhën e ngjarjeve. E paharruar mbetet përgjigja e zëdhënësit të Komisionit ndaj pyetjes së një gazetari, se ku ndodhet Ashton aktualisht.  "Ne nuk e dimë, ku është ajo tani, por sidoqoftë ajo punon." Ndonëse në përgjithësi tashmë janë pakësuar kritikat ndaj saj.

Të mëdhenjtë deshën kështu

Të mëdhenjtë duan të jenë në qendër të vëmendjes.

Të mëdhenjtë duan të jenë në qendër të vëmendjes.



Për të dy, si për Herman Van Rompuy edhe për Catherine Ashton, vlen: Jo rastësisht ata janë kaq të tërhequr, por disa qeveri të BE-së kanë dashur që ata të jenë kështu. Janë në radhë të parë vendet e mëdha dhe kryeministrat e tyre që preferojnë të vazhdojnë të jenë protagonistë duke mos dashur që të mbeten nën hijen e përfaqësuesve karizmatikë të BE-së. Në sfondin e një kufizimi të tillë të padëshiruar, Herman Van Rompuy ia ka dalë që t'i japë peshë pozicionit të tij, ndërkohë që Catherine Ashton luan rolin, që kanë parashikuar për të ata që e kanë emëruar. Asnjë prej të dyve nuk do të arrijë të bëhet një ditë figura e njohur mbarëbotërore e BE-së.

  • Data 13.12.2012
  • Autor Christoph Hasselbach / Vilma Filaj-Ballvora
  • Fjalët kyç Ashton, van Rompuy, BE
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/171Z5
  • Data 13.12.2012
  • Autor Christoph Hasselbach / Vilma Filaj-Ballvora
  • Fjalët kyç Ashton, van Rompuy, BE
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/171Z5