1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Promovohet në Bruksel projekti për tërheqjen e investitorëve për Brezovicën

Qeveria e Kosovës ka ftuar kompanitë ndërkombëtare për investime në qendrën e skijimit në Brezovicë. Në vend të privatizimit është konceptuar një koncension në partneritet publiko-privat për Brezovicën .

Një prej sfidave më të mëdha të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) ka qenë dhe mbetet privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore (shtetërore) që gjenden në zonat e banuara me shumicë serbe. Këtu bën pjesë edhe kompleksi turistik “Brezovica” që gjendet në rajonin e Shtërpcës. Përgatitjet për privatizimin e „Brezovicës“ kanë filluar qysh në vitin 2006. Megjithatë, sipas zëvendëskryeministres së qeverisë së Kosovës dhe ministres së Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari-Lila, atëherë ka qenë një situatë krejt tjetër.

Në foto, Mimoza Kusari-Lila

Në foto, Mimoza Kusari-Lila

"Atëherë kemi pasur një proces të privatizimit klasik. Tani kemi një projekt krejtësisht tjetër, një projekt që është i paraparë përmes partneritetit publiko-privat (PPP) që parasheh dhënien e Brezovicës me koncension, me një marrëveshje 99 vjeçare“.

Qeveria e Kosovës, përkatësisht ministria e Tregtisë dhe Industrisë në javën që kaloi (11-15.03.2013) ishte në një fushatë promovuese të Projektit për Brezovicën: zëvendëskryemnistrja Kusari është takuar në Denver, Colorado të SHBA-së me përfaqësues të kompanive të interesuara për të investuar në fushën e skijimit dhe turizmit në Kosovë. Konferenca dhe takime pune për të njëjtin qëllim janë zhvilluar edhe në Dubai (11.03.) , në Vjenë (14.03.) dhe në Bruksel (15.03.). Në to ishte i pranishëm edhe kryebashkiaku i Shtërpcës Bratislav Nikoliq. Ai është shumë optimist përsa i përket projektit të Brezovicës. Sipas tij tani nuk ka pse të ketë asnjë pengesë përsa i përket këtij procesi.

Në foto, Bratislav Nikoliq

Në foto, Bratislav Nikoliq

"Ky projekt u përket të gjithë qytetarëve, të cilët jetojnë në komunën e Shtërpcës, u përket të gjithë atyre që direkt ose indirekt merren me turizëm, u përket të gjithë sipërmarrësve që jetojnë në komunën e Shtërpcës, në komunat përrreth dhe në mbarë territorin e Kosovës. Prandaj unë mendoj se jemi në rrugë të mirë sa i përket këtij projekti.”

Brezovica është thesar i Kosovës

Projekti për Brezovicën është mbështetur fuqishëm edhe nga USAID-i amerikan. Jim Jamieson është këshilltare strategjike e Komisionit Drejtues Ndërministror për Brezovicën. Ajo tha në Bruksel se Kosova nga viti 2008 ka harxhuar kohë duke u marrë me zhvillimin e demokracisë në vend dhe tani është fokusuar në zhvillimin ekonomik.

Në foto, Jill Jamieson

Në foto, Jill Jamieson

"Prandaj kjo për bizneset, kompanitë e ndërtimeve dhe të fushave të tjera është një shans i mirë për inkuadrim… Brezovica është një thesar i Kosovës, është një pasuri kombëtare dhe një projekt për të cilin janë pajtuar të gjithë", tha Jamieson.

Rajoni i Brezovicës si qendër skijimi nuk është i panjohur as për Komitetin Olimpik dhe Ndërfederal Belg. Drejtori i marketingut pranë këtij komiteti, Piet Moons e vlerësoi si shumë të mirë iniciativën e qeverisë së Kosovës për dhënien me koncension të Brezovicës:

Në foto, Piet Moons

Në foto, Piet Moons

"Kosova ka vise malore me lartësi deri në 2500 metra mbi nivelin e detit me mundësi të mëdha skijimi. Ky është një projekt shumë i mirë, projekt i së ardhmes, trashëgimi për gjeneratat e ardhshme“, thotë Piet Moons.

Korrupsioni - temë e pashmangshme në takime të tilla

Takimi në Bruksel për prezantimin e projektit për "Brezovicën" ishte organizuar nga Klubi belg për teknologji sportive. Peter Demuynck është drejtor i këtij klubi. Ai thekson për DW se takimi e ka përmbushur atë që pritej: “Ky ishte një delegacion i veçantë dhe në një mënyrë, shumë konkret, i arsyeshëm, i përgatitur shumë mirë. Unë jam i impresionuar dhe ky takim i ka përmbushur pritjet tona. Nga njëra anë në takim kishte njerëz që janë investitorë potencialë dhe nga ana tjetër këtu kishte njerëz që përfaqësojnë kompani, të cilat me teknologjinë e tyre mund të kontribuojnë në suksesin e këtij projekti.“

Në foto, Peter Demuynck

Në foto, Peter Demuynck

Siç thekson edhe Peter Demuynck, delegacioni nga Kosova i përgatitur mirë bëri një prezantim të gjithanshëm jo vetëm të projektit të Brezovicës, por edhe për kushtet dhe klimën për investime të huaja në Kosovë. Megjithatë për një temë kishte nevojë për sqarime shtesë: korrupsionin dhe luftimin e tij. Sipas zëvendëskryeministres Kusari-Lila në vendet në tranzicion, sidomos në vendet e Ballkanit Perëndimor është e pashmangshme çështja e korrupsionit dhe luftimi i tij. Ajo u tha të pranishmëve se qeveria e Kosovës mundohet në këtë proces që t'i shkurtojë procedurat burokratike, të cilat influencojnë kryesisht në nxitjen e korrupsionit. Kjo përpjekje sipas saj është pranuar pozitivisht për Kosovën edhe në raportin e Bankës Botërore për biznesin. Në vitin 2012 Kosova u shpall në këtë raport si reformatori më dinamik në kuadër të vendeve të Evorpës Juglindore. "Megjithatë kjo nuk është e tëra, për shkak se ka nevojë për një luftë intensive, gjegjësisht një përpjekje të vazhdueshme dhe vetëdijësim të përgjithshëm që korrupsioni nuk është rruga që sjell përparim”, sqaron Mimoza Kusari-Lila për DW.