1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Promovimi i bashkëpunimit ekonomik shqiptaro-serb

Një nga fushat ku angazhohet Qendra e Përbashkët për Marrëdhëniet Shqipëri-Serbi është nxitja e projekteve e ideve që përshpejtojnë e thellojnë shkëmbimet tregtare, investimet e qarkullimin e kapitaleve mes dy vendeve.

Qendra e Përbashkët për Marrëdhëniet Shqipëri – Serbi gjatë vitit 2016 ka pasur një agjendë të ngjeshur kontaktesh, forumesh dhe të shkëmbimeve të ndërsjellja me synimin e normalizimit, rritjes dhe përmirësimit të marrëdhënieve mes dy shteteve në aspektet politike, ekonomike dhe shoqërore. Tryeza e rrumbullakët e ditës së mërkurë (14.12.2016) kishte në qendër pikërisht promovimin e bashkëpunimit ekonomik, si një hapësirë prezantimi të ideve dhe problematikave të aktualitetit dhe të së ardhmes. Ekspertë të ekonomisë, përfaqësues nga komunitetet e biznesit, nga shoqëria civile, nga diplomacia, politika e media vlerësuan pamjen e ditës, ajo që lëviz në raportet mes dy shteteve me një të kaluar shumë problematike, si dhe ato mundësi dhe potenciale që përshpejtojnë dhe thellojnë shkëmbimet tregtare, investimet dhe qarkullimin e kapitaleve në të ardhmen.

Për ish-diplomaten e lartë serbe, Jelica Miniç, nga Forumi për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Lëvizjes Europiane për Serbinë gjatë dy viteve të fundit ka një ndërgjegjësim në rradhët e komuniteteve të sipërmarrjes nga të dy vendet për të pasur kontakte të drejtëpërdrejta. Biznesi ka nuhatje të pagabueshme, thotë Miniç, gjen rrugë e shtigje konkrete për të qarkulluar kapitalet.

"Lehtësimi i komunikimit mes kryeministrave Vuçiç dhe Rama, por dhe në nivele të tjera të larta është një sfond nxitës. Grupet e biznesit nuk kanë qenë thjesht në pritje të sinjaleve pozitive nga qeveritë, por dhe kanë lëvizur në projekte. Energjetika, infrastruktura, përpunimi i agroprodukteve etj janë me interes reciprok”.

Krijimi i një klime pozitive në shkallë rajoni

Dr. Predrag Bjelić, pedagog në fushën e Tregtisë Ndërkombëtare në fakultetin e Ekonomisë pranë Universitetit të Beogradit e përshkruan vitin 2015, si më të mirin në raportet ekonomike mes dy vendeve. Besoj se dhe treguesit e 2016 janë në këtë trend, thotë ai për Deutsche Welle-n." Raportet ekonomike duhen parë në një kontekst më të gjerë se raportet dypalëshe. Dua të them të krijimit të një klime pozitive në shkallë rajoni. P.sh. CEFTA është një instrument shumë i mirë, por mendoj se ka ende pengesa. Jo thjesht pengesa që vijnë nga politika, por dhe nga vetë mendësia e biznesit, e mënyrës se si duhet të menaxhohet bashkëpunimi. Forumi Ekonomik i Nishit para rreth dy muajsh ishte një mundësi shumë e mirë, por evente të tilla duhet të jenë më shumë dhe në formate të larmishme, ku të zgjohen ide dhe propozime nga sipërmarrjet.”

Presidenti i BiznesAlbania, Luan Bregasi duke bërë një retro të vitit 2016 kujton veç Forumit Ekonomik shqiptaro – serb të Nishit dhe krijimin e dhomes së biznesit mes dy vendeve. Unë do ta vlerësoj si një zhvillim që nuk ka ardhur me direktivë apo me urdhër, thotë Bregasi për Deutsche Welle-n.

Albanien - Porträt Luan Bregasi (DW/A. Muka)

Luan Bregasi

"Afrimi i bizneseve ka ardhur si nevojë e tregut në rradhë të parë. Nëse do të operojnë veçmas Shqipëria dhe Serbia ato janë të vogla për interesimin e investitorëve të huaj. Po të jenë bashkë zgjerojnë tregun. Jo vetëm këto të dy vende, por dhe të tjera në rajon duhet të jenë në marrëdhënie shumë të mira, pasi kështu jemi më tërheqës për projekte strategjike: shumëfishojmë kërkesën, shumëfishojmë ofertën. Them me bindje se në Shqipëri tani ka më shumë njohuri për tregun e Serbisë, ashtu si edhe anasjelltas. Komunikimi ynë është në dy nivele: në rang shoqatash a organizatash të biznesit, si dhe në rang të kontakteve të drejtëpërdrejta sipas interesit dhe fushës ku operohet.”

Qytetarët nuk kanë informacion të mjaftueshëm

Drejtori i Institutit Shqiptar për Studimet Ndërkombëtare, AIIS, dr. Albert Rakipi thekson, se për të vlerësuar perceptimin e qytetarëve shqiptarë për raportet mes dy vendeve, sapo është finalizuar një sondazh në të 12 qarqet e vendit, zhvilluar gjatë muajve tetor dhe nëntor. "Sondazhi, që është mbështetur nga ministria e jashtme e Suedisë përmbledh pyetjen në terren të një kampioni prej 1400 qytetarësh duke u fokusuar në aspekte të tilla, si vlerësim mbi marrëdhëniet mes dy shteteve, konsiderata rajonale, interesi ekonomik, relatat ekonomike, import-eksporti, turizmi etj”.

Zëvendësdrejtoresha e AIIS-it, Alba Çela, thotë për Deutsche Welle-n se gjetjet e këtij sondazhi shkojnë në sinkron me frymën e çliruar të marrëdhënieve shqiptaro- serbe kohët e fundit, kur gjithnjë e më shumë qytetarë shqiptarë kanë optikë pragmatiste në të ardhmen e bashkëpunimit në interes të dy vendeve. Më shumë se gjysma e të

Alba Cela Albanien (DW/A.Muka)

Alba Çela

pyeturve i vlerësonin raportet Shqipëri – Serbi si normale, tregon Çela duke iu referuar shifrave të sondazhit.

"Për 54 % të të anketuarve raporti ishte ‘normal', për 17% vlerësimi ishte ‘mirë', për 18% është ‘keq'; në mënyrë të barabartë, me 3%, i karakterizuan marrëdhëniet si ‘shumë mirë' dhe ‘shumë keq', ndërkohë që pjesa e mbetur u përgjigj ‘nuk e di'. Në këtë gjatësi vale ishte dhe përgjigja ndaj pyetjes për të ardhmen e marrëdhënieve mes dy vendeve, ku 47 % mendonte se ato ‘do të përmirësohen'; 34 % që ‘nuk do të ketë ndonjë ndryshim'; 6% parashikon se ‘do të përkeqësohen' dhe pjesa e mbetur nuk kishte ide rreth perspektivës. Duke u nisur nga përgjigjet e qytetarëve shqiptare një gjë ishte evidente kur vjen puna e vlerësimit të raporteve Shqipëri-Serbi, që nuk ka informacion të mjaftueshëm për këto zhvillime. Ka pak njohuri mbi kooperimin ekonomik, për fushat ku ka interes, ku bashkëpunohet etj. Ky është një problem që duhet ta shënjestrojmë në të ardhmen. Për këtë duhet të punojmë ne si shoqëri civile, autoritetet, media etj. Vitin e ardhshëm Qendra e Përbashkët për Marrëdhëniet Shqipëri – Serbi, përshembull, do të ketë më shumë intensitet në trajtimin e çështjeve ekonomike mes dy vendeve, në gjallërimin dhe përshpejtimin e projekteve me interes dy a më shumë palëshe.”

Platformë shumëplanëshe kooperimi

Qendra e Përbashkët për Marrëdhëniet Shqipëri – Serbi është një iniciativë që ka nisur nga vjeshta e vitit 2015 nga dy organizata joqeveritare: Instituti Shqiptar për Studimet Ndërkombëtare, AIIS, në Tiranë dhe Forumi për Marrëdhëniet Ndërkombëtare i Lëvizjes Europiane të Serbisë, EMinS, në Beograd. Ajo u konkretizua në fillim të këtij viti si një platformë shumëplanëshe kooperimi mes dy organizatave partnere, bazuar në frymën e iniciativës së Kancelares Merkel dhe mbështetja e vendeve anëtare të BE-së përmes konferencave vjetore për rajonin. Fondacioni Gjerman Friedrich Ebert, FES dhe Ambasada e Gjermanisë në Tiranë kanë akorduar fonde për fillimet e kësaj iniciative.