1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Prokuroria e Kosovës: Astrit Dehari, aktivist i "Vetëvendosjes" është vetëvrarë

Astrit Dehari u gjet i vdekur në burgun e Prizrenit me datën (05 11). Ai akuzohej për sulm me mjet shpërthyes mbi parlamentin e Kosovës. Vetëvendosja: Raporti i pabesueshëm.

Kosovo Protest in Pristina zum Tod von Astrit Dehari (DW/B. Shehu)

Protesta për vdekjen e Astrit Deharit

Krerët e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, thanë të premten pasdite (18.11)se aktivisti i lëvizjes vetëvendosje, Astrit Dehari, i cili u gjet i vdekur (05.11) në burgun e Prizrenit, është vetëvrarë. Raporti i autopsisë u publikua nga kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit Sylë Hoxha, mirëpo, kjo u hodh poshtë nga lëvizja Vetëvendosje, e cila tha se nuk i beson raportit të autopsisë të publikuar nga organet shtetërore të hetuesisë. Aktivisti i lëvizjes Vetëvendosje Astrit Dehari, mbahej i arrestuar në burgun e Prizrenit, i cili së bashku me pesë aktivistë të tjerë të Vetёvendosjes akuzohej për sulm me mjet shpërthyes mbi godinën e parlamentit të Kosovës, pas përpjekjes së parlamentit për ta ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxha, duke prezantuar para medieve rezultatet e raportit të autopsisë për rastin Dehari, tha se "nga raporti i autopsisë rezulton se vdekja e të ndjerit Astrit Dehari ka ardhur si pasojë e asfiksisë mekanike "mbyllja ose bllokimi i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes", si pasojë e dëmtimeve të vetëshkaktuara, të cilat kanë qenë të shoqëruara me gjakderdhje të jashtme". Sipas prokurorit Hoxha, pjesë e hetimeve ishin edhe videoinҁizimet brenda burgut dhe pas kontrollit të tyre nuk ka rezultuar për dyshime të ketë pasur përleshje fizike apo ndonjë problem ndërmjet të burgosurve dhe oficerëve me të ndjerin Astrit Dehari. "17 persona janë marrë në pyetje por nuk kemi ndonjë të dyshuar. Të gjitha provat dhe ekzaminimet e deritashme të kryera gjatë procesit hetimor vënë në pah se ky rast ishte vetëvrasje", tha prokurori Sylë Hoxha.

Lëvizja Vetëvendosje, e cila vazhdimisht përgjegjësinë për vdekjen e Astrit Deharit, e ka adresuar tek institucionet e shtetit, pas publikimit të raportit të autopsisë, tha se raporti me të gjeturat për shkaktarin e vdekjes së aktivistit Dehari është i pabesueshëm. Familja e të ndjerit Dehari, ka angazhuar dy ekspertë të pavarur për këtë rast dhe atyre sipas Vetëvendosjes "do t'u duhen edhe disa ditë që ta analizojnë këtë raport të autopsisë dhe ta thonë mendimin e tyre, bazuar edhe në shënimet që ata I kanë marrë gjatë vëzhgimit të obduksionit".

Që nga data (05.11) kur në burgun e Prizrenit u gjet i vdekur aktivisti i Vetëvendosjes Astrit Dehari, ky subjekt politik nuk ka pushuar me aktivitete të ndryshme duke kërkuar drejtësi për rastin Dehari. Një marsh i tillë u zhvillua edhe të premten në Prishtinë ku disa mijëra qytetarë, marshuan rrugëve të kryeqytetit duke bartur pankarta "Drejtësi për Astrit Deharin". Prokuroria Themelore në Prizren thotë se pavarësisht të dhënave nga raporti i autopsisë, hetimet për këtë rast do të vazhdojnë.