1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Prokurori i Përgjithshëm i Gjermanisë ndalon hetimet kundër gazetarëve

Prokurori i Përgjithshëm në detyrë i Gjermanisë e ndërpreu hetimin për tradhëti të atdheut kundër gazetarëve të blogut netzpolitik.org. Ai tha se informacioni i publikuar nuk përmbante sekrete shtetërore.

Në një deklaratë të publikuar në internet, të nxjerrë të hënën, kryeprokurori në detyrë, Gerhard Altvater tha se në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë kishte arritur në përfundimin se "përmbajtja e publikuar nuk është sekret shtetëror", siç e përcakton atë Kodi Penal Gjerman.

Hetimet për shkak të shkeljes së sekretit në detyrë vazhdojnë

Dyshimi kundër personave të panjohur deri tani për shkak të shkeljes së sekretit në detyrë mbetet i pandryshuar. Por kjo procedurë do t'i përcillet Prokurorisë kompetente për këtë punë.

Hetimet qenë drejtuar kundër kryeredaktorit të blogut netzpolitik.org, Markus Beckedahl si dhe bashkëpunëtorit të tij, André Meister si dhe informantëve të tyre. Blogu ka publikuar dokumenta të brendshme të Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës. Në to bëhet bëhet fjalë për plane për mbikqyrjen edhe më të fortë të internetit. Kallëzimin e pati bërë Presidenti i Mbrojtjes së Kushtetutës, Hans- Georg Maaßen. Në kuadër të kësaj afere, ish-Prokurorit të Përgjithshëm Harald Range iu desh të japë dorëheqjen.

Për netzpolitik.org puna nuk ka mbaruar

Beckedahl kërkoi sqarime të mëtejshme. "Ne kërkojmë qendrim transparent për faktin nëse jemi bërë në kuadër të hetimeve viktima të përgjimeve", tha ai. Këtu ka ende shumë paqartësi. "Ne duam të mësojmë më tej se kush i lëviz fijet në prapaskenë në qeverinë gjermane."

Spekulimet e Beckedahlit, sipas të cilave në kuadër të hetimeve mund të jetë përgjuar netzpolitik.org, një zëdhënës i Ministrisë së Drejtësisë i kundërshtoi. Por përveç kësaj ai nuk pranoi të pozicionohej. Vendimi i Prokurorit të Përgjithshëm nuk komentohet, në këtë rast si dhe në raste të tjera. Edhe zëdhënësi i qeverisë, Steffen Seibert nuk pranoi të prononcohet për vendimin e Karlsruhes.

Shoqatat e gazetarëve kërkojnë sqarim të aferës

Organizatat e gazetarëve kërkojnë sqarim të kësaj afere. Një rast i tillë nuk duhet të përsëritet, kërkoi "Reporterë pa kufi". Bashkimi i Gazetarëve Gjermanë (DJU), që bën pjesë tek sindikata Verdi kërkoi "sqarimin rrënjësor të ngjarjeve". Ndërsa Shoqata e Gazetarëve Gjermanë (DJV) tha që dispozitat për tradhëtinë e atdheut duhet të përpunohen dhe prej tyre të përjashtohen nga ndjekja penale gazetarët.

kle/uh (dpa, afp, epd)