1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Prokurori i Guantanamos kritikon tribunalet ushtarake dhe jep dorëheqjen

Përsëri një prokuror ushtarak në kampin e të burgosurve Guantanamo ka dhënë dorë-heqjen. Metodat e tribunaleve ushtarake - që deri tani kanë shpallur vetëm një dënim - janë kritikuar ashpër edhe brenda SHBA.

Një i burgosur, ecën në pjesën e kampit të Guantanamos, për ata që bashkëpunojnë

Një i burgosur, ecën në pjesën për ata që "bashkëpunojnë", të kampit të Guantanamos

Nënkoloneli Darrel Vandeveld ka hequr dorë nga detyra si prokuror ushtarak për „skrupuj moralë“, njoftojnë media të ndryshme amerikane. Eprorët e tij kanë fshehur siç duket dëshmi, që do ta kishin shkarkuar nga faji një të burgosur afgan në kampin e të burgosure në Guantanamo Bay në Kubë. Vandeveld kishte mbështetur në tribunalin ushtarak kundër afganit Mohammed Javad (Jawad) kërkesën e mbrojtjes, për të hequr dorë nga akuza. Javadi akuzohet, se në fund të vitit 2002, në moshën 16 apo 17 vjeçare, ka qëlluar me granatë dy ushtarë amerikanë dhe përkthyesin e tyre, duke i plagosur që të tre. Ai rrezikohet të dënohet me burgim të përjetshëm.

Sipas Vandeveldit ekzistojnë megjithatë dëshmi se Javadi, para se të kryente këtë akt, ka qenë nën ndikimin e drogës. Përveç kësaj ministria e brendshme afgane pohon, se dy burra të tjerë e kanë marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin. Por kryeprokurorit nuk i janë vënë në dispozicion këto informacione, citohet prej shkresës së dorëheqjes së Vandeveldit. Prokurori epror ushtarak e ka kundërshtuar këtë kritikë dhe ka deklaruar, se dorëheqja e Vandeveldit ka arsye personale, ai siç duket është i zhgënjyer, sepse askush nuk e ka pranuar: „mençurinë e rekomandimeve të tij". Megjithë këto përgënjeshtrime në shtypin amerikan ka kritika të reja ndaj gjyqeve ushtarake. Në të kaluarën, organizata si Hjumën Rajts Uoç („Human Rights Watch“) e kanë kritikuar këtë sistem për mungesë transparence dhe korrektësie dhe përzierjeje në politikë.

Dhe pastaj Vandeveldi nuk është i pari prokuror ushtarak, që jep dorëheqjen. Tre të tjerë, ndër ta ish kryeprokurori, Morris Dejvis (Davis), janë larguar po ashtu nga detyra për „arsye morale“. Dejvis del që atëherë herë pas here në radio dhe televizion dhe kritikon ashpër tribunalet.

„Të pandehurit kanë të drejtën e shqyrtimit rrënjësor të të gjitha dëshmive dhe për një proces korrekt gjyqësor. Të dyja duhet t´i vësh në pikëpyetje."

Bëhet fjalë gjithnjë për dëshmi të akuzës, për pohime të bëra nën përdorimin e torturës dhe për vlerësimin e tyre.

„Në disa raste kemi shkuar shumë larg. Është diçka tjetër, nëse do të kesh informacione të fshehta nga të burgosurit, apo deponime të vlefshme për gjyqin. Disa nga praktikat tona të marrjes në pyetje kanë qenë ndoshta efektive përsa i përket mbledhjes së informacioneve të dobishme. Por kushtet e këtyre marrjeve në pyetje ndalojnë ama, që informacione të tilla të kenë forcë dëshmuese para një gjykate amerikane.“

Debati për tribunalet ushtarake hyn kështu në një raund të ri. Ndërkohë prokuroria ka ngritur padi kundër 20 prej të 250 të burgosurve të Guantanamos. E ardhmja e tyre është e paqartë, ndryshe nga ajo e kampit. Të dy kandidatët për presidentë, republikani Xhon Mekkein (John McCain) dhe demokrati Barak Obama (Barack Obama), duan ta mbyllin Guantanamon. Megjithatë Mekkeini nuk heq dorë nga tribunalet, por do t´i spostojë ato në brendësi të vendit, ndërsa Obama ka deklaruar, se të burgosurit duhet të dalin para gjykatave të rregullta ushtarake, pa u cënuar të drejtat e tyre, gjë që do të përmirësonte shumë perspektivën e tyre për dënime më të ulëta, shpesh madje edhe për lirime.

  • Data 26.09.2008
  • Autor Karsten Shmister/ Uashington
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/FPej
  • Data 26.09.2008
  • Autor Karsten Shmister/ Uashington
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/FPej