1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Projektligji për mediet në Shqipëri shqetëson komunitetin e gazetarëve

Miratimi i ligjit të medieve përbën një nga kërkesat këmbëngulëse të Komisionit Europian për Shqipërinë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Projektligji aktual i qeverisë ka ngjallur shqetësim tek gazetarët.

Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të Gazetarëve profesionistë të Shqipërisë.

Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të Gazetarëve profesionistë të Shqipërisë.

Dhjetëra stacione radiofonike dhe kanale televizive funksionojnë në Shqipëri, por deri më sot nuk ka një ligj që rregullon këtë treg. Mungesa e tij është pasojë e mosmarrëveshjeve të thella dhe e krizës së besimit që kanë karakterizuar marrdhëniet mes maxhorancave dhe opozitave. Por tani domosdoshmëria e miratimit të një ligji për transmetimet audio- vizive i tejkalon këto mosmarrëveshje. Fjala është që tani ky ligj është pjesë e paketës së kushteve që Komisioni Europian i ka vënë Shqipërisë pë të shqyrtuar ose jo aplikimin e saj të këtij viti për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, pas refuzimit vitin e kaluar.

Në këto rrethana projektligji, i hartuar dhe miratuar me ngut nga qeveria e Tiranës dhe i dërguar për diskutim në Komisionin Parlamentar të Medias, ka ngjallur shqetësim tek grupet e interesit. Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të Gazetarëve profesionistë të Shqipërisë thotë se projektligji përpiqet të vërë mediat audio- vizive nën kontrollin e qeverisë.

Shqetësime për politizim të entit të ri

“Jemi të shqetësuar për kompetencat që projektligji i jep qeverisë, përmes ministrit të Teknologjisë dhe Informacionit, për të propozuar akte ligjore dhe nënligjore. Këto kompetenca projektligji ia jep edhe Entit të ri që pritet të krijohet, që projektligji e parashikon të jetë si Këshilli Kombëtar i Radiove dhe Televizioneve”, - thotë Z. Çipa.

Projektligji parashikon ta quajë entin e ri “Këshilli Kombëtar i Telekomunikacioneve". Por projektligji nuk jep asnjë informacion mbi mënyrën se si do të zgjidhen anëtarët e tij, sa do të përfaqësohen gazetarët, që janë ekspertë në fushën e mediave audio – vizive. Shqetësimi më i madh për Kreun e Unionit të Gazetarëve profesionistë është mundësia e politizimit të këtij enti.

“Me këtë Ent nuk duhet të ndodhë si në zgjedhjet e deritanishme të Këshillit Drejtues të RTSH apo të KKRT ku anëtarët e tyre përfaqësojnë partitë, pra prioritar është është kriteri politik dhe jo profesionalizmi dhe ekspertiza në fushë”, - thotë Aleksander Çipa.

Projektligji lejon privatizime që favorizojnë monopolet

Një shqetësim tjetër i komunitetit të gazetarëve dhe punonjësve të tjerë në median audio- vizive është mënyra sesi ky projektligj hap dritën e gjelbër për privatizimin e aseteve të RTSH shqiptar, të vetmes strukturë kombëtare publike. Është fjala për stacionet e transmetimit dhe pikat ku vendosen antenat, ku kontraktohen operatorë lokalë, kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Këto asete konsiderohen pjesë e pasurisë publike, që i përkasin gjithë shoqërisë. Por projektligji nuk ndalon dikë që është aksioner apo pronar në një kompani tjetër mediatike të privatizojë këto asete.

“Një person, pjesëmarrës në kapitalin e një shoqërie mediatike me shtrirje kombëtare nuk mund të marrë pjesë edhe në kapitalin aksioner të shoqërive të tjera. Kjo jo vetëm zyrtarizon monopolin mbi tregun audio- viziv shqiptar por ushtron një presion të drejtëpërdrejte mbi të drejtën dhe lirinë e zgjedhjes së çdo profesionisti në strukturat redaksionale” - shpjegon Z. Çipa.

Në këto kushte ajo që komunitetit i gazetarëve do t'i kërkojë komisionit parlamentar të medias është që në privatizimin e aseteve të RTSH ata të kenë përparësi për t'i privatizuar asetet e RTSH. Por amendimet e këtij projektligji shkojnë më tej

Shqipëria është i vetmi vend në Europë Juglindore, ku asnjë orognizatë dhe shoqatë kombëtare nuk janë favorizuar për të marrë pjesë në privatizimin e aseteve, apo mjediseve publike, si një mundësi për të ushtruar atje veprimtarinë e tyre. Mungojnë në Shqipëri qëndra kombëtare e medias, pallati i shtypit etj si janë në vendet fqinjë”, - thotë Aleksandër Çipa.

Unioni i gazetarëve profesionistë të Shqipërisë pritet të adresojë këto shqetësime bashkë me grupet e tjera të interesit në Komisionin parlamentar për Mediat, para se ky projektligj të shkojë në parlament për t'u diskutuar.

Autore: Ani Ruci / Tiranë

Redaktoi: E. Xhani