1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Projektligj për planin gjerman të shpëtimit të tregut financiar

Projektligji i qeverisë gjermane parashikon ngritjen e një fondi të jashtëzakonshëm të quajtur "Fondi për stabilizimin e tregut financiar" dhe ka një volum prej 470 miliardë eurosh.

Qeveria gjermane ra dakort për një paketë shumëmiliardëshe për shpëtimin e sektorit financiar gjerman

Qeveria gjermane ra dakort për një paketë shumëmiliardëshe për shpëtimin e sektorit financiar gjerman

Krerët e koalicionit qeverisës në Gjermani ranë dakort gjatë natës së të hënës, pra përpara hajpes së bursave, për skicën e paketës shumë miliardëshe të shpëtimit për sektorin financiar gjerman. Siç u bë e ditur të hënën (13.10.) nga qarqet qeveritare në Berlin kancelarja gjermane Angela Merkel ra dakort me ministrin e financave Peer Steinbrück dhe zv/kancelarin Frank-Walter Steinmeier për pikat themelore të konceptit.

Garanci bankare shtetërore për kreditë mes bankave

Qeveria gjermane vuri kështu në jetë vendimin e samitit të krizës të 15 vendeve të Eurozonës në Paris. Sipas kryetari të grupit parlamentar të unionit kristiansocial-kristiandemokrat Volker Kauder plani i shpëtimit mund të ketë një volum prej deri 400 miliardë eurosh. Në përputhje me vendimin e BE-së në samitin e Parisit ai përmban garanci bankare shtetërore për kreditë mes bankave dhe mbështetje në rast nevoje për kapital të ri.

Kauder tha se paketa e shpëtimit përmban tre masa. Së pari garanci shtetërore për të mbështetur marrëdhëniet kredidhënëse mes bankave. "Ne duam të rivendosim besimin që bankat kanë humbur ndaj njëra-tjetrës", u shpreh Kauder.

Situata e pasigurtë në tregje i ka bërë bankat mosbesuese ndaj njëra tjetrës duke ndikuar negativisht në kredidhënien mes tyre.

"Ajo çfarë ndodh është që bankat nuk bëjnë më biznes me njëra-tjetrën. Pra duket qartë se bankat kanë humbur aq shumë besimin tek vetja sa nuk janë të gatshme t'i japin më kredi njëra-tjetrës. Ky është një problem serioz i cili kërkon ndërhyrjen e shtetit për të rivënë në punë biznesin ndërbankar." Kështu shprehet Martin Wansleben, nga dhoma gjermane e industrisë dhe tregtisë.

Në paketën e qeverisë gjermane vetëm garancitë për sistemin ndërbankar të pagesave kapin shifrën e 250 miliardë eurove.

Mbështetje nga shteti e bankave me kapital shtesë

Masa e dytë ka të bëjë me mbështetjen nga shteti të bankave me kapital shtesë në rast nevoje. Rënia e vlerës së instrumentave financiarë në portofolet e bankave bën të domosdoshme rritjen e rezervës së kapitalit. Nëse bankat nuk kanë mundësi të shtojnë kapitalin e vet me masat e marra prej tyre ato nuk janë në gjendje të përmbushin normat e paracaktuara nga mbikqyrja bankare. Këtu paketa e qeverisë gjermane parashikon vënien në dispozicion të injeksioneve financiare nëse shtimi i kapitalit do të ishte i nevojshëm. Por nëse qeveria gjermane do të ndërhyjë në këtë formë dhe do të japë para për të plotësuar nevojat e bankave për kapital shtesë kjo do të shoqërohet me "ndryshime masive" dhe kufizime në biznesin e bankave. Kështu qeveria synon të ndryshojë ligjin për aksionet si dhe mekanizmin e shpërblimit për drejtuesit e institucioneve financiare. Edhe vetë drejtuesit e bankave e kanë kuptuar ndërkohë se barrën për këtë ndihmë nga shteti nuk mund t'a mbajnë vetëm taksapaguesit:

"Sigurisht që bankat duhet të paguajnë një kosto. Shteti duhet të shpërblehet për angazhimin e tij dhe kjo është e padiskutueshme", shprehet Klaus-Peter Müller presidenti i shoqatës së bankave gjermane.

Bankeve do t'u mundësohet ndryshimi i parimeve të bilancimit

Së treti qeveria gjermane do t'u vijë në ndihmë bankave për të administruar të ashtuquajturat "produkte me probleme". Bankave do t'u jepet mundësia të ndryshojnë parimet e tyre të bilancimit në mënyrë të tillë që të mund t'i mbajnë për kohë të gjatë në bilanc këto produkte. Politikani kristiandemokrat Kauder theksoi se paketa e ndihmës së qeverisë do të zgjasë deri në fund të vitit të ardhshëm.

  • Data 13.10.2008
  • Autor Eliana Xhani
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/FYRi
  • Data 13.10.2008
  • Autor Eliana Xhani
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/FYRi