1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Projekti "Shkupi 2014" - Vazhdojnë diskutimet

Kanë vazhduar reagimet lidhur me projektin urbanistik “Shkupi 2014”, me të cilin parashihet ndërtimi i një sërë objektesh me karakter nacional dhe fetar maqedonas në sheshin e Shkupit.

Shkupi, qendra

Shkupi, qendra

Projekti i planit urbanistik “ Shkupi 2014”, parasheh që në sheshin e qytetit të ndërtohet kishë, përmendorja e Lekës së Madh, figura të personaliteteve historike të Maqedonisë, por në të nuk parashihet asnjë objekt që simbolizon historinë apo kulturën e shqiptarëve të Maqedonisë.

Duke u nisur nga ky fakt, nuk kanë të ndalur reagimet e sektorit civil. Arkitekti Xhavit Gashi, vlerëson se kultura në Shkup zë një vend të posaçëm në bërthamën e saj historike, ku janë thurur kultura të ndryshme të popujve. Andaj, momumentet kulturore duhet të paraqesin tendencë për ruajtjen e këtij dimensioni dhe jo ajo të shndërrohet në një urrë ndarës midis popujve. “Tema për një planifikim urban të “Shkupit 2014”, për një identitet dhe imaxh të ri të metropolit, me një formim në qendër të qytetit, është një ki­ç dhe bazë për ndarje etnike dhe kulturore," thotë arkitekti Xhavit Gashi.

Shkupi i ri me stil barok

Arkitektët e projektit” Shkupi 2014”, kanë kopjuar elemente nga periudha e barokut dhe klasicizmit dhe nuk kanë arritur qëllimin kryesor të tyre, që përmes arkitekturës të rikthejnë identitetin e Shkupit, thotë arkitekti Kujtim Elezi. “Vetë zgjedhja e barokut si stil , i cili do të prezentojë qoftë identitetin e qytetit të Shkupit, qoftë identitetin e kombit maqedon, është dështimi më i madh i projektit të quajtur “Shkup 2014”, thotë Elezi.

Shkupi

Shkupi

Përveç arkitektëve, për projektin “Shkupi 2014”, kanë reaguar edhe këshilltarët e qytetit të Shkupit. Bekim Fazliu thotë se autoritetet zyrtare, me vetëdije dhe plan të përcaktuar mirë, po e getoizojnë Shkupin. “Për fat të keq bëhet fjalë për projekt krejtësisht antishqiptar, projekt për getoizimin e shqiptarëve. Shqiptarët përfundimisht po getoizohen,” thotë Fazliu.

Ndarja thellohet

Muzafer Bislimi, është i punësuar në institutin e historisë në Shkup. Ai vlerëson se shlyerja e çdo gjëje që ka të bëjë me identifikimin e shiptarëve nga sheshi i kryeqendrës, është e rrezikshme, sepse kjo shlyerje krijon ndasi të thella mes shqiptarëve dhe maqedonasve. “Një ide, që për fat të keq ka kaluar me amin të qeverisë dhe me të madhe reklamohet në mediume, s`është asgjë tjetër veçse t'i frysh zjarrit dhe të bësh një ndarje edhe më të madhe, jo vetëm qytetit të Shkupit por edhe shtetit në përgjithësi,” thotë Bislimi.

Kryetari i OJQ-s “Sheshi i Lirisë”, Nikolla Naumovski, thotë se plani i ri urbanistik për sheshin, e kthen kryeqendrën një shekull prapa. “Ne vonohemi me shekuj. Në vend që kryeqendra t`i ngjajë një qyteti modern, ajo ngulfatet me histori dhe antikuizim,” thotë Naumovski.

Projekti i shumëpërfolur "Shkupi 2014”, ka prekur edhe segmentin fetar. Ndërtimi i kishës në shesh dhe të mohuarit e ndërtimit të xhamisë, është fakt i papranuar për Bashkësinë islame në Maqedoni. “Të kemi një status, ashtu siç e ka kisha Ortodokse maqedonase , po atë status duam të na ofrojnë neve, si Bashkësi Fetare Islame,” thotë Sulejman Rexhepi, kryetari i Bashkësisë Islame në Maqedoni.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 19.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/M5Uv
  • Data 19.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/M5Uv