1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Projekti “Ndërtojmë ura” nxit bashkëjetesën ndëretnike në Maqedoni

Kushtetuta e Maqedonisë numëron shtatë komunitete etnike, ndërsa në 81 komuna përdoren zyrtarisht gjashtë gjuhë të ndryshme. Harmonizimi i bashkëjetesës ndëretnike nxitet përmes projekteve veçanërisht për brezin e ri.

Gjeneratat e reja kanë nevojë për urat e komunikimit mes tyre dhe për të qenë të hapura ndaj begatisë dhe avantazheve që u sjell atyre diversiteti kulturor. Veçanërisht vlen kjo për shkollat, që e kanë për detyrim t'i përgatisin fëmijët për një ardhmëri të vendit të integruar në Europën me diversitet kulturor. Pikërisht afrimi i të rinjve nga komunitetet e ndryshme etnike në Maqedoni është synimi i projektit

”Ndërtojmë ura” i promovuar nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës në bashkëpunim me ambasadën e Zvicrës dhe misionin e OSBE-së në Shkup. Projekti ka gjithashtu për qëllim edhe shmangien e paragjukimeve midis të rinjve, thotë zëvendësministri i Arsimit, Safet Neziri. “Punëtoritë e përbashkëta, garat sportive dhe koncertet në shkolla, ku mësimi zhvillohet në disa gjuhë, do të mundësojnë tejkalimin e shumë paragjykimeve që ekzistojnë midis të rinjve nga etnitetet e ndryshme. Me projekte të përbashkëta multietnike do të dalin më qartë në pah elementët që na bashkojnë sesa ato që na ndajnë”, thekson Safet Neziri.

Në këtë projekt mund të inkuadrohen komuna, nxënës, mësimdhënës, shkolla dhe prindër që kanë nevojë për komunikim, mirëkuptim dhe integrim më të madh në bashkësitë dhe shkollat e tyre. Ambasadori i Zvicrës në Maqedoni, Stefano Lazarato, thotë se format që i ofron ky projekt për bashkëpunim janë të një spektri të gjeerë duke filluar nga organizimi i eventet e ndryshme deri tek krijimi i dhomave të përbashkta për ushtrime, workshps për shkenca informatike, sfilata mode dhe një sërë aktivitetesh jashtëshkollore.

“Projekti është mjaft i mirë dhe shpresëdhënës sepse bazohet në vullnet dhe nuk është i obliguar, ai njëherit është kreativ ku të rinjtë përmes internetit dhe mënyrave të tjera të komunikimit do të mund të zbaviten”, shprehet ambasadori Lazarato.

Projekti ”Ndërtojmë ura” do t'u mundësojë gjeneratave të reja të kenë mendim tjetër për shokun nga etnitetit tjetër, kjo është mënyra e të menduarit të rinisë evropiane, thotë Marijana Berec, shefe e OSBE-së në Maqedoni.

Njohja e gjuhës mundëson afrim

Vllado Dimovski nga Qendra për Tolerancë Etnike vlerëson se Maqedonia ka nevojë për projekte të përbashkëta multietnike, sepse kjo do të mundësojë njohjen më të mirë dhe më të sinqertë mes të rinjve nga etnitetet e ndryshme. Ai është përkrahës i idesë që në shkolla me përbërje të përzier etnike në mënyrë fakultative të mësohen gjuhët e njëri-tjetrit. “Njohja e çdo gjuhe përveç e asaj amtare është pasuri. Përmes komunikimit mund të tejkalohen stereotipet, paragjukimet ose mendimet negative që ke për etnitetin tjetër. Unë para 13 viteve mësova gjuhën shqipe pa më detyruar askush, kam ndjerë nevojë se duhet ta mësoj për të pasur komunikim më të lirshëm në shkollën ku punoj, sepse në të mësimi zhvillohet në tri gjuhë, maqedonisht, shqip dhe boshnjakisht”, shprehet Dimovski.

Dallimet t'i shëndrojmë në përparsi

Ibrahim Mehmeti, njohës i çështjeve ndëretnike, konsideron se nga projektet multietnike në shkolla kanë përfitime si shteti ashtu edhe shoqëria e qytetarët në përgjithësi. “Ne duhet ta njohim njëri-tjetrin dhe jo të ndodhë e kundërta sepse kjo nuk është në frymën e Evropës që synon bashkimin. Kur respektohet kultura e njëri-tjetrit, njohja e gjuhës së njëri-tjetrit, tradita, dhe gjithë ajo që e bën një popull të ndryshëm, plotësohet parakushti për bashkëpunim dhe mirëkuptim të ndërsjelltë”, vlerëson Mehmeti.

Shkollat vendtakim mes të rinjve

Që komunikimi i drejtpërdrejt dhe bashkëpunimi ndërmjet shkollave të ndryshme jep rezultate pozitive, e tregon praktika e disa shkollave që bëjnë shkëmbejnë vizita në komuna të ndryshme. Nxënësit e shkollës fillore ”Imri Elezi” kanë vizituar shkollën “Hristijan Todorovski Karposh”, ku mësimi zhvillohet vetëm në maqedonisht. “Ishte kënaqësi të shohësh se si komunikojnë nxënësit me njëri-tjetrin edhe pse kishin pengesa gjuhësore. Ata flisnin për lojëra, dëshira dhe plane të përbashkëta. Nxënësit tanë së shpejti do të vizitojnë shkollën "Imri Elezi", ku mësimi zhvillohet vetëm në gjuhën shqipe,”thotë Kristina Antonovska, drejtoreshë e shkollës.

Në këto takime të përbashkëta ftohen edhe poetë, këngëtarë dhe artistë, të cilët prezantohen tek etniteti tjetër. Fejzi Bojku shkrimtar për fëmijë vlerëson se shoqërimi dhe bisedat e hapura mundësojnë mësë miri njohjen reciproke. “Njohja duhet të fillojë qysh në çerdhe, të vazhdojë në shkollën fillore dhe në të gjitha nivelet e sistemit arsimor. Ne duhet të vetëdijësohemi se integrimi nuk bëhet brenda natës, nëse ne dëshirojmë të kuptojmë dhe ta njohim tjetrin atëherë duhet të afrohemi më shumë drejt tij, në të kundërtën do të jetojmë në dy botë të kundërta”, shprehet poeti Fejzi Bojku.

Projektet që kanë për synim arsimin e integruar dhe ato për multietnicitet kanë mbështetje financiare nga shumë ambasada dhe institucione ndërkombëtare që veprojnë në Maqedoni.