1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Projekte të rëndësishme energjetike për Shqipërinë dhe rajonin

Me mbështetjen e Gjermanisë janë mundësuar projekte të rëndësishme energjetike për Shqipërinë dhe rajonin, thotë në intervistë me DW-në ministri i Energjisë dhe i Industrisë së Shqipërisë, Damian Gjiknuri.

DW: Së fundmi Shqipëria është kredituar me 30 milionë euro nga Gjermania për fazën e parë të projektit për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit mes vendit tonë dhe Maqedonisë fqinje. Cili është impakti i pritshëm konkret dhe cilat do të jenë hapat e mëtejshëm të këtij projekti?

Gjiknuri: Financimi i këtij projekti është i ndarë në dy pjesë: Elbasan – Qafë Thanë, kufiri mes Shqipërisë dhe Maqedonisë) dhe Elbasan-Fier. Me qeverinë gjermane kemi firmosur marrëveshjen për një kredi zhvillimi në vlerën 30 milion euro. Kjo është faza e parë, pasi në fazën e dytë do të firmosim edhe për një shumë tjetër prej 20 milion eurosh po për të njëjtin projekt, çka e çon shumën totale në 50 milion euro. Përveç kësaj, kemi siguruar edhe një grant prej 14 milion eurosh nga Bashkimi Evropian që plotëson mbulimin e plotë të projektit të linjës së interkonjeksionit mes Shqipërisë dhe Maqedonisë. Jemi aktualisht në fazat përfundimtare të përgatitjeve të nevojshme që punimet për ndërtimin e kësaj linje të fillojnë në pjesën e parë të vitit 2017. Ato parashikohet të zgjasin për një periudhë 3-vjeçare dhe linja të jetë në funksion në fillimin e vitit 2020. Do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e kapacitetit të transmetimit rajonal të energjisë elektrike. Gjithashtu, do të ndikojë në rritjen e sigurisë dhe cilësisë së furnizimit nëpërmjet një efikasiteti të shtuar dhe besueshmërisë së sistemit të transmetimit në Shqipëri dhe rajon. Ndërtimi i linjës do të mundësojë që kapaciteti i transmetimit mes dy vendeve të rritet me të paktën 1000 MW. Përtej dy vendeve fqinje, kjo linjë interkonjeksioni i krijon mundësinë Shqipërisë që të lidhet edhe me Bullgarinë me të cilën mund të avancohet në shkëmbim të ndërsjelltë energjie me më shumë alternativa e përfitim reciprok.

DW: Duke marrë shkas nga ky projekt, çfarë po bën Shqipëria në atë që vazhdimisht përflitet si ndërtimi i rrjetit rajonal të energjisë? Cilat janë sfidat kryesore në këtë angazhim që ju e keni konsideruar si strategjik dhe si po bashkëpunoni me vendet e tjera?

Gjiknuri: Linja 400 kilovolt mes Shqipërisë dhe Maqedonisë e përmbyll plotësisht lidhjen e vendit tonë me fqinjët. Zhvillimi i infrastrukturës së interkonjeksioneve ka krijuar kushte për të realizuar një treg të hapur dhe konkurues duke shfrytëzuar gjithë mundësitë e diversiteteve të gjenerimit. Me masat e marra nga qeveria shqiptare për një kuadër ligjor bashkëkohor, në harmoni të plotë me direktivat europiane, krijimi i kësaj infrastrukture moderne do të sjellë edhe organizimin e një tregu energjie të hapur dhe konkurues. Ministria e Energjisë, në këtë periudhë është fokusuar në drejtim të plotësimit të akteve nënligjore, ku më i rëndësishmi është hartimi i modelit të tregut. Në bashkëpunim me konsulencën e Qeverisë së Mbretërisë së Norvegjisë po punohet për organizimin e tregut të një dite më parë (day ahead market) nëpërmjet Bursës Shqiptare të Energjise, Power Exchange - PX. Si një hap i rëndësishëm i këtij procesi të nisur tashmë, do të jetë organizimi i tregut të përbashkët Shqipëri-Kosovë nëpërmjet Market Coupling duke krijuar mundësitë për zhvillime të një tregu rajonal. Ndërtimi i burimeve të reja gjeneruese është shumë i rëndësishëm për Kosovën, por nga ana tjetër edhe për bashkëpunimin dy palësh të sistemeve tona komplementare. Edhe në këtë drejtim, të dy ministritë respektive kanë firmosur një Memorandum Mirëkuptimi ku angazhohen në gjetjen e mundësive financiare për ndërtimin e kapaciteteve të përbashkëta gjeneruese. Në këtë frymë të mirëkuptimit, për të çuar në një stad të mëtejshëm bashkëpunimin, po përgatitet udhërrëfyesi, për të gjitha hapat që duhen hedhur në realizimin e bashkëpunimeve konkrete dy palëshe.

DW: Sektori energjitik ka qenë dhe mbetet prioritar në marrëdhëniet e bashkëpunimit teknik e financiar mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. Cilat janë konkretisht aspektet ku ju jeni duke punuar për të marrë mbështetje nga pala gjermane?

Damian Gjiknuri

Damian Gjiknuri

Gjiknuri: Gjermania ka patur një vëmendje të vazhdueshme për sektorin elektroenergjitik në Shqipëri. Në cilësinë e ministrit të Energjisë dhe Industrisë konstatoj se bashkëpunimi me qeverinë gjermane është në nivelet më të larta. Me mbështetjen e Gjermanisë, përmes Bankës KfW janë mundësuar projekte të rëndësishme investimi jo vetëm në sistemin e transmetimit por edhe në atë të gjenerimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike. Mjafton të ndalem kështu në disa projekte të rëndësishme si financimi për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400 kV Elbasan-Tiranë-Podgoricë; financimi i projektit të ndërtimit të linjës 400 kV mes Shqipërisë dhe Kosovës ashtu sikurse edhe financimi i projektit “Linja unazore 110 kV e Shqipërisë së Jugut”. Po përmes këtij bashkëpunimi është vënë në jetë projekti për rehabilitimin e nënstacionit 110 kV dhe rrjetit të shpërndarjes në qytetin e Korçës. Ky investim sëbashku me ndërtimin e nënstacionit 400 kV të Zemblakut dhe linjës Zemblak-Korçë ka sjellë rritjen e sigurisë dhe cilësisë së furnizimit për Korçën, Kolonjën, Devollin, Pogradecin e Librazhdin. Përmes projektit “Furnizimi me energji elektrike i Shqipërisë së Jugut” është bërë e mundur investimi në ndërtimin e linjës 110 kV Bistricë-Sarandë, nënstacioni 110/20 kV në Sarandë, nënstacioni 110/20 kV në Gjirokastër dhe rehabilitimi i një pjese të rrjetit të qytetit të Sarandës. Është në zbatim projekti i energjive të rinovueshme dhe efiçencës së energjisë në vlerën 9 milion euro që parashikon mbështetje të biznesit privat në investime për energji të rinovueshme. Të kujtojmë protokollin e bashkëpunimit mes dy vendeve të 8 majit 2014, ku janë detajuar piketat e projekteve të ardhshme. Një prej tyre është financimi i sigurisë së digave në Kaskadën Mat-Drin në vlerën 20 milion euro. Përmes një tjetër financimi, Operatori i Sistemit të Transmetimit do të mund të fillojë punën për ndërtimin e dy nënstacioneve të rëndësishme në zonën e bregdetit të jugut, në Himarë dhe Orikum. Shoqëruar më tej edhe me investimet që do të kryejë Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, do mundësohet që brenda vitit 2017 të marrë zgjidhje përfundimtare problemi i furnizimit me energji për vijën bregdetare të jugut. Po zbatohen tanimë edhe projektet e tjera të efiçencës së energjisë si ai në sektorin bankar apo ai për rikonstruksionin e godinave të Qytetit Studenti me parimin e efiçencës së energjisë. Aktualisht jemi duke punuar për të zgjeruar bashkëpunimin dhe kontributin e qeverisë gjermane për investime në sektorin e shpërndarjes së energjisë elektrike, çka përbën edhe një prej sfidave më të rëndësishme me ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë dhe cilësinë e furnizimit me energji për qytetarët.

DW: Cilat janë problemet kryesore me të cilat ju po përballeni për të rritur eficencën e rrjetit të brendshëm energjitik, që të arrini furnizim të pandërprerë dhe cilësor për konsumatorët familjarë dhe bizneset, për të minimizuar humbjet dhe shpërdorimin e energjisë dhe të maksimalizoni eksportin?

Gjiknuri: Raportet e fundit të institucioneve prestigjoze ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore apo agjenci të njohura si “Standart & Poor's” dhe “Moody's” e kanë konsideruar reformën në sektorin elektroenergjitik shumë të suksesshme. Konstatohet se hapat e ndërmarra kanë krijuar një efekt pozitiv në financat publike duke e çliruar Buxhetin e Shtetit nga barra e një sektori thuajse zyrtarisht të falimentuar. Vitin e fundit, niveli i humbjeve u reduktua në shifrën rekord prej 31% ndërsa në vitin 2013 e gjetëm jo pak por 45%. Treguesit e 6-mujorit të parë të 2016 tregojnë për vijimësinë e reduktimit të humbjeve. Ato kanë zbritur në 28.86% ndërsa për të njëjtën periudhë të një viti më parë ishin 3.33% më lart. Operatori i Shpërndarjes arkëtoi për vitin 2015 shumën totale prej 65,7 miliard lekësh ndërsa dy vite më parë mblidheshin vetëm 38,3 miliard. Për 6-mujorin e parë të 2016 rezulton të jenë arkëtuar për faturat e energjisë dhe këstet e aktmarrëveshjeve 30,8 miliard lekë. Janë këto tregues dhe vendosmëria për rikthimin e ligjshmërisë në konsumin e energjisë elektrike arsyeja se përse institucionet ndërkombëtare e kanë rifituar tashmë besimin tek qeveria shqiptare duke u treguar të gatshëm për të mbështetur sektorin elektroenergjitik. Shikoni, përtej asaj çka është arritur në këto vite, padyshim jemi të vetdijshëm se ka ende shumë probleme që kërkojnë zgjidhje. Po vazhdojmë zbatimin e programit të rimëkëmbjes së sektorit për të ulur edhe më tej nivelin e humbjeve në rrjetin elektrik. Shqipëria po zbaton tashmë reformat ligjore në sektorin elektroenergjitik që e kanë bërë të jetë ndër të parët edhe në rajon. Po implementojmë një model tërësisht të ri të organizimit të tregut të energjisë elektrike duke përkrahur dhe krijuar kushtet për çdo iniciativë të bashkëpunimit rajonal të tregut, deri në krijimin e Bursës së energjisë. Po zbatojmë një reformë strukturore, e cila sëpari garanton kompanitë publike që të ushtrojnë veprimtari të ndara në përputhje me përgjegjësitë ligjore dhe detyrat funksionale që ato kanë dhe të kthehen në kompani vërtet tregtare e llogaridhënëse. Reforma tarifore dhe rregullatore bëri të mundur të krijojë kushtet për hapjen dhe funksionimin e tregut të liberalizuar. Prioritet ka qenë edhe mbështetja me infrastrukturë, ndërsa investimet që po kryhen rrisin sigurinë e furnizimit të vendit, përmiresojnë cilësinë e furnizimit të konsumatorëve. Me të drejtë, qytetarët kërkojnë një furnizim edhe më cilësor me energji. Jam i bindur se investimet që po kryhen në nënstacione të reja, linja, kabina e sisteme matjeje do të çojnë në uljen e kostove, reduktimin e ndjeshëm të defekteve dhe shkurtimin e kohës së riparimit të tyre. Shembull për këtë ishte padyshim edhe ky sezon turistik gjatë të cilit u vunë re shumë më pak probleme furnizimi me energji nëse krahasohet me vitet e kaluara. Jam i vetdijshëm se ka ende probleme edhe në raportin mes qytetarëve dhe kompanisë së shpërndarjes. Por, insistoj se vetëm vazhdimi i programit të rimëkëmbjes energjitike do të bëjë të mundur modernizimin e shërbimit ndaj klientit ndërsa aplikimi i teknologjive të reja do të mundësojë reduktimin e thellë të rasteve të problemeve me faturimin.