1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Projekte për reduktimin e pasojave të ndryshimit të klimës në vendet e Ballkanit

Ballkani Perëndimor konsiderohet një nga rajonet e Europës, ku ndryshimet klimatike do të prekin ndjeshëm sektorët e bujqësisë dhe të energjitikës. Për të reduktuar pasojat Banka Botërore planifikon disa projekte.

Hidrocentrali i Bistricës në Shqipëri.

Hidrocentrali i Bistricës në Shqipëri.

Bujqësia dhe energjitika kanë një element të përbashkët: varësinë nga burimet ujore. Ksenya Lvovski, përfaqësuese e Bankës Botërore në Shqipëri thotë se adaptimi i politikave për të reduktuar pasojat e ndryshimeve klimatike në bujqësi dhe në energjitikë, po vihet në qendër të projekteve të kësaj organizate financiare ndërkombëtare.

Ksenya Lvovski, përfaqësuese e Bankës Botërore në Shqipëri.

Ksenya Lvovski, përfaqësuese e Bankës Botërore në Shqipëri.

“Banka Botërore i konsideron një çështje shumë të rëndësishme ndryshimet klimatike, si në nivel global ashtu edhe në nivel rajonesh apo vendesh të veçanta në Europë. Arsyeja kryesore për këtë vlerësim është ndikimi i ndryshimeve klimatike në qëndrueshmërinë e programeve afatmesme apo afatgjata të zhvillimit të BB, të cilat nuk do të arrinin objektivat e tyre nëse nuk do të merrnin parasysh këto ndryshime” - thotë Znj. Lvovski.

Bashkëpunimi rajonal – aleat i zhvillimit të qëndrueshëm

Në këtë përqasje të Bankës Botërore për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik ajo ka gjetur aleat bashkëpunimin rajonal në projekte të përbashkëta.

“Bashkëpunimi rajonal është shumë i rëndësishëm dhe duhet bërë në nivele të ndryshme. Për shembull bashkëpunimi për menaximin e burimeve të ujit, të burimeve të rinovueshme alternative të energjisë duhet bërë në nivel rajonal. Lumi Drin që vitet e fundit ka shkaktuar përmbytje nuk shtrihet vetëm në Shqipëri por në disa vende të rajonit. Po kështu menaxhimi i burimeve të energjisë ndikon pozitivisht edhe në krijimin e tregut rajonal të energjisë. Nga ana tjetër mes vendeve të Ballkanit Perëndimor ka mjaft ngjashmëri, gjë që sjell përfitime të mëdha nga transferimi i teknologjive, shkëmbimi i përvojave mes këtyre vendeve. Banka Botërore synon, që përmes programeve dhe projekteve të saj të lehtësojë këtë bashkëpunim dhe shkëmbim dijesh mes këtyre vendeve”, - thekson Znj. Lvovski.


Projektet në bujqësi dhe energjitikë

Synimi i BB në projektet rajonale për të zvogëluar pasojat e ndryshimeve klimatike në bujqësi dhe në energjitikë është në radhë të parë rritja e rezervave ujore, forcimi i menaxhimit të integruar të burimeve ujore, prodhim i energjisë nga burime të tjera alternative veç atyre ujore dhe përdorimi i teknologjive miqësore me mjedisin. BB nuk lë jashtë vëmendjes së saj edhe ndërtimin e sistemeve kulluese për tokat bujqësore, për të përballuar më mirë rastet e përmbytjeve nga ndryshimet klimatike.

Shtëpi e përmbytur në Shkodër.

Qindra hektarë tokë u mbuluan nga uji pas përmbytjeve në veri të Shqipërisë vitin e kaluar.

Sigurime në nivel rajonal për fermerët në raste katastrofash natyrore

Përmbytjet prekin në radhë të parë fermerët. Një program rajonal i Bankës Botërore synon sigurimin e fermerëve në rastet e fatkeqësive natyrore.

“Ky program përfshin vende të ndryshme të Ballkanit Perëndimor ndër të cilat Shqipërinë, Maqedoninë, Serbinë. Shqipëria ishtë vendi i parë që iu bashkua programit të BB për sigurimin e fermerëve në raste fatkeqësish natyrore dhe njëherazi vendi i parë që dha kontributin e tij financiar”,- thotë Ksenya Lvovski.

Ky program është një partneritet mes sektorit privat dhe atij publik, që u mundëson kompanive private të sigurimeve, të sigurojnë fermerët në rastet e fatkeqësive natyrore Qeveritë e vendeve të Ballknit japin kontribute financiare ndërkohë që agjentët janë nga kompanitë private të sigurimeve. Ksenya Lvovski, përfaqësuese e Bankës Botërore në Shqipëri, e vlerëson projektin rajonal të sigurimeve për fermerët në raste fatkeqësish natyrore si një model bashkëpunimi efikas rajonal.

Autor: Ani Ruci / Tiranë

Redaktoi: E. Xhani