1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Projekte në dobi të perspektivës së jetës në Shqipëri

Sektori i furnizimit me ujë dhe trajtimi i ujrave të përdorura është ndër komponentët kryesorë të bashkëpunimit Gjermani - Shqipëri. Banka gjermane KfW ka investuar 334 milionë Euro në këtë sektor brenda dy dekadave.

Një udhëtim me gazetarë, në rajonin e Beratit, organizuar nga Ambasada Gjermane në Tiranë, në kuadër të Tetorit Gjerman 2015, bën të prekshme ndryshimet pozitive që investimet gjermane në sektorin e ujit u sjellin jetës së përditshme të qytetarëve në këtë rajon. Ambasadori gjerman në Tiranë Hellmut Hoffmann thotë për DW: "Uji është shumë i rëndësishëm për jetën. Investimet gjermane ndihmojnë pikërisht për të përmirësuar kushtet e jetesës në themelin e tyre. Këtu në Berat, me financimin e KfW po bëhet rikonstruktimi i ujësjellsave. Qëllimi është përmirësimi i kushteve të jetesës së njerëzve që ata ta shohin të ardhmen e tyre, perspektivën e jetës në Shqipëri".

Furnizim i sigurtë, tarifa të pranueshme për qytetarët

Projekti i përmirësimit të infrastrukturës bashkiake në rajonin e Beratit është pjesë e programit të investimeve në sektorin e ujit. Bledar Dollaku, përfaqësuesi i bankës gjermane KfW, që po zbaton programin thotë për DW: "Ky program përfshin shtatë qytete mes të cilave edhe rajonin e Beratit me Kuçovën me një investim total prej 65 milion Eurosh, ku Gjermania financon me 30 milion, BE me 25,5 milion dhe Zvicra me 10 milion Euro. Qëllimi i programit është sigurimi i qëndrushëm i furnizimit me ujë të pijshëm, të pastër. Programi synon higjenë të standardeve bashkëkohore në zonat ku realizohet investimi. Në shtatë qytetet pagesa për konsumimin e ujit pritet të jetë me tarifa të përballueshme nga familjet dhe bizneset."

Berat- Kuçovë - 9,3 milion euro, në 2017 ujë në rubineta

Në rrugën kryesore të qytetit muze të Beratit punëtarët po hapin kanalet nga ku do të kalojnë tubacionet e ujësjellesit të ri Berat- Kuçovë, që do të funizohet me ujin e cilësisë së lartë nga burimi i Bogovës, 37 km larg nga qyteti i Beratit. Rreth 150 km tubacione çeliku, hekuri të derdhur dhe të galvanizuar të ndërtuar rreth 60 vjet më parë do të zëvendesohen me tubacione të reja. Situata aktuale është pothuajse dramatike: humbje rreth 80% e ujit në rrjet, furnizimi me 3 deri në 10 orë në ditë. Projekti parashikon instalimin e matësave të mëdhenj të ujit për bizneset dhe matësave për familjet si edhe zëvendësimin e 3300 lidhjeve familiare jo të rregullta.

Afrimi me standardet e BE - perspektiva e jetës në Shqipëri

Në rajonin e Beratit, qeveria gjermane mbështet me grante ngritjen dhe funksionimin e fermave familiare në zonat rurale apo biznese të tilla si linja e prodhimit për eksport të bimëve të rralla mjekësore, ndërtim i sistemit të ngrohjes qendrore për kopshtin publik në Kuçovë etj. Ambasadori gjerman, Hellmut Hoffmann, thotë se në javët në vijim, si çdo vit do të zhvillohen bisedimet qeveritare mes RFGJ dhe Shqipërisë për sektorët e bashkëpunimit ekonomik në vitet e ardhshme. "Nuk mund të parashikoj se çfarë do të dalë nga këto bisedime. Por sekstori i ujësjellës - kanalizimeve, i ujit, i energjisë, linjat e transmetimit të energjisë mbeten sektorë të rëndësishëm të bashkëpunimit. Ka edhe projekte të tjera të rëndësishme, ide të reja që priten të diskutohen. Gjermania po kontribuon në reformën e sistemit gjyqësor në Shqipëri, përmes fondacioneve të saj politike dhe kjo, krahas përmirësimit të jetës së përditshme, është pjesë e mbështetjes për ta sjellë Shqipërinë më pranë BE-së. Gjermania dhe komuniteti ndërkombëtar e mbështesin Shqipërinë në këtë proces, që sjell njëherazi edhe perspektivën e jetës këtu në Shqipëri", thekson Ambasadori gjerman Hoffmann.

Albanien Deutsche Investitionen in Berat

Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Hellmut Hoffmann

365 azilkërkues nga Shqipëria të kthyer këtë javë nga Gjermania

Numri i azilkërkuesve nga Shqipëria, të kthyer vetëm këtë javë nga Gjermania, arriti (28.10.2015) në 365 vetë. Përshpejtimi i procedurave për kthimin e të gjithë shqiptarëve që kanë kërkuar azil në Gjermani për motive ekonomike është tanimë një fakt. Ajo që mbetet paskëtaj është përpjekja për të ndërtuar jetën në Shqipëri: inisiativa private, shkollimi professional, zbatimi rigoroz i ligjeve dhe rregullave të lojës, idetë novatore që meritojnë të mbështeten me grante nga Gjermania apo donatorë të tjerë europianë.