1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Projekte gjermane që nxisin bashkëpunimin mes komunitetit

Me ndihmën e Shoqatës gjermane për Bashkëpunim ndërkombëtar - GIZ, Thethi shqiptar - nga një vend i izoluar mes maleve kthehet në një destinacion turistik të lakmuar.

Rruga për në Theth gjarpëron e ngushtë, e paasfaltuar, plot kthesa të vështira mes vargmalesh, pyjesh ahu dhe pishe, ujit të kristaltë të lumit dhe qetësisë absolute të natyrës. Tetori ka derdhur me bujari në këtë zonë malore të Shqipërisë gjithë ngjyrat e vjeshtës. Peisazhet e maleve të lënë pa frymë me bukurinë e tyre planetare, të denja për për filma fantastikë të tipit Harry Potter. Jemi një grup gazetarësh që në kuadër të aktiviteteve të Tetorit Gjerman dhe 25 vjetorit të bashkëpunimit ekonomik gjermano- shqiptar shkojmë në Theth për të parë nga afër investimet e GIZ ( Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit - Shoqata gjermane për Bashkëpunim ndërkombëtar) dhe të qeverisë gjermane në turizmin familiar.

Kullat e lashta prej guri – bujtina ekzotike për turistët

Thethi shfaqet në luginë, mes malesh të lartë mbi 2000 metra. Kulla të lashta, qindravjeçare prej guri, me çati të pjerrta me rrasa druri, kopshte të rrethuara me gardhe druri dhe një ajër i kulluar. Në tabela të thjeshta prej druri, me shkrim dore dhe shigjeta me bojë të kuqe lexohet “Bujtina Harusha”, “Bujtina Pavlin Polia” etj. Kthimi i kullave qindravjeçare në bujtina për turistët filloi aty nga viti 2006 kur potencialet e mëdha turistike të Thethit tërhoqën vëmendjen e GTZ gjermane, sot GIZ, për të realizuar atje projekte zhvillimi dhe nxjerrë nga varfëria dhe izolimi ekstrem banorët. “ Atë vit erdhëm në Theth dhe kërkuam të bisedojmë me banorët. Shumica e tyre kishin emigruar nëpër Europë ose ikur në Shkodër dhe qytetet e tjera përreth. Bëmë një lajmërim në Radio- Shkodra, që të mblidheshin ata që kishin mbetur. Bisedat e para ishin të vështira: na thanë: nuk kemi shkollë, ambulancë, dritë, si do të zhvillojmë turizmin, si do t'i kthejmë kullat tona në bujtina për turistët? T'u marrim para të huajve për fjetje dhe ushqim? Në asnjë mënyrë.. po mikrpritja jonë ku shkon?”, kujton Ismail Beka, drejtues projektesh në GIZ.

Bujtina Harusha në Theth

Bujtina "Harusha" në Theth

Vetëm pesë familje pranuan ate vit ta bënin këtë. Me nje investim modest prej 2.000 Eurosh për secilën familje, GTZ (Deutsche Gesellschaft für Technische Zusammenarbeit) e atëhershme pajisi dhomat me krevate, ndërtoi banjat me impjante e ujit të ngrohtë, rregulloi dushet, ndërtoi guzhinën që nuk egzistonte më parë, panelet diellore.

Sot Thethi ka 25 bujtina të tilla dhe rreth 100 familje që merren me turizmin. Me një investim total prej 250.000 Euro të GIZ dhe granteve të vogla për komunitetin të ambasadës gjermane në Tiranë, u rindërtua shkolla dhe qendra shëndetësore, u ndërtuan dy mullinj guri për të bluajtur misrin dhe grurin, prita kundër përrenjve të rrëmbyer që zbresin nga malet dhe shkatërrojnë të mbjellat, ujësjellësi dhe tani po përfundon lulishtja në qendër të fshatit. Shumë familje janë kthyer nga emigracioni, merren me turizëm dhe çojnë fëmijët e tyre në shkollën e Thethit. “Turizmi është kthyer në burimin kryesor të të ardhurave dhe të jetesës. Numri i turistëve në Theth arriti këtë vit në 15 mijë vetë dhe të ardhurat shkuan deri në 10-15 mijë euro për çdo familje. Turistët vijnë nga fillimi i verës deri në fund të tetorit, në dimër këtu dëbora arrin deri në 5 metra lartësi. Thethi izolohet krejtësisht për 6 muaj, nuk ka rrugë automobilistike, pjesa më e madhe e banorëve ikin në Shkodër”, thotë kryetari i Komunës së Thethit, Bal Vuksani.

Mes malesh, në majat e Ballkanit

Në foto, Lula Harusha

Në foto, Lula Harusha

Lula Harusha, amvisja në “Bujtinën Harusha” në qëndër të Thethit na pret buzagaz. Kulla ku ajo jeton me Prek Harushën dhe pesë fëmijët është zgjeruar shumë që nga 2006, kur kulla filloi të presë vizitorët e parë. “Kemi shumë dhoma me 4 dhe 2 shtretër, me vatër zjarri, ofrojmë turistëve produktet tona, mjaltë, qumësht të freskët, djath dhie, mish të pjekur ne hell, bukë misri dhe gruri, perime të freskëta nga kopshtet tona, raki rrushi dhe kumbulle, gështenja, fruta. Fëmijët kanë mësuar anglisht dhe nuk ka problem të komunikojmë me turistët”, thotë Lula.

Por për turistët GIZ ka përgatitur guida të çertifikuara që i shoqërojnë në vizitat që ata bëjne në kullën e ngujimit, ujvarën, në shetitjet në male dhe zbulimin e bukurive natyrore të paprekura nga dora e njeriut. Turistët janë shtuar sidomos vitin e kaluar dhe sivjet në sajë të projektit rajonal ”Mes malesh, në majat e Ballkanit” - Peaks of the Balkans - drejtuar nga Shoqata Gjermane Alpine dhe GIZ.

Pamje nga Thethi

Pamje nga Thethi

Projekti realizon udhëtime më këmbë në zonat e egra alpine dhe më të izoluarat e Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kosovës përmes shtigjeve të barinjve dhe shenjave rrugore. Grupet e turistëve të shoqëruar nga guida të kuaklifikuara ecin me ndalesa rreth 192 km, në male 2 300 metra mbi nivelin e detit, shijojnë peisazhet të jashtëzakonshme për nga bukuria dhe larmia e tyre që nga luginat e blerta tek liqenet alpine me ujë të kristaltë, lumenjtë, ujëvarat dhe fshatrat piktoreske malore, ku duket se koha ka ndaluar. Një “thesar i fshehur” që u zbulohet në sajë të këtij projekti adhuruesve te natyrës dhe ecjes më këmbë. Projekti “Mes malesh, ne majat e Ballkanit” fitoi këtë vit çmimin botëror të Turizmit në Samitin botëror të turizmit, të zhvilluar në Abu Dhabi në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ish Presidenti amerikan Clinton, i ftuar nderi në këtë samit tha lidhur më këtë projekt se “Paqja vepron më mirë se konflikti dhe një nga manifestimet e saj më të mëdha është udhëtimi dhe turizmi”.

Projekti ”Mes malesh në majat e Ballkanit” u jep banorëve të zonave të largta malore një sërë mundësish për të fituar para, zhvilluar përvojat e tyre turistike, ndarë kulturën autentike me turistët.

Bashkëpunimi dhe fryma e inisiativës në komunitet

Në foto, ambasadori gjerman, Helmuth Hoffmann

Në foto, ambasadori gjerman, Helmuth Hoffmann

Ambasadori gjerman në Tiranë Hellmut Hoffmann, i pranishëm në këtë udhëtim me gazetarë në Theth, thotë për DW se mbështetja gjermane ndaj turizmit familiar në Theth ka edhe një dimension tjetër përtej sigurimit të jetesës. “Janë projekte ndihme që komuniteti i banorëve të Thethit të ndihmojnë vetveten. Është shumë i rëndësishëm kombinimi i ndihmës gjermane me inisiativën e vetë banorëve, me bashkëpunimin mes tyre. Marrja e inisiativës është fjala kyç. Modeli i krijuar duhet ndjekur. Projekti duhet zgjeruar, më shumë njerëz duhen përfshirë. Duhet të ketë frymë bashkëpunimi në komunitet. Nuk duhet shkatërruar natyra dhe betonizuar Thethi, duhet ruajtur trashëgimia, mbajtur pastër mjediset publike, në mos turistët do të largohen”.

Fryma e komunitetit është ende e vakët në Theth. Forcimi i saj përmes inisiativave dhe respektimit të taksave lokale për komunën është sfida e kohës për një turizëm afatgjatë.