1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Programet politike dhe votat e zgjedhësve

Më 28 qershor, qytetarët e Shqipërisë do të votojnë për të zgjedhur forcën apo koalicionin që politik do të qeverisë vendin 4 vitet e ardhshme. A do t´i japin ata edhe një mandat të djathtës në pushtet? Apo të majtës?

Duke kaluar para pllakatave zgjedhore.

Tani për tani zgjedhësit dëgjojnë palët të shpalosin programet e tyre në mitingje dhe debate televizive.

Përgjigja e këtyre pyetjeve do të jetë e saktë një ditë pas zgjedhjeve, më 29 qershor. Tani për tani zgjedhësit dëgjojnë palët të shpalosin programet e tyre në mitingje dhe debate televizive. Ata që bëjnë pjesë në elektoratin besnik të njërës apo tjetrës palë, e dinë se ku do të shkojë vota e tyre. Por fatin e zgjedhjeve e vendosin të lëkundurit, ata që gjykojnë në bazë të programeve dhe ndryshimeve pozitive në jetën e përditshme dhe në përparimin e vendit.

Astriti është taksist me një Benz- Mercedes, në qendër të Tiranës. Ai interesohet për politikën, ndjek fushatën elektorale dhe është i vendosur të votojë. Kur e pyet se çfarë mendon për programet e dy koalicioneve kryesore, njëri i drejtuar nga kryeministri Berisha dhe tjetri nga lideri socialist Rama ai thotë: " Të dyja palët, si djathtas si majtas po premtojnë shumë dhe.nuk praktika a treguar se nuk i realizojnë ato që thonë. Koalicioni i djathtë gjatë këtij mandati ka realizuar vetëm, 20 përqind të premtimeve."

Ibrahimi menaxhon nje internet kafe po në qendër. Nga ekrani i një televizioni Sonny, në një kënd të internet kafesë, ai ndjek pa u mërzitur edicionet e lajmeve dhe debatet e shumta televizive të kandidatëve për deputëtë të palëve në garë. Kur e pyes se çfarë mendon për programete dhe platformat politike ai thotë: "Nuk besoj se kanë ndonjë ndryshim programi i njërës palë nga tjetra. Thjesht është i njëjtu program, ndryshojne individët". Për kë do të votojë ai përderisa nuk sheh asnjë ndryshim programor mes palëve që konkurojnë? Apo nuk do të votojë fare?

"Do të votoj. Do bëj detyrën time si qytetar. Dhe.. do të vendos një kryq të madh." Ibrahimi pret të japë votën për një klasë tjetër politikanësh.

Të njëjtën mendim ka edhe Drita, një mësuese në njërën nga shkollat e mesme të kryeqytetit. "Shpresoj që do të dalin politikanë që do të mbajnë premtimet. Një pjesë të tyre, se të gjitha nuk është e mundur. Ajo që më shqetëson më shumë është pasurimi ekstrem i të njëjtëve të pasur dhe varfërimi ekstrem i të varfërve", thotë ajo.

Polarizimi social nuk është çështja e vetme për të cilën vrasin mendjen qytetarët e lëkundur, ata që nuk e kanë vendosur ende kujt t`ia japin votën e tyre. "Vendi ka nevojë për punësim dhe për integrimin në BE. Por çalon nga shumë drejtime, që nga papunësia deri tek korrupsioni," thotë Astriti. Por, ai mendon se koalicioni që do të fitojë zgjedhjet duhet të konsiderojë detyrë primare garantimin e një drejtësie të pavarur dhe kthimin e pronës tek pronari legjitim.: "Kur një vend vendos drejtësinë ai ecën përpara. Drejtësia është A- ja," thekson Astriti.

Kthimi i pronës pronarit të ligjshëm mbetet një premtim i paplotësuar i të gjitha qeverisjeve të deritanishme të Shqipërisë, të djathta apo të majta qofshin ato. "Gjithshka varet nga pronësia Nëse ky vend do të shkojë përpara, kjo do të ndodhë vetëm kur prona të shkojë tek pronari legjitim. Prona është thembra e Akilit." përfundon ai.

Autor : Ani Ruci

Redaktoi : Aida Cama

  • Data 19.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/IUiS
  • Data 19.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/IUiS