1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Program 10 pikësh për të drejtat e njeriut në Afganistan nga Amnesty International

Në prag të zgjedhjeve presidenciale në Afganistan nuk është cënuar vetëm gjendja e sigurisë, por edhe të drejtat e njeriut. Amnesty International ka hartuar një plan prej 10 pikësh, për qeverinë e ardhshme afgane

Amnesty International kritikon respektimin e të drejtave të njeriut në Afganistan

Amnesty International kritikon respektimin e të drejtave të njeriut në Afganistan

Përkeqësimi i gjendjes së grave në Afganistan

Suksesi i qeverisë së re afgane do të matet edhe me respektimin e të drejtave të njeriut. Afganistani pranon se të drejtat duhet të respektohen, sepse prej rrëzimit të talibanëve nga pushteti në vitin 2001 vërehen përkeqësime serioze në sektorin e shëndetësisë dhe arsimit. Aktivistët e të drejtave të njeriut në veçanti nënvizojnë përkeqësimin e gjendjes së grave në këtë vend.

Monika Lüke, sekretare e organizatës Amnesty International, thotë në lidhje me situatën e të drejtave të njeriut në këtë vend se:

„Gjendja e të drejtave të njeriut në Afganistan është dramatike dhe jam e sigurt se këtë e di edhe Hamid Karzai, kandidati kryesor për president.“


Të nevojshme janë reformat në sektorin e policisë dhe drejtësisë

Nga qeveria e ardhshme afgane priten para së gjithash reforma në sektorin e policisë dhe drejtësisë. Kjo është në interesin e të gjithëve sepse nga një sistem i korruptuar juridik, ku mungojnë kuadrot e nevojshme, nuk mund të përfitojë askush. Njerëzit u drejtohen ende në mënyrë masive gjykatave tradicionale fetare, jirga apo shura, sidomos në rajonet e brendshme të vendit. Këshille të këtilla janë shpesh të padrejta dhe diskriminuese, në veçanti ndaj grave, shpjegon Monika Lüke.

„Problemet kryesore sipas mendimit tonë janë forcat e sigurisë, policia dhe gjykatat, të cilat në mënyrë masive shkelin të drejtat e njeriut. Në vend që t'i mbrojnë të drejtat e qytetarëve, ato kanë bërë që njerëzit ta humbin besimin ndaj institucioneve dhe të shtohet korrupsioni."


Amnesty International kërkon që juridikisht të mos vjetërohen krimet

Për rivendosjen e besimit ndaj institucioneve të vendit, kërkohen politikanë me integritet. Kujtimet nga e kalura janë shumë të dhimbshme. Vendi ka kaluar në 30 vitet e fundit trazira dhe luftëra të shumta. Amnesty International kërkon që juridikisht të mos vjetërohen krimet dhe shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut nga e kaluara. Kjo organizatë ka hartuar edhe një plan 10 pikësh që duhet të realizojë qeveria e ardhshme.

„Nuk është e mundur që presidenti të kandidojë me një kandidat për zëvendëpresident i cili dyshohet se ka bërë krime lufte. Është shumë me rëndësi që në zgjedhjet parlamentare të mos lejohet pjesëmarrja e të akuzuarve për krime lufte, apo atyre që kanë shkelur të drejtat e njeriut."

Zgjedhjet janë një shans

Ndonëse në kushte të vështira, zgjedhjet demokratike në këtë vend janë të domosdoshme. Amnesty International i sheh ato si një shans...

„... që më në fund të shënohen përmirësime në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe që presidneti t'i respektojë obligimet ndërkombëtare, në qoftë se mendon të jetë president serioz."


Autor: Melanie Riedel/Bahri Cani

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 20.08.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JEms
  • Data 20.08.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JEms