1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Profili i Alarmit Ortodoks Popullor - E djathtë ekstreme apo forcë parlamentare në rolin e “rregullatorit”?

Partia nacionaliste Alarmi Ortodoks Popullor, e cila dyfishoi elektoratin në zgjedhjet evropiane të 7 qershorit, është duke hedhur rrënjë në skenën politike. Analistët parashikojnë rritje të rolit të saj.

Tifoz grek

Tifoz grek

Tonet e ulëta të kryetarit të partisë Nacionaliste Alarmi Ortodoks Popullor, Jorgos Karaxhaferis natën e zgjedhjeve europarlamentare të 7 qershorit, dëshmonin më shumë se vetë rezultati triumfues i dyfishimit të elektoratit në krahasim me zgjedhjet e 2004-ës. Ato dëshmonin se “fenomeni Karaxhaferis” nuk do të ishte i përkohshëm, por vinte për të hedhur rrënjë në skenën politike greke. “Ftoj të gjithë kuadrot e partisë, deputetët, deputetët kandidatë, eurodeputetët tashmë të tregojnë përgjegjesinë dhe seriozitetin e duhur,” tha kreu i partisë, duke shqetësuar jo pak kundërshtarët e tij politikë, që dëshironin prej tij në fakt një recital fodullëku.

Inteligjent, me stil populist dhe retorikë të kujsesshme Jorgos Karaxhaferis, të jep përshtypjen se ndodhet “gabimisht” në krye të një partie ultra konservatore me platformë nacionaliste dhe ksenofobe, siç tregon dhe emërtimi i saj Alarmi Ortodoks Popullor. Falë lidershipit të tij, që nga krijimi i saj në vitin 2000, brenda 9 vjetesh partia e tij arriti që në vitin 2004 të nxjerrë atë eurodeputet, në vitin 2007 të bëhet forcë parlamentare me 10 deputetë dhe sivjet të dërgojë dy eurodeputë në Strasburg.

Parlamenti grek

Parlamenti grek

“Besoj se zoti Karaxhaferis është një politikan shumë i zgjuar, shumë karizmatik në atë që bën,” thotë për Deutsche Wellen, gazetari i njohur grek Tasos Caqirogllou, për të plotësuar se kjo nuk ndryshon asgjë në lidhje me natyrën ultrakonservatore dhe platformën nacionaliste dhe ksenofobe të partisë së tij. Tek e fundit, zbaton një formulë të sprovuar për formacionet politike të së djathtës ekstreme në Evropë. “Operon si gjithë liderët që përdorin skema populiste. Shkel në terrenin e problemeve reale, për të cilat ekziston një vakuum në skenën politike nga forcat e tjera. Në vendin tonë nga e majta dhe kryesisht nga e djathta në pushtet, që nuk kanë guximin të afirmojnë qëndrimet dhe politikat e tyre në mënyrë dinamike dhe pa frikë. Këtë frikë shfrytëzon Karaxhaferis, duke luajtur rolin e një darre shtrënguese për të integruar në jetën politike elementë ultra të djathtë,” thotë bashkëbiseduesi ynë.

Dhe ia arrin qëllimit. Mjafton shembulli i kursit të rreptë, që po adoptohet për frenimin e fluksit të imigracionit afroaziatik, apo i planit të shpallur dhe publikisht, për spastrimin e qendrës së Athinës nga klandestinët dhe grumbullimin e tyre në kampe të posaçme në periferi dhe në zonat pranë vijës kufitare. Politikanë dhe analistë flasin tashmë për “axhendën Karaxhaferis”, që ka venë në pozitë të vështirë të djathtën në pushtet, sidomos pas apelit të Karaxhaferis ndaj deputetëve të saj, për tu bashkuar me Alarmin Ortodoks Popullor, që Karamanlis edhe një herë së fundi e cilësoi si “gjest politik të pamoralshëm”.

Objektiv politik i Karaxhaferit nuk është që të kryesojë të djathtën ekstreme në Greqi, që është pa traditë parlamentare. Jo rastësisht në këto zgjedhje ai nuk bashkëpunoi me organizatën ekstreme, Agimi i Artë. Disaprovimi i ekceseve të saj kundër imigrantëve si “dhunë e disa njerëzve pa mend” ishte një veprim politik i menduar mirë. Ashtu si edhe kryesimi i eurolistës së partisë së tij nga Niqi Xhavella, një teknokrate e së djathtës me vizion bashkëkohor dhe bile profil të moderuar. “Synimi i tij është, që në të ardhmen të luajë një rol bashkëmenaxhuesi të së djathtës por, me një axhendë me mjaft elementë ultra të djathtë,” thekson analisti grek.

Koha do të tregojë nëse Demokracia e Re, që po merr të tatëpjetën nga barra e skandaleve dhe grindjet brendapartiake të një shumice të brishtë me 151 deputetë, do ta pranojë si aleat të saj për tu mbajtur në pushtet apo Karamanlis do t'i mbetet konseguent deklarimit të tij, se nuk “bashkëpunon me ekstremet”. Por tani edhe Karaxhaferis nuk flet më për bashkëpunim me të djathtën e Karamanlisit.

Autor : Niko Anagnosti

Redaktoi : Aida Cama



  • Data 22.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/IWOY
  • Data 22.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/IWOY