1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Prof. Altman: Gjendja është e pakënaqshme për të dyja palët

I pyetur për zhvillimet në Mitrovicë eksperti gjerman për Evropën Juglindore Prof. Dr. Altman thotë se në rast të tillë edhe një grindje e vogël mund të çojë në përplasje lokale.

default

Ushtarë të KFOR-it gjatë një kontrolli në Mitrovicë

Prof. Dr. Franz- Lothar Altmann (Altman) është i mendimit se në një situatë të tillë në rajonin e Mitrovicës edhe një grindje e vogël mund të çojë në përplasje lokale. Altman: "Më duket se nuk ka vend për t'u çuditur shumë që ngjarje të tilla të vogla si p.sh. goditjet me thika të javës së kaluar të ndezin një zjarr dhe që aty ndodhin vazhdimisht përplasje, këto priten për shkak të gjendjes së pakënaqshme për të dyja palët. Shqiptarët janë të pakënaqur, sepse gjërat nuk po shkojnë përpara, që vënia në jetë e planit të Ahtisarit nuk po funksionon ashtu si duhet dhe serbët janë të pakënaqur, sepse po e shohin që një kthim i Kosovës tek Serbia është i papërfytyrueshëm. Kemi pra pakënaqësi nga të dyja palët dhe në raste të tilla edhe një grindje e vogël mund të çojë në përplasje lokale."

Ndërsa pyetjes se përse zhvillime të tilla po ndodhin në këtë moment, Altman i përgjigjet: "Kjo nuk ka të bëjë patjetër me ndonjë situatë politike të veçantë, si thashë, një gjë e tillë ishte e mundur në çdo moment; kjo ka të bëjë me zvarritjen e dorëzimit të pushtetit tek administrata shqiptare nga njëra anë dhe me qëndrimin e përmbajtur të KFOR-it dhe të EULEX-it për marrjen e përgjegjësive në pjesën veriore të Kosovës nga ana tjetër. Për të dyja palët këto janë shkaqe të mjaftueshme për ta manifestuar pakënaqësinë në rrugë.

Prof Altman është i mendimit se të dyja palët përpiqen që prej këtyre ngjarjeve të gjejnë argumenta të caktuara dhe ka vend për spekulime. "Beogradi prej këtyre ngjarjeve sjell argumenta për ndarjen e Kosovës. Dhe duket se në një perspektivë afatgjatë Beogradi do mund ta pranonte një ndarje, pra bashkimin e pjesës veriore të Kosovës me Serbinë, si një lloj zgjidhje. Sepse realisht Beogradi nuk mund të përfytyrojë që e gjithë Kosova do të rikthehet nën sundimin e tij, por pjesa veriore. Kjo do të ishte një lloj zgjidhjeje minimale, të cilën mund ta pranonin shumë politikanë në Beograd dhe ngjarje të tilla ndihmojnë për të thënë se nuk ka pajtim, se nuk ka mundësi për bashkëjetesë."

Dr. rer. pol. Franz-Lothar Altmann

Prof. Dr. Franc Lotar Altman

Por a do ta pranonte bashkësia ndërkombëtare një zgjidhje të tillë minimale?

Lidhur me këtë eksperti për Evropën Juglindore, Prof. Altmann i referohet parimit se ekziston vullneti i fortë për të mos lejuar ndarje. Altman mendon se pas një kohe të gjatë, nisur prej trazirave që rikthehen herë pas here dhe pamundësisë për të arritur një situatë sigurie, gjendemi përpara një zgjedhjeje. Altman: "Nuk jam i sigurt nëse disa politikanë nuk do të thoshin, atëhere më mirë kjo zgjidhje që është e dyta më e keqe, se sa asnjë zgjidhje. E rëndësishme për momentin është që bashkësia ndërkombëtare të tregojë me forcë prezencë. Nqs ajo pretendon që Kosova të mos ndahet atëhere nuk ka mundësi tjetër përveç që EULEX-i dhe KFOR-i te bëjnë të qartë se bashkesia ndërkombëtare do që ta ruajë njësinë e Kosovës dhe kjo bëhet vetëm përmes pranisë ndërkombëtare. Nga ana tjetër në lidhje me pavarësinë e Kosovës, duhet parë në mënyrë kritike, thuhet se vetëm prania ndërkombëtare mund ta mbajë të bashkuar Kosovën, kjo është si të thuash baza për këtë shtet të ri, të cilin duhet ta konsiderosh si shumë të diskutueshëm. "




  • Data 06.01.2009
  • Autor Sanja Blagojevic
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GSlK
  • Data 06.01.2009
  • Autor Sanja Blagojevic
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GSlK