1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Prodhuesit e automobilëve nga vendet në zhvillim mund të bëhen konkurrentë

Tregjet në shtetet e BRIC-ut janë për prodhuesit e automjeteve motori i rritjes ekonomike të së ardhmes. Ana tjetër e medaljes. Konkurrenca rritet, prodhuesit vendas mund të bëhen rivalë të vërtetë.

Shtetet e BRIC-ut, Brazili, Rusia, India dhe Kina, po pushtojnë gjithnjë e më shumë pjesë të tregut botëror të automobilave. Ndërsa në vitin 2008 24 përqind e të gjitha makinave të reja prodhoheshin dhe shiteshin në këto vende, në vitin 2025 do të jenë 40 përqind. Kjo rezultoi nga një sondazh, që shoqëria për auditimin ekonomik, KPMG, bëri me 200 menaxherë drejtues të industrisë së automobilave në mbarë botën.

Makina e së ardhmes

Eksperti i KPMG-së, Mathieu Meyer

Eksperti i KPMG-së, Mathieu Meyer

Menaxherët e pyetur nga KPMG për "makinën e së ardhmes" supozojnë se deri në vitin 2025 konsumatorët në vendet në zhvillim do të kërkojnë të njëjtin koncept për makinat, si konsumatorët në vendet industriale, kështu konstaton në bisedë me DW-WORLD.DE Mathieu Meyer, drejtor i sektorit të automobilëve të KPMG: "Ndarja tradicionale në këto dy grupe: Vende të zhvilluara dhe vende në prag të zhvillimit, ky kufi po zbutet gjithnjë e më shumë."

Ai mendon se në njërën anë këtu qëndron një shans i madh për koncernet e njohura të automobilave. Eksporti i automjeteve thjeshtohet, në mbarë botën kërkohen modele dhe pajisje të ngjashme. Nga ana tjetër ekspertët e pyetur janë të mendimit se prodhuesit në vendet në prag të zhvillimit do të mund t'i shesin produktet e tyre më mirë në vendet e zhvilluara duke rritur kështu eksportet e tyre.

Sulmues nga Azia

Prandaj menaxherët parashikojnë: Nga dhjetë prodhuesit e makinave, që do të pësojnë në të ardhmen zhvillimin më të shpejtë, shtatë janë të vendosur në Azi, prej tyre katër vetëm në Kinë. "Prandaj mund të supozohet", thotë Meyer, "se deri në vitin 2025 pjesa e tregut të prodhuesve kinezë do të rritet shumë edhe në vendet në zhvillim."

Megjithatë sipas mendimit të ekspertëve të KPMG do të zgjasë shumë vite, derisa automjetet kineze të arrijnë të shesin në Evropë në atë masë, si për shembull koreanët sot. Nga ana tjetër prodhuesit kinezë kanë arritur të zënë vend në vendet fqinje aziatike dhe të nxjerrin të fitime të mira nga eksportet. Por edhe në pjesë të tjera të botës prodhuesit kinezë të makinave janë tashmë të suksesshëm. "Ata kanë prani në Afrikë, në Amerikën e Jugut", thotë Meyer. Ai mendon se prodhuesit kinezë të makinave do t'i shtojnë fillimisht eksportet përmes këtyre tregjeve dhe gradualisht me inovacione të reja do të kënë edhe produkte, që do të ishin më vonë tërheqëse edhe për tregun evropian dhe për tregun amerikan."

Kriteret e blerjes përzihen

Makinat kineze në ekspansion

Makinat kineze në ekspansion

Në përgjithësi industria e automobilëve po bëhet gjithnjë e më e pasigurtë, se si do të jetë "makina e së ardhmes", për të plotësuar kërkesat e konsumatorëve. Krahasimet e sondazhit aktual të KPMG-së me studimet e viteve të fundit kanë treguar: Në të kaluarën kursimi dhe harxhimi i pakët i karburantit kanë qenë kriter i rëndësishëm i shitjes, thonë menaxherët e pyetur. Por në studimin aktual luajnë një rol gjithnjë e më të madh edhe mbrojtja e mjedisit, siguria, dizajni dhe komforti. Meyer nxjerr nga kjo konkluzionin: "Kriteret për blerjen e automjeteve përzihen gjithnjë e më shumë dhe prandaj është më e vështirë për prodhuesit e automobilëve, që të përcaktojnë saktësisht makinën e së ardhmes dhe ta prodhojnë atë."

Motorët me djegie para motorëve elektrikë

Përsa i përket motorit e ardhmja i takon elektromobilitetit. Por mendimet janë shumë të ndryshme, se në çfarë teknologjish duhet të bazohet në të ardhmen prodhuesi. Kështu dy prej tre ekspertëve të pyetur mendojnë se makinat, që drejtohen me rrymë elektrike, do të përbëjnë maksimumi 15% të makinave të reja të lejuara në treg. Për motorin e vjetër me djegie edhe pas studimit aktual të KPMG vlen akoma deviza: të shpallurit të sëmurë për vdekje jetojnë më gjatë.

Autor: Klaus Ulrich/Angjelina Verbica
Redaktoi: Elert Ajazaj

: